Lojërat Olimpike do të zhvillohen në vitin 2021
Lojërat Olimpike, që ishin parashikuar për t’u zhvilluar gjatë verës së vitit 2020, do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm për shkak të situatës së Covid-19.
Këtë të hënë është marrë vendimi që Lojërat Olimpike të nisin në 23 korrik 2021 dhe do të zgjasin deri në 8 gusht. Nënkryetari i Komitetit Olimpik, John Coates, është shprehur se Lojërat Olimpike do të zhvillohen verën e ardhshme, edhe nëse situata me Covid-19 do të vijojë të jetë e njëjtë. Coates konfirmoi se Lojërat Olimpike do të fillonin në 23 korrik të vitit të ardhshëm, duke i quajtur “Lojërat që pushtuan COVID-in”.
Më tej ai u shpreh se tashmë ka dritë në fund të tunelit dhe garat do të zhvillohen. Më herët në muajin korrik shefi ekzekutiv i “Tokyo 2020”, Toshiro Muto, ka thënë se po mendohet që gjatë zhvillimit të lojërave olimpike do të ketë një audiencë të kufizuar, pasi është përjashtuar mundësia që të zhvillohen pa asnjë spektator.