Lordi që merr në mbrojtje territorin dhe racën shqiptare
Sot politika ndërkombëtare duket e përçarë përsa i përket mbrojtjes së çështjes së kombit shqiptar. Por në histori tregohet se ka pasur shumë diplomatë, historianë, deputetë, lordë, ambasadorë nga vende të ndryshme, të cilët e kanë mbrojtur me devotshmëri, si të ishin shqiptarë këtë çështje që nuk është zgjidhur dot kurrë as sot në shekullin XXI. Teksa në shekullin XIX mes miqve të Shqipërisë hynte edhe Anglia. Nisi pikërisht që atëherë interesimi i diplomacisë britanike, i cili do të shfaqej edhe më pas, përmes përpjekjeve të mjaft përfaqësuesve të saj për ngritjen e çështjes shqiptare në arenën botërore. I tillë ishte edhe Lordi Xhorxh Goshen (George Goschen)…
Nga: Lush Susaj
Në letrën e Lordit Goshen, para së gjithash është argumentuar padrejtësia e vendimeve të Traktatit të Berlinit (1876), ndaj popullsisë dhe territoreve shqiptare që ishin akoma të pushtuara e të hedhura në tregun e shpërblimeve dhe kompensimeve që kishte ndërmarrë perandoria pushtuese, kur po përjetonte fundin e një sundimi të llahtarshëm 500-vjeçar në Shqiptari dhe Ballkan. Në këtë dokument përsëri është argumentuar fakti që krijimi, konsolidimi dhe ruajtja e një shteti shqiptar të qëndrueshëm, ka qenë, është dhe do të mbetët një nga projektet politike më të rëndësishme të Evropës.
Në këtë letër, lordi Goshën, ka shkruar: “Kjo racë e lashtë dhe e dalluar e ka parë se kombësia e racave të tjera fqinje po përfiton nga mbrojtja e fuqive të ndryshme evropiane dhe se synimet e tyre janë realizuar me një ekzistencë të pavarur. Ajo e ka parë se bullgarët janë emancipuar krejtësisht në Bullgari dhe pjesërisht në Rumelinë Lindore. Ajo e ka parë që dëshira e flaktë e Evropës është të lirojë nga zgjedha turke territorin e banuar nga grekët. Ajo e ka parë se sllavët në Mal të Zi janë të mbrojtur me ngulm dhe entuziazëm nga perandoria e madhe sllave e veriut. Ajo e ka parë se çështja e Lindjes është e zgjidhur sipas parimit të nacionalitetit dhe se gadishulli Ballkanik po ndahet gradualisht në raca të ndryshme sipas parimit të njëjtë. Ndërkohë, ajo po e sheh se nuk po e trajtojnë njësoj. Nacionaliteti i saj nuk po njihet dhe territori i banuar nga shqiptarët po ndodhet nga ana e veriut në dispozicion të malazezëve, të përkrahur nga Rusia; nga ana e jugut në dispozicion të grekëve të përkrahur nga Franca”.
Goshen është politikani vizionar i shekullit XIX që e mbrojti çështjen shqiptare duke mbështetur edhe qëndrimin e mëparshëm të lordit Ficmoris, të bërë publik përmes letrës që ai i pati dërguar Roreign Office më 22 korrik 1880. Në këtë letër, lordi Ficmoris, bazuar në formimin e tij juridik, pati refuzuar pretendimet serbe në lidhje me prejardhjen e banorëve të Mitrovicës dhe Kosovës. Në lidhje me këtë problem, Ficmoris sqaronte se hartat dhe literatura e përdorur prej tij, dëshmonin për prejardhjen shqiptare e jo sllave të popullsisë së këtyre viseve. Në atë kohë kritike për fatet e vendit (viti 1880), Ficmoris argumentonte faktin se ndonëse në fund të shekullit XVII, një pjesë e madhe e territorit ishte e banuar nga serbët dhe e përfshirë nën mbretërinë e vjetër të Serbisë, (kohë kur shumë shqiptarë u shpronësuan dhe u dëbuan), shumica e popullsisë i përkisnin racës shqiptare.
Në kushtet e reja të krijuara nga shkërmoqja e perandorisë osmane, nëse për të gjitha kombësitë e tjera të rajonit kishte një mbrojtje, një zgjidhje apo një dalje të parashikuar, për shqiptarët po përgatitej zhdukja nga copëtimi dhe gllabërimi i territorit, kombësisë dhe historisë së tyre të lashtë. Në krye të kësaj veprimtarie qëndronte administrata osmane, që synonte përdorimin e popullsisë dhe territoreve shqiptare si mall pa zot, për të shpërblyer dhe kompensuar fqinjët mbi dëmet dhe mëkatet e shkaktuara gjatë sundimit të saj të gjatë në rajon. Gjatë këtij sundimi të tmerrshëm për popullsinë dhe krahinat tona, shqiptarët janë e vetmja racë që u la pa shkollën dhe pa gjuhën e shkruar amtare. Shqiptarët ishin e vetmja racë që më shumë se askush tjetër u masakrua gjatë genocidit të viteve 1385-1481 dhe që më pas, deri në vitin 1912, u përdorën si popullsi baritore dhe si fidanishte jeniçerësh të tërbuar. Për të mos harruar faktin që nën sundimin e gjatë të pushtuesve osmanë, popullsia dhe territori ynë, si asnjë racë dhe etni tjetër, u zvogëlua me mbi 4-5 herë si territor dhe popullsi. Kjo mjafton për të kuptuar situatën e atëhershme dhe rolin asimilues e shkombëtarizues të administratës osmane dhe të pashallarëve shqiptarë, që i shërbyen për më shumë se katër shekuj pushtuesve osman.
Duke e parë në kontekstin e kohës, duket se lordi Goshën dhe bashkëpunëtorët e tij kanë qenë jo vetëm vlerësues neutralë dhe të sinqertë, por dhe mbrojtësit e drejtpërdrejtë e të vendosur të projektit evropian për një shtet të pavarur dhe një Shqipëri të fortë në Ballkan. Kjo kuptohet në çdo fjalë dhe rresht të letrës së datës 26 korrik 1880, ku lordi Goshen shkruante: “Nëse formohet një Shqipëri e fortë, motivet për një okupim nga ndonjë fuqi e huaj do të zhdukeshin në rast se Perandoria Osmane shpërbëhet. Një Shqipëri e bashkuar do ta bllokonte rrugën në veri dhe do ta mbante Gadishullin Ballkanik në duart dhe nën autoritetin e atyre që banojnë aty. Përndryshe, forca e shqiptarëve paraqet një vështirësi të pakalueshme në momentin kur trazirat do të ndodhin. Një popullatë me shumicë myslimane, do të ishte një burim i vështirësive të shumta për regjionet sllave apo greke që janë përreth. Konsideroj që ngjashmëria e ndërhyrjeve evropiane në Gadishullin Ballkanik do të zvogëlohej në përpjesëtim me ndërtimin e kombësisë shqiptarë”.
Lordi Goshën dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt në qeverinë angleze dhe në qeveritë e vendeve të tjera të Evropës, rreth 135 vjet më parë, e kanë kuptuar dhe interpretuar drejt procesin tonë historik. Kjo duket në faktin se si e kanë interpretuar, vlerësuar dhe dashur ekzistencën e popullsisë myslimane dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri, duke i konsideruar myslimanët shqiptarë si faktor jetik të ekzistencës dhe të mundësisë së zhvillimit ekonomik, kulturor e shoqëror të vendit. Për më tepër, 135 vjet më parë, lordët anglez e kanë prezantuar dhe lartësuar këtë realitet duke e konsideruar si një faktor të rëndësishëm të rritjes së rezistencës ndaj asimilimit dhe pushtimeve të natyrave të ndryshme, shpeshherë të kamufluara me ngjyrat fetare, ekonomike, etnike, politike apo ushtarake.
Në një letër dërgesë drejtuar Lordit Granville, më 26 korrik 1880, ambasadori Goshen qëndrimin e tij politik e mbështeste në dy koncepte, të cilat i konsideronte fondamentale: korrektësia apo drejtësia në një anë dhe interesi apo real-politika, në anën tjetër. Në anën e korrektësisë, ai vinte në pah se “lëvizja shqiptare është krejtësisht e natyrshme. Një racë po aq e lashtë dhe e veçantë sa e të gjithë të tjerëve që i rrethojnë, ata kanë parë kombësitë e këtyre racave fqinje të merren nën mbrojtjen e fuqive të ndryshme evropiane për një qenësi më të pavarur… Në ndërkohë, ata po shohin se atyre nuk po u bëhet trajtim i njëjtë. Kombësia e tyre po injorohet dhe territori i banuar me shqiptarë po u jepet në veri malazezëve, kurse në jug Greqisë”.
Ai pastaj i qasej argumentit nga këndi i leverdisë gjeopolitike. “Kombësia shqiptare”, këmbëngulte ai, “është një element që nuk duhet nënçmuar në çfarëdo kombinimesh të ardhshme politike. Nëse do të formohet një Shqipëri e fortë, arsyetimi për pushtim nga një fuqi e huaj në rast të shpërbërjes së Perandorisë Otomane do ishte dukshëm i dobët. Një Shqipëri e bashkuar do të parandalonte depërtimet e mëtejme në veri dhe Siujdhesa Ballkanike do të mbetej në duart dhe nën kontrollin e racave, të cilat tani e banojnë atë… Konsideroj se në përpjesëtim me mundësinë e krijimit të kombësisë shqiptare, mundësia e intervenimit evropian në Siujdhesën Ballkanike do të venitej”.
Britania e Madhe dhe Fuqitë e tjera, edhe pse nuk e përkrahën zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, tani nuk mund ta mohonin atë. pasi që problemi shqiptar tanimë zinte një vend të konsiderueshëm në raportet e konsujve dhe përfaqësuesve të tjerë diplomatikë nga Shqipëria dhe rajoni të cilët u raportonin qeverive të veta. Raporte me interes të posaçëm për fuqitë evropiane ishin sidomos ato për zhvillimet luftarake të forcave të Lidhjes kundër forcave malazeze, ku shihej një organizim i mirëfilltë ushtarak i forcave të Lidhjes, të cilat nuk lejonin forcat malazeze të aneksonin pjesë të territorit shqiptar. Interesimi i diplomacisë britanike ishte shfaqur edhe në gatishmërinë e diplomatëve britanikë për të pritur delegacionin e LSHP të përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni. Ky delegacion kishte arritur në Londër më 8 maj 1879, pas një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm.
Shpresa e diplomatëve shqiptarë ishte e mbështetur në idenë se Britania e Madhe duke përkrahur Perandorinë Osmane në ruajtjen e zotërimeve të saj, indirekt do të pengonte edhe copëtimin e viseve shqiptare, me ç’rast do të ruhej edhe integriteti i territoreve shqiptare. Në Britani kishte një literaturë të pasur rreth historisë, gjeografisë, etnografisë së Shqipërisë së shek. XIX. Por opinioni publik anglez kishte shumë pak njohuri rreth çështjes shqiptare si problem aktual politik, si pjesë përbërëse e Çështjes së Lindjes. Megjithatë, Ministria e Jashtme Britanike kishte filluar të jetë më aktive dhe t’i drejtonte sytë nga pjesa perëndimore e Gadishullit Ballkanik. Për diplomacinë britanike, çështja shqiptare nuk përbënte ndonjë interes të posaçëm. Por ajo ishte e lidhur me një çështje tjetër të rëndësishme që prekte politikën e saj të përgjithshme në Evropën Juglindore. Britania e Madhe donte t’i siguronte stabilitetin “dashnores” së saj, siç e cilësonin me ironi vetë anglezët, Perandorinë Osmane. Shpresa e diplomatëve shqiptarë ishte e mbështetur në idenë se Britania e Madhe duke përkrahur Perandorinë Osmane në ruajtjen e zotërimeve të saj, indirekt do të pengonte edhe copëtimin e viseve shqiptare, me ç’rast do të ruhej edhe integriteti i territoreve shqiptare.