“Luanët e tastierës”, si shpjegohet agresioni që fshihet pas një ekrani
Nga Elena Bernabè
“Urrejtësit e mëdhenj synojnë veten e tyre. Ata sëmuren nga urrejtja. I drejtojnë armën dikujt, që të mos ia drejtojnë atë vetes”
Edoardo Albinati, Kronikë e një mendimi famëkeq, 2018
Quhen “luanët e tastierës ”, dhe këtu përfshihen të gjithë njerëzit që kanë një qëndrim fyes ndaj përdoruesve të tjerë apo lajmeve në rrjet. Në realitet, të gjithëve na ndodh të jemi “luanë të tastierës” kur veprojmë në mënyrë agresive, polemike ose ofenduese, në telefon ose kompjuter, në dhomat e bisedave, në mediat sociale apo duke komentuar lajmet e gazetave.
Ekrani heq të gjitha kufizimet dhe frenimet, dhe fjalitë që ne nuk jemi në gjendje t’i shqiptojmë drejtpërdrejt, shkruhen dhe publikohen lehtësisht duke lënduar të tjerët, duke krijuar pakënaqësi, duke krijuar hapësirë për dinamika sociale shkatërruese.
Kjo fshehje pas telefonave dhe kompjuterëve e lejon agresionin tonë më primitiv (dhe rrjedhimisht shkatërrues) të veprojë i patrazuar dhe të shkaktojë dëme të mëdha. Dhe kjo vlen si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, të cilët hyjnë në këtë botë virtuale pa mbrojtjen e duhur për të përballuar situatën.
Si gjithmonë e kemi kaluar kufirin përtej të cilit teknologjia kthehet nga konstruktive në shkatërruese. Tastiera dhe rrjetet sociale po i privojnë qeniet njerëzore nga humanizmi, dhe të zbrazësh në rrjetet sociale gjykimet burracake dhe të vrazhda është më e lehtë se kurrë më parë.
Është njëlloj si të hedhësh gurin dhe të fshehësh dorën, të shtireni sikur jeni si baballarë të mirë dhe profesionistë pa asnjë të metë, dhe më pas të shndërroheni në mbjellës të ligësisë nëinternet. Është e lehtë të kritikosh, të gjykosh, të shprehësh pakënaqësinë tënde, sidomos nëse nuk ke një përballje të drejtpërdrejtë personale.
Nga ky këndvështrim, interneti është kthyer në një kontejner të madh për ankesa, kritika, komente të shkruara me nxitim dhe në mënyrë shumë sipërfaqësore. Mjerisht edhe shumë gazetarë po shkruajnë në këtë mënyrë. Cilido që e lë veten të ndikohet dhe të mbingarkohet nga kjo botë virtuale përballet me rreziqe të mëdha:shëndetësore, emocionale dhe tëmirëqenies në përgjithësi.
Në fakt, ne jemi gjithnjë e më shumë të detyruar të përballemi me këtë mënyrë komunikimi (për shembull për punën) dhe në rast se nuk jemi të vetëdijshëm se si e përdorim teknologjinë, rrezikojmë të bëhemi skllevër të saj. Ndaj duhet të përpiqemi të mbrojmë veten dhe veçanërisht fëmijët nga ky përdorim jo i shëndetshëm i mjeteve të komunikimit.
“Luanët e tastierës” vetëm sa nxjerrin në pah një mekanizëm relacional jofunksional që konsiderohet normal në ditët e sotme: kërkimi i ndërmjetësimit të një makinerie për të bashkëvepruar me një qenie tjetër njerëzore, nuk është një evolucion.
Teknologjia mund të na ndihmojë me një shkëmbim të thjeshtë informacioni, mund të shpejtojë burokracinë, të lehtësojë jetën e përditshme, por s’mund të zëvendësojë marrëdhëniet njerëzore! Prandaj duhet të jemi në gjendje ta transformojmë atë në një mbështetje të mirë për marrëdhënien tonë sociale, dhe duhet ta edukojmë veten dhe gjeneratat e reja për një përdorim të shëndetshëm të mjeteve teknologjike të komunikimit. Deri atëherë nuk do duhet të lidhemi përmes tastierës (pra një marrëdhënie e thellë dhe pasurimin e shkëmbimit ndërmjet individualiteteve). Ajo që lipset është një kulturë civilizuese online, qëmëson në shkollë respektin për të tjerët dhe ndaj dinjitetit të njerëzve që jetojnë në anën tjetër të tastierës. Një lloj edukimi qytetar 2.0 i cili aktualisht mungon shumë.
Po si mund të zbuten “luanët e tastierës”?
Siç e përmenda që në fillim, “luanët e tastierës” jemi të gjithë ne sa herë që shkruajmë polemika, kritika, ofendime, fyerje në rrjetet sociale ose në bisedat në grup. Kur ndjejmë dëshirën e papërmbajtshme për ta thënë mendimin tonë me arrogancë, për t’i mbyllur gojën atij tjetrit, për të thënë në mënyrë brutale se çfarë nuk shkon.
Është disi e njëjta gjë kur zemërohemi dhe duam që të thyejmë gjithçka që ndodhet rreth nesh për të shfryrë dufin. Është nevoja për reaguar menjëherë për të shprehur emocionet tona. Por nëse do të përpiqemi të qëndrojmë të qetë, në heshtje dhe të presim që emocioni të ndjekërrjedhën e tij, do të kuptojmë se ajo që kemi dashur të bëjmë, të themi apo të shkruajmë nuk është më aq e rëndësishme.
Sepse mendimet tona kanë marrë një formë tjetër, në krahasim me pak kohë më parë. Zemërimi ka kaluar, duke i lënë vendin një reflektimi të brendshëm që i ka kuptuar si duhet gjërat, dhe që ka zgjedhur rrugë të reja. Gjithçka është më e qartë, dhe dëshira jonë e madhe për të shkruar atë që patëm ndërmend me siguri që nuk do të kishte ndihmuar.
Kur ndodh diçka që na bezdis, rruga më konstruktive që duhet ndjekur është të mbetemi vetvetja, të dëgjojmë mendimet tona, të mos ua zbulojmë ato të tjerëve para kohe. Përkundrazi duhet t’i bëjmë me dije vetëm pasi t’i kemi përpunuar si duhet. Problemi është se ne nuk jemi mësuar të ndalemi:preferojmë që të veprojmë, me çfarëdolloj veprimi.
“Interneti ka krijuar forma të reja marrëdhëniesh. Njerëzit janë bërë më narcisistë. Interneti ofron mundësinë për ta vënë veten në qendër të vëmendjes, dhe madje edhe për të marrë pjesë aktive në fushata shpifëse kundër të tjerëve. Ky lloj narcisizmi, dikur një lloj domeni vetëm i fisnikëve dhe i të plotfuqishmëve, është përhapur me internetin shumë shpejt dhe në mbarë botën. Me arrogancën e individit, i cili ndihet unik dhe i fuqishëm falë rrjetit, shoqëria e rrjetëzuar është bërë çnjerëzore”.
Reinhold Messner, Jeta sipas meje, 2014
Në këtë pikë duhet të pyesim veten: Çfarë marrëdhëniesh duam të krijojmë? Dhe pastaj rruga që duhet të ndjekim do të bëhet shumë e qartë. / “Eticamente” – Bota.al