Lojtarët e Superligës u paraqitën mirë për Kosovën

14 janar 2020 | 17:34

Lojtarët e Superligës së Kosovës janë paraqitur mirë për Përfaqësuesen e Kosovës në miqësoren ndaj Suedisë, kanë vlerësuar dy futbollistët me përvojë të madhe, Labinot Osmani dhe Taulant Dajaku. Ata kanë shprehur optimizëm se kjo ftesë do të shërbejë pozitivisht për lojtarët e rinj që të punojnë më shumë për të arritur të ftohen në Përfaqësuese. Nga trembëdhjetë lojtarët e ftuar të Superligës debutuan nëntë prej tyre.

Dy lojtarët me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, Labinot Osmani dhe Taulant Dajaku, e kanë vlerësuar pozitive paraqitjen e lojërave të IPKO Superligës për Përfaqësuesen e Kosovës në miqësoren e zhvilluar ndaj Suedisë në Katar (1-0).

Sulmuesi aktual i Llapit, Labinot Osmani, ka thënë për “Epokën e re” se në përgjithësi paraqitja e lojtarëve nga kampionati vendor ishte e mirë. “Mendoj se Përfaqësuesja e Kosovës nga ndeshja në ndeshje ka shënuar ngritje të nivelit të lojës. Po ashtu, edhe paraqitja e lojtarëve të Superligës ka qenë pozitive, duke mos dashur që të dalloj dikë më shumë apo më pak”, ka thënë Osmani. Sulmuesit i ka mbetur merak që ai dhe shumë të lojtarë të tjerë nuk e kanë pasur fatin të luajnë me Kosovën në ndeshje ndërkombëtare, pasi futbolli i Kosovës nuk ishte i pranuar në UEFA dhe FIFA. “Po sikur Kosova të ishte pranuar në FIFA dhe UEFA sigurisht se kisha shpresuar në ftesën e selektorit, por që mendoj se pranimi i Kosovës në instancat më të larta të futbollit ka bërë që shumë lojtarë të mos kenë paraqitje për Kosovën”, ka shtuar Osmani.

 

Fjalë të mira për paraqitjen e lojtarëve të kampionatit vendor në ndeshjen miqësore që Kosova e zhvilloi ndaj një kundërshtari të fortë siç është Suedia, pati edhe Taulant Dajaku. “Është një sinjal i mirë për të rinjtë në vend se rruga për t’i kapur majat e futbollit është nga puna që bëjnë dhe nëse punojnë mirë dhe me përulje një ditë do t’u shpaguhet mundi. Federata ka bërë mirë që ka organizuar këtë ndeshje dhe iu ka dhënë rasti disa lojtarëve të mirë nga liga jonë për të shfaqur në përballje me një ekip kombëtar si ai i Suedisë”, ka thënë Dajaku për gazetë. “Uroj që djemtë që kishin rastin të grumbullohen ta shfrytëzojnë këtë gjë për t’i hapur rrugët e veta drejt ekipeve në liga edhe më të larta dhe njëkohësisht kjo ftesë për lojtarët e Superligës do t’u shërbejë edhe lojtarëve që nuk janë ftuar që të motivohen për të fituar ftesë në të ardhmen”, ka deklaruar Dajaku.

Mesfushori aktual i Ferizajt e ka kujtuar edhe grumbullimin që e kishte në kohën kur përzgjedhës ishte Edmond Rugova dhe Kosova nuk ishte e pranuar në arenën ndërkombëtare. “Mbaj në mend se në vitin 2010 kishim një grumbullim me përfaqësuesen kur selektor ishte Edmond Rugova dhe unë isha i ftuar në atë grumbullim 10 ditor edhe pse në atë kohë nuk ishim të pranuar në UEFA, impakti dhe motivi që më krijoi ajo ndjesia e të ftuarit në përfaqësuese të motivonte pafund për t’u përkushtuar dhe për të punuar edhe më shumë”, ka përfunduar Dajaku.

Ndryshe në ndeshjen e zhvilluar të dielën në Doha të Katarit Kosova pësoi humbje nga Suedia (1-0), por pati paraqitje shumë të mirë.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat kryesore politike në Shqipëri kanë arritur të martën një…