Lorik Cana, emërohet anëtar i ri i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB
Futbollisti i njohur shqiptar, Lorik Cana, është emëruar anëtar i ri i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB.
Me këtë rast rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, i uroi mirëseardhje Canës, duke shtuar se prezenca e tij tash e tutje në Kolegjin AAB do t’ i ndihmojë këtij institucioni në shumë vendime të rëndësishme që do të pasojnë në të ardhmen.
“Ky vendim i marrur nga Kolegji AAB nuk ka ardhur rastësisht, por, në shenjë të respektit dhe punës tënde si sportist i suksesshëm tash e sa vite, mbi të gjitha për vlerat e tua. Realisht, prezenca juaj brenda Kolegjit AAB, na jep mundësi që ne të diskutojmë shumë ide të domosdoshme”, tha rektori Tafa.
Lorik Cana, tashmë, anëtar i ri i Këshillit Drejtues të Kolegjit AAB, shprehu mirënjohje të ngrohta për këtë vendim. “Numri kaq i madh i studentëve që posedon Kolegji AAB nuk është bërë rastësisht. Kjo tregon një ecuri, një seriozitet dhe besueshmëri që AAB ka si institucion. Është kënaqësi dhe nder të jemi prezent me juve”, tha Cana.
Këshilli Drejtues i Kolegjit AAB, mbledh rreth vetes profesionistë të të gjitha fushave, ndërsa emërimi i Lorik Canës, do të mbulojë edhe fushën e sportit, pas kalimit në amshim të ish-anëtarit të KD, Fadil Vokrri, tashmë anëtar nderi i Këshillit Drejtues të AAB. Me këtë rast, Cana u shpreh se të jesh në vendin e një njeriut të madh siç ka qenë Fadil Vokrri është një përgjegjësi.
“Do të mundohem aq sa mundem ta zëvendësoj, të them realisht për shtetin e Kosovës është e vështirë ta zëvendësosh Fadilin si person, absolutisht do të mundohem të adaptohem sa më shumë nga pikëpamja e shtrirjes së nevojave si anëtar i ri i këtij këshilli. Jam këtu i hapur për çdo gjë”, përfundoi Lorik Cana. Sipas Statutit të Kolegjit AAB, Këshilli Drejtues është organi më i lartë drejtues i Kolegjit AAB.