Lopez Obrador, presidenti i ri i Meksikës
Në Meksikë, 64-vjeçari i krahut të majtë Andres Manuel Lopez Obrador, i cili e filloi karrierën e tij në politikë dekada më parë, si mbrojtës i të drejtave të banorëve indigjenë, ka fituar zgjedhjet presidenciale të vendit.
Ai ka garuar me platformën e luftës kundër korrupsionit dhe uljes së varfërisë duke fituar mbështetjen e votuesve të irrituar nga partitë tradicionale si ajo e presidentin në largim Enrique Pena Nieto.
Lopez Obrador bëri thirrje të dielën për “marrëdhënie më të mira” me Shtetet e Bashkuara. “Ne do të kërkojmë një marrëdhënie më të mirë me qeverinë amerikane bazuar në miqësi dhe zhvillim, gjithmonë nisur nga respekti i ndërsjellë dhe në mbrojtje të bashkatdhetarëve tanë, emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në atë vend”, ka thënë Obrador.
Duke folur për sfidat e brendshme të Meksikës, Lopez Obrador, ka pohuar se çrrënjosja e korrupsionit dhe e mosndëshkimit do të jetë misioni kryesor i qeverisë së tij dhe ai nuk do të “zhgënjejë” popullin meksikan.
“Unë përsëris premtimin tim për të mos e tradhtuar besimin tuaj të cilin miliona meksikanët kanë vendosur tek unë. Unë do të qeveris me ndershmëri dhe drejtësi, nuk do të dështoj, nuk do t’ju zhgënjej dhe nuk do ta tradhtoj popullin tim”, ka thënë presidenti i ri i Meksikës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përgëzuar për fitoren Obradorin përmes profilit të vet në “Twitter”. “Urime për Andres Manuel Lopez Obrador që do të jetë presidenti i ardhshëm i Meksikës. Mezi pres të punoj me të. Ka shumë gjera që mund të bëjmë në të mirë të Shtetet e Bashkuara dhe Meksikës!”, ka shkruar Trump.
Të dy kundërshtarët e Obradorit në zgjedhjet e së dielës, Jose Antonio Meade, i partisë PRI në pushtet dhe Ricardo Anaya i partisë PAN, i uruan atij suksese për mirëqenien e Meksikës.
Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që fitohen nga partia e Obradorit, Lëvizja Kombëtare e Ringjalljes (MORENA), e cila ka formuar një koalicion me Partinë Laburiste të krahut të majtë dhe Partinë Socialiste të së djathtës. (Voa)