Lojtari më i mirë në La Liga 2, Uzuni: Puna ime sapo ka filluar
Myrto Uzuni është shpërblyer me çmimin e lojtarit më të mirë të La Liga 2 për sezonin 2022/2023. Ylli kuqezi ishte një bomber i vërtetë për ekipin e Granadas, pasi realizoi 23 gola dhe e ndihmoi skuadrën të ngrihej në La Liga, divizionin e parë të Spanjës.
Me një postim në rrjetet sociale, sulmuesi i kombëtares shqiptare u shpreh shumë i lumtur dhe ka theksuar se rrugëtimi i tij sapo ka nisur.
“Shumë i emocionuar për të ndarë këtë arritje me të gjithë ju! Të emërohem lojtari më i mirë në La Liga 2 në Spanjë është një nder i madh për mua. Të jesh golashënuesi më i mirë dhe të ngjitesh në La Liga ishte një ëndërr e realizuar. Tani është koha të punoj shumë dhe të jap maksimumin tim për ta mbajtur këtë ekip aty ku e meriton të jetë, ndër më të mirët në Spanjë. Faleminderit tifozëve të Granada, ju jeni kyç në motivimin tim, shokët e skuadrës, trajnerët dhe familjen time për mbështetjen tuaj të palëkundur. Nuk mbaron këtu, sapo kemi filluar”, ka thënë Uzuni.