Loriana Kuka e artë në Uzbekistan
Loriana Kuka ka vazhduar suksesin e ekipit të xhudos në Grand Prixin e xhudos, që po mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.
Xhudistja Kuka e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 78 kilogramë, duke çuar në katër numrin e medaljeve të fituara nga xhudistet e Kosovës, prej tyre tri të arta dhe një e argjendtë. Një sukses i tillë nuk ishte arritur asnjëherë më parë.
Majlinda Kelmendi (-52 kg), Distria Krasniqi (-48 kg) fituan të premten të artën, ndërsa Nora Gjakova (-57 kg) të argjendtën.
Kampionia e Evropës U-23, Loriana Kuka, fitoi të artën, pasi në finale mposhti austriaken Bernadette Graf. Në përgjithësi, Kuka shënoi katër fitore, të gjitha me Ippon dhe një pa luftë.Ky sukses, që vjen një javë pas shpalljes kampione e Evropës U-23, i sjell Lorianës 700 pikë Olimpike, për të vazhduar suksesshëm garën për normën Olimpike “Tokyo 2020”.