Lojtarët dalin për kafe, humbasin avionin, situatë qesharake në La Liga
Vonesat me avionët janë kthyer sa duket në rutinë për udhëtarët e ditëve të sotme, por se thuajse i gjithë klubi i Las Palmas në La Liga do të humbiste fluturimin drejt Sevilla-s, vështirë se mund të mendohej!
Në fakt ka ndodhur realisht në Spanjë dhe situata doemos ka shkaktuar sa të qeshura, aq edhe tallje për ekipin.
Siç është raportuar nga mediat spanjolle sportive, ishte komunikuar se fluturimi tranzit drejt Madridit do të kishte një vonesë prej disa minutash dhe për këtë arsye, 15 futbollistë të Las Palmas dhe dy fizioterapistë, iu drejtuan kafenesë për pritjen.
Gjithçka në rregull, po të mos ishte se ata do të humbnin avionin e tyre!
Ata u vonuan për t’u paraqitur në zonën e rezervuar për regjistrimin, duke u lënë pas nga një pjesë e ekipit.
Kjo e vuri në “siklet” gjithsesi klubin, duke bërë që këta të fundit të viheshin në lëvizje dhe të kërkonin një fluturim me avion privat, ku më tej arritën të ishin në aeroportin e Sevilla-s orët e para të mëngjesit.
Do të jenë të lodhur lojtarët për ta zhvilluar ndeshjen si duhet? Ndoshta një tjetër kafe do t’i bënte mirë për t’u zgjuar…