LRGEJL bën thirrje për zgjedhje të lira më 25 prill në Shqipëri
Lobi Rajonal i Grave të Evropës Juglindore (LRGEJL) ka njoftuar përmes një komunikate për media se është duke ndjekur me kujdes garën e grave e vajzave kandidate për deputete të Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë më 25 prill.
Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë përfshin nene dhe sanksione të rëndësishme për pjesëmarrjen e grave shqiptare në politikë, bazuar në Ligjin e Barazisë Gjinore në Shoqëri dhe kërkesave të vazhdueshme të grave në Parlament dhe organizatave të grave për të forcuar këtë kod.
“Përfaqësimi në rritje i grave e vajzave shqiptare në parlament, në gjithë këto vite, qysh kur Ligji i Barazisë gjinore hyri në fuqi, ka bërë që çështjet e barazisë gjinore dhe të drejtat e grave të përfshihen e të forcohen në legjislacion për të mbrojtur më mirë gratë e vajzat shqiptare dhe për të përparuar çështjet e barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare. Gratë e vajzat deputete kanë iniciiuar nisma ligjore mjaft të rëndësishme që lidhen me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave”, thuhet në komunikatën e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore (LRGEJL).
LRGEJL i bën thirrje popullit shqiptar të mbështesë gratë e vajzat kandidate në këto zgjedhje, sepse, sipas këtij lobi, ato do të mbrojnë më mirë të drejtat e grave shqiptare.
“Kemi besim se do t’i përfaqësojnë ato denjësisht në Kuvendin e Shqipërisë. LRGEJL inkurajon qytetarët për një pjesëmarrje aktive dhe të informuar në këto zgjedhje. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionerëve të qendrave të votimit dhe numëruesve iu bëjmë thirrje që të organizojnë një proces zgjedhor model, të lirë, të drejtë e demokratik dhe sipas standardeve ndërkombëtare. Partive politike në këto ditë të fundit të fushatës elektorale, iu bëjmë thirrje të heqin dorë nga gjuha e urrejtjes dhe fjalorit jo etik e të përpiqen më shumë të flasin rreth programeve të tyre dhe se çfarë do të sjellin në katër vitet e ardhshme, veçanërisht për gratë e vajzat. Gjithashtu kërkojmë që partitë politike të organizojnë zgjedhje të lira e të ndershme e të mos iu bëjnë presion qytetarëve. Së fundmi, inkurajojmë të gjitha gratë e vajzat kandidate që të mbyllin me sukses fushatën elektorale dhe të raportojnë nëse ndihen të kërcënuara apo diskriminuara në institucionet përkatëse monitoruese e ligjzbatuese”, është thënë në komunikatën e Lobit Rajonal të Grave të Evropës Juglindore.