“Lufra” dhe “Erzeni” vunë në treg qumësht kancerogjen

28 prill 2025 | 13:43

Përveç mishit me salmonelë dhe luleshtrydheve me pesticide, shqiptarët kanë konsumuar edhe qumësht me aflatoksinë, një substancë e rrezikshme dhe kancerogjene e zbuluar në disa mostra të qumështit të tregtuar për konsum, shkruan “JOQ Albania”, përcjellë Paparaci.
Nga kontrollet e kryera në territorin e Vlorës, AKU ka zbuluar se produktet e kontaminuara i përkasin dy prej markave më të njohura në vend: Lufra dhe Erzeni.
Nga 26 mostra të marra nga janari deri në prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive dhe sipas specialistëve 40% e qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore.
Aflatoksina është një toksinë e krijuar nga myku që rritet tek drithërat, misri dhe gruri. Kur lopët ushqehen me foragjere të kontaminuara aflatoksinë sekretohet më pas te qumështi që prodhojnë. Konsumimi i qumështit me aflatoksinë ka pasoja të rënda në shëndetin e njeriut. Sipas OBSH-së aflatoksinë është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi njëkohësisht dhe të veshkave.
Kjo substancë është e njohur për efektet e saj kancerogjene dhe gjenotoksike, veçanërisht të rrezikshme për fëmijët dhe konsumatorët e rregullt të qumështit.
Sasia e kontaminuar është tërhequr menjëherë nga tregu në dy pika shitjeje, ndërsa AKU po vijon kontrollet në terren për të gjurmuar origjinën e ndotjes dhe për të parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të produktit.
Ky zbulim ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët, pasi skandalet ushqimore sa vijnë dhe shtohen dhe institucionet përgjegjëse në vend që të marrin masa e të mbajnë përgjegjësi, heshtin dhe merren me fushatën e zgjedhjeve.

https://paparaci.com/505422/lufra-dhe-erzeni-vune-ne-treg-qumesht-kancerogjen/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka ndryshuar qëndrim sa…