“Loja” rreth përfaqësimit të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë (18)
INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (18)
Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së tetëmbëdhjetë, ka folur rreth përfaqësimit të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë dhe vërejtjeve që Adem Demaçi kishte rreth përmbajtjes së Deklaratës së Grupit të Kontaktit dhe lajmeve për mospjesëmarrjen e UÇK-së në këtë konferencë. “Refuzimi që të merrnim pjesë në konferencë do të rrënonte në mënyrë të pakthyeshme besimin që kishin krijuar diplomatët amerikanë dhe britanikë ndaj nesh dhe në këtë mënyrë do të shkonte huq tërë angazhimi i tyre për të hequr cilësimin paraprak të UÇK-së si ‘organizatë terroriste’”, ka theksuar Bardhyl Mahmuti, duke shtuar se: “Më në fund UÇK-ja bëri të ditur se do të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë konferencë ndërkombëtare dhe kështu mbylli thashethemet!”.
“Epoka e re”: Megjithatë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës çështja e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje doli të ishte më e koklavitur sesa që kishit menduar? Më 30 janar, në Shkup, Përfaqësuesi i Përgjithshëm i UÇK-së në Prishtinë, z. Adem Demaçi u takua ministrin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook. Pas takimit, z. Demaçi deklaroi se do të jepte përgjigje pasi ta kishte studiuar përmbajtjen e materialeve që iu dorëzuan. Në ndërkohë, z. Jakup Krasniqi i deklaroi “Washington Post”-it se UÇK-ja do të merrte pjesë në konferencë dhe më vonë u publiku lista e parë e atyre që do ta përfaqësonin UÇK-në në kuadër të delegacionit të Kosovës, në mesin e të cilëve ishte edhe emri juaj. Mirëpo, në konferencën me gazetarët të datës 2 shkurt, zoti Demaçi kritikoi përmbajtjen e Deklaratës së Grupit të Kontaktit dhe u deklarua se ai, personalisht, nuk do të shkonte në Rambuje dhe se do të rekomandonte mospjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë. Mirëpo në të njëjtën ditë, UÇK-ja pranoi të merrte pjesë dhe publikoi një listë me emra të rinj të përfaqësuesve të saj në konferencë, ku nga lista paraprake u hoq emri i juaj dhe i Sokol Bashotës dhe u shtua Azem Syla dhe Xhavit Haliti. Për çfarë arsyesh ndodhën të gjitha këto gjëra?
Bardhyl mahmuti: Adem Demaçi kishte vërejtje të shumta rreth përmbajtjes së Deklaratës së Grupit të Kontaktit. Megjithëse në këtë deklaratë thuhej se gjatë periudhës kalimtare, që duhej të zgjaste tri vjet, “ndalohej çfarëdo ndryshimi i njëanshëm i statusit kalimtar të krahinës dhe integriteti territorial i RFJ-së dhe i shteteve fqinje” (pika 3 dhe 4 e deklaratës), Adem Demaçi dyshonte që një gjë e tillë mund të merrej si parim që nuk mund të negociohej as gjatë procesit kur të përcaktohej statusi përfundimtar i Kosovës. Nëse lexojmë me vëmendje qëndrimet e Adem Demaçit në konferencën me gazetarë do të shohim se ai nuk i mbyll dyert e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të tjerë të UÇK-së në këtë konferencë, siç e kanë prezantuar disa gazetarë tendencioz. Përkundrazi, ai deklaron qartë se në kuadër të UÇK-së “ka njerëz të kualifikuar, të cilët mund të shkojnë dhe le të shkojnë. Le të përpiqen të arrijnë, të implementojnë diçka, në qoftë se atyre ua merr mendja se mund të arrijnë”!
“Epoka e re”: A dinit se kush orkestroi fushatën e gazetarëve të tillë?
Bardhyl Mahmuti: Nuk e di se kush qëndronte prapa një fushate të tërbuar për ta paraqitur Adem Demaçin si pengesën kryesore për gjetjen e një zgjidhjeje politike, por shkrimet e tilla të korrespondentëve të agjencive telegrafike dhe mediave me peshë në skenën mediatike ndërkombëtare shkonin në interes të Serbisë, sepse krijuan përshtypjen e gabuar se edhe UÇK-ja ishte përgjegjëse për dështimin eventual të Konferencës së Rambujesë. Atë që mund të them me plot përgjegjësi është fakti se prezantimi i shtrembëruar i qëndrimeve të Adem Demaçit si refuzimi i pjesëmarrjes sonë në konferencë u përjetua shumë keq nga diplomacia amerikane dhe britanike, të cilët, në kuadër të takimit të Grupit të Kontaktit, kishin këmbëngulur për përfshirjen tonë në delegacionin e Kosovës.
“Epoka e re”: A ju kontaktoi dikush nga diplomatët lidhur me këtë?
Bardhyl Mahmuti: Po! Disa orë pas konferencës për shtyp të Zyrës së UÇK-së në Prishtinë, më telefonoi ambasadori Lawrence Rosin dhe më shprehu zhgënjimin e madh të SHBA-ve për këtë qëndrim. Në të njëjtën kohë ma bëri me dije se konferenca do të mbahej me apo pa praninë e përfaqësuesve të UÇK-së dhe fajtorët për dështimin eventual të konferencës do t’i bartnin pasojat. Unë u përpoqa ta bindë se kishim të bënim me një manipulim mediatik, por interpretimet e lartpërmendura kishin marrë dheun!
“Epoka e re”: A ishte kërcënim ndaj UÇK-së qëndrimi i tillë i ambasadorit Rosin për pasojat që do të bartte UÇK-ja në rast të dështimin eventual të konferencës?
Bardhyl Mahmuti: Nuk ishte kërcënim personal i një diplomati amerikan që ishte angazhuar maksimalisht për legjitimimin e UÇK-së si forcë çlirimtare. Ambasadori Rosin përsëriti qëndrimin e Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Po rikujtoj për lexuesin se nëpërmjet Deklaratës së Grupit të Kontaktit u bë me dije se pala që do të refuzonte t’u përmbahej rekomandimeve dhe që do të sabotonte suksesin e kësaj konference, do të mbante përgjegjësinë e dështimit. Një ditë pas Deklaratës së Grupit të Kontaktit, më 30 janar 1999, Këshilli i NATO-s lëshoi një deklaratë në mbështetje të kërkesave të Grupit të Kontaktit. Në pikën 4 të kësaj deklarate, Këshilli i NATO-s theksonte se “kriza në Kosovë mbetet rrezik për paqen dhe për sigurinë në rajon. Strategjia e NATO-s është e orientuar t’i japë fund dhunës dhe arritjes së një marrëveshjeje politike të përkohshme për Kosovën, që do të mundësonte parandalimin e një katastrofe humanitare.” Pala që nuk do të respektonte angazhimet ndërkombëtare do t’i bartte pasojat në përputhje me pikën 5 të Deklaratës së Këshillit të NATO-s. Në rast të sabotimit të punëve nga ana e autoriteteve të Beogradit, “Këshilli i NATO-s vendosi atë ditë për mundësinë që Sekretari i Përgjithshëm të autorizojë goditjet ajrore kundër caqeve në territorin e Jugosllavisë. Ndërsa, në rast të mosrespektimit të kushteve nga pala shqiptare e Kosovës, NATO-ja do të ndërmarrë masat adekuate kundër tyre.”
“Epoka e re”: A kishit idenë se cilat ishin “masat adekuate kundër UÇK-së” nëse për dështimin e konferencës faji binte mbi të?
Bardhyl Mahmuti: Refuzimi që të merrnim pjesë në konferencë do të rrënonte në mënyrë të pakthyeshme besimin që kishin krijuar diplomatët amerikanë dhe britanikë ndaj nesh dhe në këtë mënyrë do të shkonte huq tërë angazhimi i tyre për të hequr cilësimin paraprak të UÇK-së si “organizatë terroriste”. Na ishte thënë qartë se do të na shkatërronin tërë infrastrukturën që mbështeste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës qoftë në shtetet perëndimore, qoftë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Një gjë të tillë na e përsëritën edhe bartësit e institucioneve shtetërore të Shqipërisë. Ishte tërësisht e qartë se nëse SHBA-ja dhe NATO-ja do të binin një vendim të tillë, ata do të detyroheshin të ndërmerrnin të gjitha masat për të pamundësuar furnizimin me armë të UÇK-së nëpërmjet territorit të Shqipërisë. Nuk mund të konfrontoheshin me botën! Më në fund UÇK-ja bëri të ditur se do të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë konferencë ndërkombëtare dhe kështu mbylli thashethemet!
“Epoka e re”: T’i kthehemi një çështjeje që e lamë ta trajtonim më vonë. Kur ju kërkuam të viheshit në pozitën e atyre anëtarëve të kryesisë së mëparshme të LPK-së që kishin bindjen se ishin lënë anash në momentet vendimtare të një procesi për të cilin kanë dhënë kontribut, ju deshët që për këtë çështje të përgjigjeshit në momentin kur do të flisnit për Konferencën e Rambujesë. Të jem i drejtpërdrejt: si e përjetuat faktin që nga lista paraprake e përfaqësuesve të UÇK-së u hoq emri i juaj dhe i Sokol Bashotës dhe u shtua Azem Syla dhe Xhavit Haliti? Nëse përdor gjuhën e disa veprimtarëve që interpretojnë të kaluarën e LPK-së do ju pyesja: A pati “komplot” kundër jush?
Bardhyl Mahmuti: Në bashkëbisedim me forcat e tjera ishin marrë vesh që delegacioni i Kosovës të kishte një numër të përkufizuar përfaqësuesish të secilës forcë politike. Heqja e emrave tonë nuk ishte çështje “komploti” kundër nesh, por, në pamundësi që të shkonim të gjithë, u ndryshua lista e parë dhe shkuan ata që mendonin se ishin të domosdoshëm të ishin të pranishëm në këtë konferencë! Mua më mbeti hatri shumë nga mënyra sesi u veprua me emrat tanë. Është dashur të mos përmendeshin fare, por heqja e emrave që ishin publikuar paraprakisht, më solli në një situatë të pa lakmueshme ku duhej t’u përgjigjesha diplomatëve dhe gazetarëve të shumtë me të cilët kisha kontakte të rregullta për atë se çfarë ndodhi, edhe pse realisht nuk isha aspak i informuar për rrjedhat e “lojës” me emra e përfaqësuesve politikë të UÇK-së. Përkundër pakënaqësisë personale që askush nga Grupi Diplomatik i UÇK-së nuk u përfshi si përfaqësues i UÇK-së në delegacionin e Kosovës, asnjëherë nuk kemi përdorur termin “komplot” për të cilësuar një veprim të tillë, sepse, siç e theksova edhe më lartë, fenomenet e kësaj natyre nuk mund të shpjegohen nëpërmjet këndvështrimit “komplotist”.
“Epoka e re”: Për aq sa jemi të informuar, ju asnjëherë nuk keni dalë kundër përfaqësuesve të UÇK-së që ishin në kuadër të delegacionit të Kosovës në Rambuje.
Bardhyl Mahmuti: Jo vetëm që nuk kemi dalë kundër, por as nuk kemi qenë kundër! Përkundrazi! Kujtdo që na ka pyetur në atë kohë rreth zhvillimeve në Konferencën e Rambujesë, i kemi shprehur mbështetjen tonë të plotë për delegacionin e Kosovës në përgjithësi, dhe për përfaqësuesit politikë të UÇK-së, në veçanti! Lëvizja Popullore e Kosovës, nënkryetar i së cilës isha, mbështeti plotësisht delegacionin e UÇK-së në këtë konferencë dhe në përkrahje të saj organizoi mitingun madhështor në Paris, ku morën pjesë mbi 70 mijë shqiptarë, nga të katër anët e botës. Në këtë manifestim, fjalën e rastit e mbajti kryetari i LPK-së, Bedri Islami, ndërsa në emër Familjes Jashari nga Prekazi, pjesëmarrësit i përshëndeti Lulzim Jashari, i biri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.
(Muhamet Mavraj / Vijon)