“Lojë e ndyrë”, opozita ndihet e tradhtuar nga LV-ja në Kuvend

28 mars 2022 | 13:36

Ka dështuar të miratohet në Kuvendin e Kosovës krijimi i komisionit hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Komisioni i propozuar nga PDK-ja nuk është votuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Për krijimin e komisionit kanë votuar 23 deputetë, 50 kundër dhe nuk ka pasur asnjë abstenim.

Abelard Tahiri, shef i grupit parlamentar të PDK-së, ka thënë se kishte një dakordim paraprak për krijimin e këtij komisioni. Ai e ka quajtur të turpshëm votimin kundër nga deputetët e Vetëvendosjes.

“Refuzimi ishte një lojë e ndryrë”, ka thënë Tahiri, sipas të cilit “është hera e parë që me votë refuzohet një komision parlamentar”.

“Kjo çështje nuk do të mbyllet sot këtu. Ne kemi edhe mundësi tjera parlamentare ta procedojmë tutje me 40 nënshkrime, pa pasur nevojë të vihet në Kuvend, por kemi pasur dëshirë ta kemi një koordinim”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se PDK-ja nuk do të vazhdojë të qëndrojë në seancë.

Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se paraprakisht ishin pajtuar të votojnë për krijimin e komisionit, por ka thënë se ishin marrë vesh që të mos ketë debat për këtë çështje.

Kurse shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur të çuditshme sjelljen e shumicës.

“Çka po doni me fsheh?”, ka pyetur Gashi, duke i thënë deputetëve që votuan kundër se “veç jeni koritë”, ndërsa ka paralajmëruar krijimin e këtij komisioni në një rrugë tjetër.

Sipas Gashit, votimi kundër ka treguar se nevojitet krijimi i një komisioni të tillë.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahir ka pyetur se “pse të mos e zbardhim të vërtetën?”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare ka kryer një seancë stërvitore të lehtë në…