Lubonja: Nuk e kuptova pse Kurti e bëri figurantin e Ramës
Analisti politik Fatos Lubonja tha se mbledhja e dy qeverive, Kosovës dhe Shqipërisë, nuk prodhoi asgjë përmbajtjesore, përveçse një shou.
Derisa thotë se kryeministrin e Shqipërisë e njohin si një njeri të shout, ai thotë se nuk e kupton kryeministrin e Kosovës që u përfshi në këtë shfaqje.
“Shou që e kemi parë edhe herëve të tjera, shou patriotizmi. Edi Ramën që e njohim më mirë ne këndej, e kuptojmë që ai është në terrenin e vet, sepse përgjithësisht ai është i shoqërisë së spektaklit. Por, nuk e mora e vesh se pse kishte hyrë me bë rolin e një figuranti të shout të Ramës Albin Kurti atje”, ka thënë Lubonja në KTV.
Lubonja thotë se ky spektakël u përgatit nga vetë Edi Rama pas akuzave që iu bënë atij në Kosovë pas marrëveshjeve të nënshkruara me presidentin e Serbisë në kuadër të Ballkanit të Hapur.
“Një spektakël i përgatitur nga Edi Rama për t’u rishfaqur në Kosovë me një gjuhë patriotike, përbashkuese pas akuzave që pati jo vetëm në Kosovë nga Qeveria e Kurtit, por edhe në Shqipëri sa i përket Open Balkan, marrëveshjeve të vëllazërisë së tij me Vuçiqin”.
Analisti nga Shqipëria tha se të gjitha këto kanë ndikuar që të përgatisë këtë spektakël ku u shfaq si një njëri i Bashkimit Kombëtar.
“Në këtë rast u kthyem te shou, te gjuha – që sidomos e përdorim përbrenda – gjuha nacionaliste, gjuha e bashkimit, gjuha e UÇK-së e të gjitha me radhë”.
Lubonja tha se ngjarja e djeshme ishte spektakël që e mbulon realitetin, realitet të cilin ai e cilësoi si shumë të trishtuar.
Ai këtu shpalosi edhe mendimin e tij për Kurtin si kryeministër.
“Unë Albin Kurtin e kam parë si shpresë për botën shqiptare, jo aq shumë për atë që mund të na bashkojë, por për një arsye tjetër më konkrete – për ato premtime që ka bërë për të çliruar Kosovën nga shteti i kapur. Në njëfarë mënyre kam imazhin e Albin Kurtit që ka dashur të sjellë Vetëvendosjen këtu që mund të bëhet një model në Kosovë që të na ndihmojë edhe neve të çlirohemi nga shteti i kapur i Ramës”.