Lorenzo rikthehet te Yamaha
Vetëm një muaj pasi deklaroi se do të largohej përgjithmonë nga sporti, piloti spanjoll Jorge Lorenzo ka bërë prapakthehu.
Jo vetëm kaq, por pas 3 sezonesh zhgënjyese, dy te Ducati dhe një te Honda, 5 herë kampioni i botës në Moto GP ka vendosur të rikthehet te Yamaha, motori ku bëri emër e fitoi gjithçka.
Lorenzo, 33-vjeçar, do ta luajë detyrën e pilotit kolaudator te motori ku triumfoi para se të largohej pas polemikave me Valentino Rossin. Këtë herë Lorenzo do ta ndihmojë “armikun” e vjetër dhe jo vetëm, pasi ai do të japë informacione për motorin e ri Yamaha.
Jorge Lorenzo do të jetë i pranishëm në testet që Yamaha do të kryejë në shkurt (në pistën e Sepang) bashkë me dy pilotë e saj zyrtarë, Valentino Rossin dhe Maverick Vinales. Madje ka gjasa që në ndonjë garë Lorenzo të jetë në pistë me “wild card” në rast se mungojnë pilotët zyrtarë.