LOJA TREPÇA-CRVENA ZVEZDA, LOJA E ZEZË E RADHËS QË VIE NGA SERBIA

22 shtator 2019 | 19:33

Nëse UEFA dhe FIFA vetëm për një çast do t`i referoheshin filmit dokumentar të televizionit publik gjerman “ZDF“, televizion që e mbanë vendin e dytë në Evropë për nga madhësia, prodhim i vitit 2019, me titull: “Serbiens Mafia – Krieger Kriminelle und der Staat“ (“Mafia serbe- kriminelët e luftës dhe shteti”), nuk do ta kishin të vështirë ta kuptonin që “Crvena Zvezda” është plotësisht në duartë e mafisë më kriminale në Ballkan dhe Evropë, asaj të veteranëve kriminelë si dhe pasardhës të Arkanit dhe TIGRAVE të tij famëkeq, të cilët e influencojnë me forcë dhe shantazhe jo vetëm futbollin, por edhe politikbërjen e Serbisë. Në fakt, grupi i tifozëve “Delije“ që nga themelimi është i lidhur sikur mishi e thoi me qeverisjen shtetërore serbe.

Lulëzim ETEMAJ/ Isuf SHERIFI

Në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, as futbolli, një nga sportet më të popullarizuara në botë, nuk është vetëm futboll.

Shtypja dhe krimet e kryera nga Serbia ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, përfshirë edhe ato të gjenocidit, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër frustrimi nga humbja e luftës, përballë UÇK-së dhe Natos, dhe pavarësimi i Kosovës, vazhdojnë të mbeten determinuese edhe të raporteve sportive.

Përfshirja e Klubit Futbollistik të Veriut të Mitrovicës, “Trepça”, në ligën e Serbisë është akt i pastër politik dhe nuk ka të bëjë asgjë me sportin. Në këtë vazhdë, edhe shorti i 1/8 së finalës së kupës së Serbisë, që i vë përballë “Crvena Zvezden” me  “Trepçën” dhe është planifikuar të luhet më 25 shtator 2019 në Zveçan, jo që nuk ka të bëjë asgjë me sportin, por paraqet një provokim të radhës për shqiptarët e Kosovës, përkatësisht institucionet e saj shtetërore. Prandaj, nuk mjafton vetëm reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), dhe eventualisht edhe reagimi i UEFA-s dhe FIFA-s, shkaku i thyerjes së statutit të tyre nga ana e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Zhvillimi i kësaj loje në Zveçan mund të jetë me rreziqeserioze mbi të gjitha për rendin dhe sigurinë publike në Mitrovicë dhe jo vetëm. Është e ditur botërisht se tifozët e ekipit “Crvena Zvezda” të Beogradit shquhen për arrogancën, vandalizmin e në raste jo të pakta edhe brutalitetin e manifestuar nëpër stadiume futbolli dhe jashtë tyre. Grupi “Delije”, i themeluar nga bashkimi i grupeve të shumta të tifozëve të “Crvena Zvezdes” në fillim të vitit 1989, nga njohësit e futbollit vlerësohet si njëri nga grupet me të fuqishme të tifozëve të futbollit jo vetëm në Evropë, për iniciator, kështu çfarë është në formën e tashme, e kishte kriminelin e luftës Zheljko Razhnatoviq, i njohur si Arkani. Ky grup njëkohësisht është i njohur edhe për organet e rendit të Evropës si një grup mafioz hajnash dhe plaçkitësish, trafikantësh të armëve, drogës, në kohën e luftës, i naftës, si dhe likuidues, sipas porosive të shërbimit sekret të Slobodan Milosheviqit, i  kundërshtarëve politikë.

Grupi i tifozëve “Delije” gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, veçmas në Kosovë, ka qenë potencial i madh për rekrutimin e pjesëtarëve të gardës kriminale të Arkanit, të themeluar, ashtu si dhe “Delije”, sipas instruksioneve dhe në bashkëpunim me shërbimin sekret dhe strukturat ushtarake të Milosheviqit, ndërkaq pas luftës e ka ruajtur me fanatizëm frymën e përhapjes së urrejtjes dhe racizmit në raport me popujt tjerë me të cilët Serbia ishte në luftë, përfshirë këtu edhe shqiptarët e Kosovës.

Nëse UEFA dhe FIFA vetëm për një çast do t`i referoheshin filmit dokumentar të televizionit publik gjerman ZDF“, televizion që e mbanë vendin e dytë në Evropë për nga madhësia, prodhim i vitit 2019, me titull: “Serbiens Mafia – Krieger Kriminelle und der Staat“ (“Mafia serbe- kriminelët e luftës dhe shteti”), nuk do ta kishin të vështirë ta kuptonin që “Crvena Zvezda” është plotësisht në duare mafisë më kriminale në Ballkan dhe Evropë, asaj të veteranëve kriminelë, si dhe pasardhës, të Arkanit dhe TIGRAVE famëkeq, të cilët e influencojnë me forcë dhe shantazhe jo vetëm futbollin, por edhe politikbërjen e Serbisë. Në fakt, grupi i tifozëve “Delijeqë nga themelimi është i lidhur sikur mishi e thoi me qeverisjen shtetërore serbe.

Institucionet e Kosovës, posaçërisht ato të rendit dhe sigurisë, do të duhej të pengonin me çdo kusht hyrjen e tifozëve serbë të “Crvena Zvezdës” në Kosovë si dhe zhvillimin e kësaj loje brenda territorit të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk do të duhej ta ketë harruar, pikërisht këta tifozë famëkeq, ngjizje kriminale e bashkëpunimit Milosheviq-Arkan, në përballjen e “Cervena Zvezdes dhe Dinamos së Zagrebit në stadiumin Maksimir të Zagrebit, e filluan përleshjen e përgjakshme të 13 majit 1990 dhe i ndezen sinjalet e luftës serbo– kroate. Këtë ditë, sipas dëshmive fotografike të medieve kroate, me grupin “Delije” në trazirat e “Maksimirit” ishin edhe Arkan dhe ish- ministri për informim i Milosheviqit gjatë kohës së bombardimit të Natos, presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në fakt, pjesë e grupit “Delije” ishte i gjithë stafi politik i Milosheviqit.

Jo më larg se dy vite e gjysmë më parë, grupi i tifozëve “Delije” kanë djegur në Milano të Italisë flamurin kombëtar shqiptar.

Prandaj, jo gjithçka që duket e pa rëndësishme, është e tillë, posaçërisht kur vie nga Serbia, e cila vazhdon të ketë qendrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovës.

Ardhja e tifozëve “Delije” dhe kjo lojë futbolli, e planifikuar të luhet në Zveçan, në kohën kur Kosova është në fushatë elektorale dhe kur institucionet e shtetit janë të brishta, ka prapavijë kryekëput luftënxitëse. Kjo llavë ujqërish, veshur si “delije“ duhet ndalur në kufi, dhe jo në brendi të shtetit. Mbase disa sosh, në mos qindra, tashmë mund të jenë akomoduar brenda shtetit të Kosovës, nëpër familjet serbe që ishin strehë dhe mbështetje e kriminelëve ushtarakë dhe policorë serbë, që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në xhiron e gjashtë në Premierligë, Liverpooli morën pikët e…