Lojërat e Vuçiqit: As në Lindje, as në Perëndim
Pranverë diplomatike e stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiqit në Rusi…
Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”.
Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiq, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.
Propaganda e promovimit të regjimit
Dushko Lopandiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, thekson për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikur Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet, beson Lopandiq.
“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, sa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Mirëpo, bashkëbiseduesi ynë i dytë mendon se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”, thotë Igor Novakoviq nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri.
“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese. Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”, beson Novakoviq.
Dushko Lopandiq, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi, e cila nuk është në pozita të barabarta, si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.
“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëron Lopandiq.
Serbia dhe Ukraina – raportet ilegale
Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë.