Lojërat Dimërore, mes fituesve të ditës së dytë edhe një 17-vjeçar
Në Lojërat Olimpike Dimërore u dhanë të tjera medalje. Në garën e 15 km të skiatlonit në “Cross Country” për meshkuj dominoi Norvegjia, që zuri të 3 vendet e para të kësaj gare.
Medalja e artë i shkoi Simen Hegstad Krueger, me kohën 1 orë, 16 minuta e 20 sekonda. Në vendin e dytë duke fituar medaljen e argjendtë u rendit Martin Sundby, ndërsa medaljen e bronztë e fitoi Hans Holund.
Në ditën e dytë spikat triumfi i 17-vjeçarit Redmond Gerrard në garën “Snowboard Slopestyle”, me amerikanin që grumbulloi 87.16 pikë pas 3 provave. Vendi i dytë dhe medalja e argjendtë ishte për kanadezin Max Parrot, me 86 pikë. Podiumin e kësaj gare e plotësoi një tjetër kanadez, Mark McMorris, i renditur në vendin e tretë me 85.2 pikë.
Në garën e stilit të lirë në ski për femra, medaljen e artë e fitoi francezja Perrin Laffont, që la pas Justine Dufour-Lapointe me medaljen e argjendtë, ndërsa në vendin e tretë, duke fituar edhe medaljen e bronztë u rendit skiatorja nga Kazakistani, Yulia Galysheva.
Në disiplinën “Luge”, medalja e artë shkoi për austriakun David Gleirscher, i ndjekur në vendin e dytë nga amerikani Chris Mazdzer, që fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa në vendin e tretë dhe me medaljen e bronztë u pozicionua sportisti gjerman Johannes Ludwig.
Holanda fitoi një tjetër medalje të artë në garën e shpejtësisë në akull, këtë radhë në garën e 5.000 m për meshkuj. Ishte rekordmeni olimpik i kësaj gare, Sven Kramer, ai që fitoi këtë garë, duke rrëmbyer medaljen e tij të tretë të artë. Në vendin e dytë u rendit kanadezi Ted-Jan Bloemen, ndërsa i treti u rendit norvegjezi Petersen. (Top Channel)