Luan në Ligën e Kampionëve, klubi italian e do në formë huazimi Kristjan Asllanin
Kristjan Asllani nuk do të mund të luajë titullar fiks te Interi për sa kohë në radhët e këtij klubi gjendet Hakan Çalhanollu dhe kjo duket se po shtyn shumë skuadra të tjera të tentojnë afrimin e mesfushorit shqiptar.
Një prej tyre, raportohet se është Bologna, e cila kërkon përforcime për pjesën e dytë të sezonit ku do të tentojë t’i afrohet përsëri zonës së Ligës së Kampioneve, në të cilën po luan në këtë edicion.
Gazeta e qytetit të Bolognas, “il Resto Del Carlino”, ka bërë të ditur se klubi ka piketuar Asllanin si një prej përforcimeve për pjesën e dytë të sezonit.
Kuptohet, që lojtarit i ofrohet mundësia që të luajë titullar në radhët e kësaj skuadre.
Por edhe te Bologna janë të ndërgjegjshëm se do të jetë e vështirë të shkëputet mesfushori shqiptar nga klubi ku ai mbetet një alternativë e rëndësishme për trajnerin Inzagi në luftën drejt mbrojtjes së titullit dhe një ecurie të suksesshme në Ligën e Kampioneve.