Lorik Boshnjaku i Suharekës, ‘Ylli i javës’ në Superligë
Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 16-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Suharekës, Lorik Boshnjakut.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Agim Maliqit, Blerim Haxhollit dhe Besim Slishanit. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e gjashtëmbëdhjetë t’i takojë Lorik Boshnjakut, i cili, përveç se ishte truri i mesfushës në përballje me KF Llapi, shënoi edhe golin e katërt në mënyrë maestrale për skuadrën e tij, duke siguruar fitoren 4:0 dhe duke arkëtuar 3 pikë të reja për FC Suharekën.
Pasi mori këtë çmim, Boshnjaku u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ka qenë ndeshja më e fortë e kësaj jave, pavarësisht rezultateve që kemi pasur të dyja ekipet, por kjo u cilësua si ndeshje derbi. Ndeshja doli më e lehtë se sa kishim menduar, megjithatë e rëndësishme ishte të fitonim 3 pikët për të qenë më komodë. Qëllimi i Suharekës është që të kemi sa më shumë rezultate pozitive, pasi jemi një klub i ri me ambicie të mëdha. Shpresojmë që këtë vit të jemi të paktën në Evropë dhe t’ia shpërblejmë kryesisë mundin dhe organizimin. Ndjehem i vlerësuar nga Federata e Futbollit dhe dua t’i falënderoj bashkëlojtarët dhe stafin teknik, sepse edhe ata kanë meritat e tyre”.