Lojërat Olimpike do të mbahen pa publik të huaj
Në Lojërat Olimpike në Tokio nuk do të lejohen spektatorët nga jashtë. Vendimi u njoftua pas një takimi të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, qeverisë japoneze, Qeverisë së Tokios, Komitetit Paraolimpik Ndërkombëtar dhe organizatorëve lokalë.
“Ne shprehim zhgënjimin e të gjithë tifozëve entuziastë të Olimpiadës nga e gjithë bota, dhe natyrisht familjeve dhe miqve të atletëve, të cilët po planifikonin të vinin në Japoni”, ka thënë presidenti i IOC-së, Thomas Bach.
Lojërat Olimpike Tokio 2020 ishte paraparë të mbahen vitin e kaluar, mirëpo ato u shtynë për shkak të pandemisë. Hapja e tyre do të bëhet më 23 korrik. Komiteti do t’i rimbursojë tifozët jashtë shtetit që kanë blerë tashmë bileta.
Deri më tani janë shitur 630.000 bileta, sipas shefit ekzekutiv të komitetit Toshiro Muto. Vendimi për ta ndaluar pjesëmarrjen e publikut të huaj merret për shkak të frikës nga një rritje e numrit të të infektuarve në Japoni. Japonia ka njoftuar për rreth 8.800 vdekje nga Covid-19 dhe ka kontrolluar përhapjen e virusit më mirë se shumica e vendeve.