Lojë me gishtërinj në mur
Musa Ramadani
Përnjëherësh, e kjo domethënë: sapo i qasesha Asaj – flokë për t’ia zhgrehur, flokëve – sytë për t’ia praruar, syve – hundën për t’ia shfryrë, hundës gojën për t’ia urtuar, gojës – fjalët për t’ia zgjidhur, që nyjë të mos i zihen kurrë. – Ajo vendosmërisht:
Unë kam luajtur me gishtërinj në mur
Tha, e unë: mirëmbrëma, salutova,
Muri ishte pa dimensione: i madh dhe i vogël
Tha, e unë: si të mban shëndeti, shtova,
Ai ishte edhe i pangjyrë: i bardhë dhe i zi
Tha, e unë: ke ndryshuar shumë, venerova,
Muri është i askujt: yni dhe i të tjerëve
Tha, e unë: me ne o pa ne, në ne si jashtë ne,
Thashë, thashë për të mos thënë Ajo, thashë, thashë
Dhe aspak s’u pendova pse thashë ashtu, me a pa vetëdije – nuk di, por me rëndësi është se me gjysmë vetëdijeje – jo kurrë e po qe se u mundon kureshtja, sëmundje e paidentifikuar e botës deri tani, atëbotë po ju them se thashë ashtu jo vetëm sa për të thënë apo edhe për të mos thënë fare gjë që thashë, porse për një diçka të diçkaje tjetër, e cila assesi nuk po më rikujtohet meqë nuk di mjerisht: atë që pata thënë – me vetëdije apo pa të e thashë… Nejse, fundi i fundit, njerëzit sa e sa herë, pas shembëllave të nduarta kanë thënë diçfarë, çfarëdoqoftë ajo, vetëm diçfarë e mbas një copë here, nuk kanë pranuar se kanë thënë gjë për të mos thënë: kanë mohuar se kanë qitur një fjalë goje madje, e unë, çfarë unë, pashë nderin, unë thashë diçfarë e ju mund ta quani lirisht edhe asgjë, paj, diçfarë aq miniaturale, që nuk i jepet dot ligjit të madhimit, kështu apo jo, diçfarë krejt të vockël, sa unë mund t’u siguroj qind për qind se nuk do të largohet meje aq, për të hyrë në kurrënjëfarë logjike, enciklopedie apo, apo, apo… historie…
…. Dhe – Ajo që: kam luajtur me gishtërinj në mur,
Tha…
… Dhe – unë që: me kureshtje ia kaloj vetvetes,
Them…
Ashtu, hyra trimërisht, ose më bëhej mua, apo ndoshta edhe shtihesha i tillë në ato çaste, që më ngashënjenin, mposhtnin dhe tëhuajnin, mu pse ishin parëndomësitë e para gjatë shtigjeve të këputura të shpirtit në të gjurmuarit e një kuptimi ndoshta edhe antipodes të kësaj fjale të stërpërsëritur nga oratorët privatë të kësaj paraleleje. Tani më vinte mirë që nuk kisha dëgjuar kurrënjëfarë bisede me theks të nënkuptuar këshille, më vinte mirë, madje një ylber gëzimi zgjatej e rritej në mua, – i madh, vetëm e vetëm pse s’isha plotësisht i vetëdijshëm për të ose pse i pamundshëm ishte identifikimi, – sepse në të kundërtën vetëm detaje krejt të parëndësishme të kisha dëgjuar kurdoqoftë ndonjëherë më parë – nuk do të më dukeshin këto formalitete kaq interesante e ç’është edhe më qenësore hëpërhë… parëndomta apo jo. Një gjë që veçanërisht kësaj here më bënte të lumtur, e ky mbiemër lypset interpretuar vetëm si: çast, një, çast lumturie, e asgjë fare, hiç më tepër, ishte, pra ajo pamja, e cila më vonë do të shndërrohet në një reprizë monotone thuaj, po, mu ashtu: ajo pamja: se gjithçka aty jetonte e gjallëronte po nuk vdiste – në palëvizje rreth e përqark, poshtë e lart, në çdo skutë, pikë e cak nuk vdiste, por jetonte gjallëronte në kryevete, në palëvizje… aty… ndaj unë iu dorëzova: hoqën prej meje krejt ose vetëm krejt: më zhveshën prej çdo pjese të domosdoshme a të tepërt qoftë, përpos, ashtu… – flokëve, e ato ishin në kokën time, edhe të gjata, të gjata, aq të gjata, sa lejon mirësjellja e tejkaluar e gjinisë mashkullore ndër ne, ndërsa unë, më falni që prapë: unë, i pari e as mbrami jo, vetëm i ndërmjetmi nuk di se a isha, mezi pritja të përfundojnë ato veprime më: të m’i heqin ato lecka të cilat edhe po qe se nuk janë, më tjetërsohen të tilla, për çudi, pos të tjerash, mezi pritja të m’i heqin, ato gjëra krejt të m’i heqin, ato, që mbulojnë nderin dhe turpin tim, për t’u liruar njëherë, e përse jo edhe çliruar, krejt pavarësuar… e të tjera e të tjera të këtij niveli, tekembramja, ngaqë u binda se qind për qind janë leçitur prej meje të tepërtat, të domosdoshmet, të bezdisshmet, të afërtat – u qesha, pa ndihmën e askujt u qesha, por u qesha pa e tradhtuar fare parimin e heshtjes së përgjithshme, ashtu pra u qesha, sa soditësi i rastit do të mund t’i betohej se vetëm u përgiva, dhe menjëherë pas kësaj, pavarësisht nga të tjerat, më kapalisi një ndjenjë madhimi, tjetërsimi, triumfi, fitoreje pa luftë, nëse ndokush pas shestimit të shkurtër mund t’i bindet se ka edhe fitore pa luftë, ka…
Në pakuptimësi kërkova kuptimin.
Kuptimin e pakuptimësisë…
Pakuptimësinë që është kuptimi vetë.
Se vetvetiu më nuk dija e as ndija kurrënjësend tjetër pos vetëbesimit tim të verbër se ngjiste diçfarë krejt e papandehur: gjaku këndonte pushkë, mishi më bëhej se rimohej, e shqisat vetëm liroheshin zjarresh, kështu që kot së koti kërkoja në pakuptimësi kuptimin, kuptimin e pakuptimësisë, atë pakuptimësi që është kuptimi vetë, kot dhe kot e kërkoja… për të mos e kërkuar të tjerët më,
Atë, që e kemi dhe nuk është jona, atë,
Atë, që jona është, por nuk e kemi atë, Atë.
Atë… pamundësinë mbi gjërat dhe… atë
Po nejse
Sa vështirë është brenda, sikundër edhe jashtë, thashë unë.
Unë kam luajtur me gishtërinj në mur, ajo tha
Heshtje, trashëguar nga pronarët e varrezave, thashë unë.
Ditën e parë, nuk vërejta gjë, ajo tha,
Palëvizje, nënshtruar nga puna vullnetare, thashë unë.
Ditën e dytë, vërsheu përnjëherë: bardhësia, ajo tha,
Vetmi, zbuluar nga vendnumërimi i kotë, thashë unë.
Ditën e tretë, atëherë e preka murin, ajo tha.
Sa rëndë pa diçfarë: me diçfarë është e pamundur, thashë unë.
Unë kam luajtur me gishtërinj në mur, ajo përsëri tha.
Tani më aty asgjë nuk më ngafiste as preokuponte më tepër se sa Ata, numri i të cilëve përgjithnjë më ngatërrohej në kokë, kështu që zemërohesha pamasë se përse gjithnjë më dilnin një më tepër o një më pak, mandej muri, vetë ai mur që nuk më shkonte mendsh fare ta kundroj më gjatë e më mirë, nuk e shihja… nuk e diktoja se aty ishin katër mure… e dikur edhe ajo, Ajo: e zezë dhe e qetë, e afërt dhe e zezë, e zezë dhe e nxehtë, e zezë dhe e zezë e zezë… e posaçërisht gishtërinjtë e saj, ih, djall o punë e djallit tani as mund të përfytyroj se vallë i kishte gishtërinjtë e plotë a të thatë, për piano a për gojë, të shkurtër a të gjatë, por qe si qe: të zezë e të butë, të zezë dhe të zezë, të zezë me siguri ishin, në mos mua vetëm më bëhet se ashtu… ashtu… Çudi, kurdo që persiatja mbi murin e bardhë e që thashë se nuk e shihja, pastaj Atë ashtu të zezë që thashë se ishte e zezë dhe së fundi për gishtërinjtë e saj që thashë se nuk mund të parafytyroj se çfarë ishin tjetër pos të zezë dhe të butë, i kthehesha vetes më i vogël në mallimin e një pamundësie… Përherë.
Edhe kur gjaku çirrej.
Edhe mishi im kur rimohej.
Edhe kur shqisat liroheshin zjarresh.
Nuk di pastaj pse aq rrëmbyeshëm m’u afruan atë pasdite edhe ashtu të lodhur e të mërzitur, në aso çastesh derisa unë po persiatja vazhdimisht mbi atë numrin e mallkuar, i cili, për sherr, nuk më dilte asnjërën herë njësoj, paj, m’u afruan e pse të mos them: edhe më kapën dhe sa ora u gjenda, ndonëse pa përfilljen e dëshirës sime tanimë, ndodhesha diku tjetër, si në paralelen e tetë ku si një kotësi e kotë mundohesha të orientohem për anët kryesore të botës, se ajo dhomë, që po e quaj dhomë vetëm e vetëm për të mos jua zgjuar juve neverinë me ndonjë shprehje tjetër, jo vetëm se ishte përdheske, po edhe disi e parëndomtë, e braktisur, virane… teksa pikata disa që ishin bërë hije aty brenda, si kishin marrë poza të nduarta e të parregullta përskaj tre mureve, meqë në anën e katërt ndodhej dera dhe diçfarë tjetër, mendova njëherë vetë me vete se si përnjëmend duhet të jem i lumtur që pas kaq vitesh po më jepet mundësia të bëj prapë ushtrime gjimnastikore, harruar krejtësisht që nga bankat shkollore, e qe si qe: në mos asgjë tjetër, atëherë përpos aprovimit të aftësive, do t’ia zvogëloj vëllimin këtij barku tim që po rritet në heshtje duke shkaktuar koklavitje të pareshtura pa ndonjë shpjegim të zakonshëm ose, thënë me fjalë të tjera, më urdhëruan menjëherë, më thanë: me gishtërinj në mur! dhe më se dëgjueshëm ashtu veprova dhe mbas pak, për seri, desha të qesh, jo vetëm sa për t’u qeshur, po shkurt së shkurti pse ndjeva atë çast nevojën për të. Zaten vetë ajo: me gishtërinj në mur!, më kujtoi një nga komandat e zakonshme nga armata, megjithatë, vetvetiu – arsyeja ma mposhti ndjenjën e rastit dhe unë tejet krenisht ruajta gjakftohtësinë, virtytin që i mungon çdo të treti bashkëkohës të kësaj bote: qëndroja, pra, posi edhe të tjerët, me fytyrë kah muri, i cili, sipas meje, nuk ishte as i bardhë madje kokën e mbaja asodore sa nuk dukej as e ngritur as e lëshuar, veçse në një pozitë normale që është edhe e denjë si për kokën më. Duart i kisha bërë grushte të lidhur fort, vetëm gishttreguesit i kisha zgjatur përpara tani më të ngjitur në mur e duke qenë se thonjtë e gishtërinjve i pata lëshuar nga kompleksi im personal pa ndihmën e askujt, tani më vinte tejet vështirë t’i mbaja duart e prandaj edhe gishtërinjtë në gjendje fare horizontale, ndërkaq këmbët, më mirë të them: majat e gishtërinjve të këmbëve, qëndronin në lartësinë e një vije të shënuar, që ishte e bardhë dhe e drejtë, e që asnjëri nesh nuk dinte se në ç’distancë qëndronin këmbët, respektivisht gishtërinjtë e këmbëve tona prej murit, e të gjithë mejtonim për këtë duke mos ia qëlluar kurrë një mase të saktë. Zaten sa vinte ne humbnim padiktueshëm ndjenjën e masës, e vendnumërimi dalëngadalë shndërrohej në sëmundje, mu pse nuk i ngjasonte kurrënjëfarë pritjeje rrija ashtu, me një qëndrim si: “gatitu” të parregullt, dhe orvatje e sipër që të zmbraps nga mendja lodhjen dhe bezdinë, nisa edhe brenda kufijve të pamundësisë të shpikë ndonjë zbavitje atypari, që do të më bënte kënaqësi çfarëdoqoftë ajo pasi fatmirësisht unë ndodhesha pranë murit të mesëm, si e pata quajtur ndryshe: muri i tretë, sepse përmbrapa meje gjendej dera dhe diçfarë tjetër, kisha, njëfarë përparësie të dukshme: mund të kundroja nga e djathta dhe nga e majta kjo domethënë: edhe nga e majta edhe nga e djathta.
Njëri hajnisht kalonte vijën për gjysmë këmbe,
Gishtërinjtë i dyfishonte në mur me të mesmit, tjetri,
Njëri haptas e shkeli mizën me këmbë nga mëria,
Veshin që i lëvizte papra e kroi lirisht, tjetri,
Njëri mandej në kryevete tha: gëzuar, shokë…
Tjetri pa ngurrim vijoi: për shëndet…
I treti me të ngjirur shtoi:… dhe lumturi..
I pesti befas ia priti… për lirinë e shpirtit…
I dhjeti të madhe e sosi:. dhe të trupit…
Kori njëzëri ushtoi:… gëzuar, shokë…
Unë vetvetiu këngëtova… me gishtërinj në mur…!
Ja, për këtë, pra, brenda kufijve të parëndomësive të përhershme, nesër, tërë ditën e lume do t’u jepem përsiatjeve të pasosur me gishtërinj mbi Atë, rreth gishtërinjve mbi mua dhe mbi lojën e mbrame të gishtërinjve në mur.
Nga libri Fluroma, marrë nga N. Sh. Armagedoni