Luanin futboll, faleshin në xhami, shitnin fidanë dhe kafe, u arrestuan
Disa të arrestuar dhe disa në procedurë të rregullt për shkak se nuk e kanë respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. 21 persona janë arrestuar në fshatin Gexhë të Rahovecit pasi që të njëjtët janë takuar në palestrën e sportit, disa duke luajtur me top dhe disa shikues të cilët nuk kanë respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. Me vendim të prokurorit, tetëmbëdhjetë janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar. Sipas raportit të djeshëm të policisë, në xhaminë e fshatit Lluzhan të Podujevës është mbajtur ceremonia e namazit të drekës, ku i dyshuari nuk ka respektuar masat e ndërmarra për mbrojtje nga epidemia. I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. E në fshatin Xërxë të Rahovecit njësiti policor gjatë patrullimit ka takuar të dyshuarin i cili ishte duke shitur fidanë për sera. I njëjti është shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt. Ndërsa, për hapje e lokaleve dhe shërbim të kafeve nga dritarja është raportuar për një rast në Podujevë, tri në Lipjan, një në Istog, një në Vushtrri.