Lorenzo i bashkohet Hondas
Muajt e verës janë periudha ideale për të finalizuar goditje të bujshme në tregun futbollistik evropian, por starti i këtij qershori rezervoi edhe një manovër të bukur në një kategori që verën nuk e njeh si periudhë ndryshimi.
Jorge Lorenzo e ka kthyer në zyrtare “flirtin” e tij me skuadrën e Hondës, duke iu bashkuar ekipit japonez për sezonin e ardhshëm. Marrëveshja në fjalë u paralajmërua në fundin e garës në Mugello, aty ku ishte pikërisht Lorenzo që fitoi Çmimin e Madh të Italisë. Numri 99 nuk priti të mbaronte festa, për t’i shfaqur pakënaqësitë e tij me Ducatin, fajtor që nuk i kishte besuar në çastet e vështira.
Kështu, Lorenzo vendosi t’i zgjedhë japonezët. Honda nga ana e saj nuk mund ta shpërdoronte mundësinë për të krijuar një skuadër ëndrrash, një “Dream Team” i kompletuar nga Marc Marquez për vitin 2019. Firma e mbuluar nga milionat i garanton Lorenzos një pagë të majme për dy vjet.
Spanjolli merr kështu vendin e Daniel Pedrosës, që mbyll raportin e gjatë prej 18 vjetësh me skuadrën japoneze.