Lufta çlirimtare e shqiptarëve dhe Haga
(Tri çështje për kundërvënie)
Prof. dr. Emin Kabashi, Instituti Albanologjik i Prishtinës / Këshilltar shkencor
Në Kosovë, nga viti 1997 e deri në qershor të vitit 1999 është zhvilluar luftë e armatosur kundër pushtuesit serb. Në Kosovë, janë vrarë, masakruar dhe djegur popullatë civile, e pa mbrojtur, e pa armatosur, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Në Kosovë janë vrarë edhe ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, por ata janë Dëshmorë të Kombit, deshi apo nuk deshi kushdo qoftë, që nga Kosova, Tirana dhe Evropa.
Të tjerët janë viktima të gjenocidit serb, të cilin, po ashtu, nuk është me rëndësi e pranon Serbia, Evropa, apo kushdo tjetër, sepse këto janë fakte historike.
Kjo është jeta historike e popullit shqiptar të Kosovës, i cili, në vitin 2008 e ka shpallur Pavarësinë e Kosovës, të kësaj pjese të atdheut tonë, Shqipërisë, e cila i ishte dhënë Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913. Pjesë të tjera i janë dhënë Maqedonisë së sotme të Veriut, Malit të Zi të sotëm dhe Greqisë.
Megjithatë, që nga Lufta e Dytë Botërore na kanë mjaftuar gjysmat, ashtu siç na i lanë të tjerët, qendrat e vendosjes në Evropë. Pas çlirimit të Kosovës, një herë të vetme, guxuan Sali Berisha, Hashim Thaçi dhe Ali Ahmeti dhe e kanë përmendur bashkimin kombëtare në Shkup. Vetëm njëherë. U hallakat Evropa, më keq se nga Korona Virusi 19, e morën vrap e në Beograd për ta bindur Serbinë, se nuk do të krijohet Shqipëria e Madhe, siç thonë serbët sa herë kanë frikë nga liria e shqiptarëve. Vrapoi Evropa ta qetësonte Serbinë, duke u thënë të mos kishin frikë, se ne i rregullojmë shqiptarët. Kurrë më, as ata, më vonë as Albin Kurti nuk e zunë në gojë bashkimin kombëtar.
Kurse procesin e madh historik të bashkimit kombëtar e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të bëhet një ditë, deshi apo nuk deshi Evropa, deshën apo nuk deshën shqiptarët e politikës së ditës.
Se çka ka ndodhur me shqiptarët dhe tokat e tyre dihet tashti më.
Historiografia shqiptare, më parë në Tiranë, pastaj edhe në Prishtinë dhe në Shkup i ka trajtuar dhe i ka studiuar rrethanat historike, në të cilat është bërë copëtimi i gjeografisë sonë kombëtare. Po askush, as atëherë, as sot nuk ka thënë se jemi kundër Evropës. Jemi vetëm kundër padrejtësive, sidomos kundër padrejtësive historike, nga kushdo që vijnë.
Mirëpo, vite pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, nën ndikimin e fuqishëm të Rusisë dhe të Serbisë, së bashku me vende dhe shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, kishin filluar të përgatisnin terren për krijimin e një gjykate për krimet e luftës, që i paskan bërë shqiptarët.
Për çudi, në të gjitha shkrimet që merren me këtë temë, së pari akuzohet Dik Marti, një eurodeputet, i cili ka hartuar një raport me këtë titull: ‘‘Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi kundërligjor i organeve njerëzore në Kosovë’’, raport për gjoja krimet që paskan bërë luftëtarët shqiptarë. Ka përmendur emra luftëtarësh, që sipas tij, paskan bërë tregti me organet e njerëzve, kryesisht serb, po edhe ndonjë shqipfolës, që ishte bërë argat i dreqit, siç i quante Adem Demaçi.
Karla Del Ponte, pasi kryen mandatin e prokurores së shumëpaguar në Gjykatën e Hagës për krimet e ish-Jugosllavisë, ku nuk kishte harruar të akuzonte edhe shqiptarë, të gjithë luftëtarë të lirisë, edhe pse ish-Jugosllavia nuk ekzistonte më, edhe pse shqiptarët nuk ishin më pjesë e atij shteti artificial.
Mund të merret me mend, se Evropa u trondit nga themelet, veç që nuk thanë publikisht, se si është e mundur t’i kemi ndihmuar do shqiptarë që paskan qenë kriminel lufte. Nga kjo tronditje, Evropa e thirri Këshillin e Evropës dhe ai nxori një rezolutë, ku u thuhej shqiptarëve, ose mblidhni mend, ose nuk jemi me ju. Si çdo shtet fëmijë, edhe Kosova, u frikësua, andaj lëshoi pe, edhe kur i kërkuan ta formojë një gjykatë speciale, që do të jetë e Kosovës, por me seli në Hagë, se po i frikësoni dhe po i vrisni dëshmitarët e mbrojtur, Kosova mbeti sa një grusht dhe u dorëzua.
Kështu pra, dhe gjykimi fillon nga kreu i kësaj ushtrie, pra janë ftuar dhe janë marrë, deri tashti, disa nga krerët e udhëheqjes së luftës çlirimtare. Do të thotë, në një aktakuzë të përbashkët, gjykohen anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si një grup i bashkuar kriminal.
Pra, këtu është prishur parimi i fajeve, mëkateve individuale, por pasi ishte luftë, ato qenkan krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, se ata serbët e vrarë, po edhe ata shqiptarët e Dik Martit e të Këshillit të Evropës, qenkan njerëz, andaj krimi është kundër njerëzimit, për të cilin na kanë mbushur kokën të gjithë evropianët, andaj edhe kjo gjykatë që selinë e ka në Hagë, edhe pse është e Kosovës, e themeluar me ligje të Kosovës, por ligje që nuk respektohen askund, duhet të gjykojë dhe t’i dënojë kriminelët.
Do të thotë, nuk gjykohen individët, por struktura udhëheqëse e luftës, gjë që nuk ka ndodhur me gjykimet në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, ku janë gjykuar e janë dënuar sa për të thënë, disa serbë, secili veç e veç, për rolin e tyre komandues që kishin pasur.
Në një varg shkrimesh te ne, qoftë në mjetet e informimit, por edhe në botime të veçanta (Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i madh, Prishtinë, 2015), Kudusi Lama, mbi tridhjetë vazhdime, Analizë e veprës së Dik Martit, Epoka e re, 2020), si dhe ndonjë shkrim tjetër, i janë nxjerrë të palarat këtij Dik Martit. Mendoj se Dik Marti ka kryer vetëm detyrën që i kishin dhënë, kurse shpërblimet që i kanë dhënë ata që ia kanë dërguar materialet inkriminuese, i paçin bërë mirë. Por, nuk e di, si do të dëshmojnë ata 200 e sa dëshmitar të Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, nëse nuk kanë emra dhe mbierma, siç ka ndodhur rasti me furrën e gëlqeres në Kleçkë, që e kishin quajtur krematorium, kur as fëmijës serb, as nënës serbe, as gjyshes serbe, po as atyre 100 serbëve të vrarë, askush nuk ua dinte emrin dhe mbiemrin, përveç nëse emrat dhe mbiemrat e tyre i dinë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, gjykimi i të cilëve ka filluar, dhe në aktakuzën e tyre shkruan se janë 100 serbë që i paskan vrarë këta luftëtarë të lirisë së Kosovës.
Por, as Karla Del Ponto, as Dik Marti, as Gjykata speciale në Hagë, nuk do të mund të organizonin këto gjykime, as t’i gjenin 200 e sa dëshmitarë, serbë, shqiptarë, ndoshta katolik, pasi këta kishin vrarë vetëm shqiptarë katolik, e komunitete të tjera, pa Rezolutën e Këshillit të Evropës, me votat e të cilit miratohet raporti i Dik Martit, plus me votat e tre shqiptarëve.
Vetë fakti se atë dokument e miraton dhe e shndërron në rezolutë, pra në ligj obligues, Këshilli i Evropës, në vitin 2011, do të thotë kjo është vepër e këtij Këshilli. Pastaj nga ky vit e deri më 2015 organeve të Kosovës së pavarur u është bërë një trysni e paparë, me lloj-lloj argumentesh, duke e përfshirë këtu edhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku të drejtën e vetos e kanë Rusia dhe Kina, përveç të tjerëve, të cilët po ashtu nuk e kanë njohur Kosovën. Pra, e kërcënonin Kosovën se do ta shisnin te Rusia dhe te Kina. Ruana zot, Rusia e Kina, shitur e pa shitur, na përpijnë, tha politika e ditës në Kosovë. Pra, prapaskena e gjithë trysnisë ishte që të hapej një gjykatë, ku do të gjykohej Lufta e UÇK-së, të cilën Evropa edhe sot e quan konflikt, edhe pse në atë konflikt, nga 24 marsi deri më 10 qershor të vitit 1999, një pjesë e shteteve evropiane edhe me SHBA-në, kishin dërguar avionët e tyre si pjesë e NATO-s, për të bombarduar caqet ushtarake serbe në Serbi dhe në Kosovë. Pra, nëse janë bërë krime, pjesëmarrëse në ato krime është edhe Evropa. Nuk është aspak me rëndësi, cila ka qenë trysnia e Shteteve të Bashkuar të Amerikës ndaj atyre shteteve evropiane dhe ndaj NATO-s që të fillojnë dhe të përfundojnë ato bombardime.
Më tutje, dihet se deri në vitin 2008 në Kosovë ishin disa pushtete, UNMIK-u, EULEX-i KFOR-i, secili më i fuqishëm se tjetri, disa janë edhe sot e gjithë ditën, me të drejta të pakufizueshme për të bërë çka do që ju thoshte mendja, ngase kishin imunitet ndërkombëtar, ngase edhe kur vrisnin demonstrues paqësor, nuk i merrte kush në pyetje.
Këto struktura kanë organizuar gjykime aq të shumta, vetëm për ushtarët e UÇK-së, sa njeriu nuk mund ta marrë me mend se një vend, që është çliruar së bashku me NATO-n, tashti të ndiqet penalisht i veçuar, dhe për çudi, askush tjetër vetëm ushtarët e lirisë të UÇK-së, të cilët kishin marrë armët për të luftuar kundër pushtuesit, ani pse këto toka i kishte pushtuar Serbia bashkë me Evropën e vitit 1913. Po as dje, as sot, askush nuk ka thënë se shqiptarët janë kundër Evropës. Jo, shqiptarët janë kundër padrejtësive historike, që na janë bërë për më shumë se një shekull.
Çudia e zotit, vetëm ushtarët e UÇK-së, përveç hajnave dhe krimineleve ordiner i kishin mbushur burgjet e Dubravës, ku ishte bërë njëri nga krimet gjenocidiale ndaj të burgosurve shqiptarë të vitit 1999, burgjet e Lipjanit, Prishtinës, Mitrovicë, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, e ku jo tjetër. A është marrë kush me këto burgosje dhe me këto gjykime, kur dihet se janë mbajtur me vjet të tëra, pa asnjë seancë gjyqësore, kur dihet se një pjesë e madhe e tyre janë shpallur të pafajshëm, por ama pasi kanë qëndruar nga tetë, apo dhjetë vjet nëpër burgje. Këto burgje në vend që të bëheshin vende përkujtimore, muze, e vende publike, siç është bërë tashti vonë burgu i Prishtinës, aty, në të njëjtin vend ku i mbante të burgosurit edhe pushtuesi serb, i mbanin edhe qeveritarët e UNMIK-ut, e të tjerët më radhë, deri te qeveria e Kosovës.
Por t’i kthemi Gjykatës speciale në Hagë. Gjykata e Kosovës, e themeluar nga Kuvendi i Kosovës, me seli në Hagë, ngase pushteti i Kosovës, nuk paska qenë në gjendje të bëjë sigurinë e dëshmitarëve të mbrojtur. Pse, cila paska qenë nevoja që të mbrohen, kur dihet se ata janë vendosur ku kanë dashur nëpër Evropë, disa prej tyre kanë ndërruar edhe identitetet, kanë marrë familjet me vete, e të tjera, e të tjera, gjë që Gjykata e Kosovës në Hagë e di më së miri. Kjo gjykatë e dhomave të specializuara, tashti ka lënë anash faktet e Dik Martit dhe të Këshillit të Evropës për trafikim të organeve nga ushtarët e UÇK-së, por këta paskan bërë krime ndaj serbëve, ndaj komuniteteve të tjera dhe ndaj shqiptarëve katolikë.
Vetëm ky përkufizim i aktakuzave të kësaj Gjykate dëshmon për anësinë e saj. Kjo anësi, se gjykohen vetëm shqiptarët, askujt nuk i bëri përshtypje as në Evropë, as në Amerikë, edhe pse të dy palët kanë qenë për krijimin e kësaj Gjykate.
Prandaj, qenka e logjikshme se këto krime i paskan kryer vetëm anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, apo edhe ndonjë komandantë i ndonjë Zone Operative. Nuk ka asgjë më të tejdukshme, se këtu nuk gjykohen individët, por Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ato që thuhen në konferencat për shtyp, edhe nga Gjykata Speciale, edhe nga shtete të ndryshme të Evropës, janë fjalamani, që nuk i bën përshtypje as nxënësve të shkollës fillore në Kosovë. Se shqiptarët, kudo që janë, kurse në Kosovë veçanërisht, nëse nuk dinë asgjë, e kanë mësuar që më shumë se njëqind vjet kush na ka marrë lirinë, kush na i ka marrë tokat e atdheut, kush na ka vrarë dhe na ka masakruar, kush ka rrënuar çdo gjë në jetën tonë, dhe si për inat të historisë, ne ende jemi gjallë dhe jemi këtu, në Kosovën tonë, që një ditë, me procesin e bashkimit kombëtar, do të bëhemi komb modern, si të gjitha kombet Evropës. Besoj shumë, se do të jemi edhe tashti e tutje.
Kur Aleanca Veri Atlantike, pra NATO-ja kishte marrë vendim të bombardonte caqet ushtarake serbe, sigurisht nën trysninë e madhe të SHBA-ve, shqiptarët krijuan iluzionin se më në fund Evropa, po i pranonte padrejtësitë historike që ju kishte bërë shqiptarëve më shumë se një shekull. Por, të mençurit kanë thënë se iluzionet janë të dëmshme. Këtë e vërteton më së mirë kjo Gjykatë Speciale me seli në Hagë, edhe pse është e Kosovës, gjoja se punon me ligje të Kosovës, edhe pse këto ligje as nuk i merr për bazë, me asnjë veprim, aq më keq, kur kjo Gjykatë arreston dhe gjykon vetëm shqiptarët.
Por, njësoj si Millosheviqi që në Gjykatën e Hagës për Ish-Jugosllavinë, kur përballej me dëshmitarë shqiptarë, merrej me pandehma, ne ia nxirrnim përpara faktet e realitetet konkret, të vrarët, të masakruarit, të burgosurit, të djegurit, si dhe rrënimet e çdo gjëje në jetën e shqiptarëve.
Edhe kjo Gjykatë speciale, sa duket paska harruar se ato dëshmi që i ka mbledhur nga dreqi dhe i biri, janë pandehma në krahasim me krimet dhe gjenocidin që ka kryer Serbia pushtuese në Kosovë. Sepse këtu nuk luftonin kundër shqiptarëve vetëm ushtria serbe, as vetëm policia serbe, as vetëm grupet e fuqishme paraushtarake, që ishin nën urdhrat e shtetit, as të burgosurit që u falej jeta vetëm të vinin e të vrisnin shqiptarë në Kosovë. Këtu kundër shqiptarëve luftonin edhe serbët vendor, pa marrë parasysh kishin ardhur si kolonizatorë, dje e pardje, apo kishin mbetur që nga Lufta e Dytë Botërore. Sepse ata ishin edhe përgjegjës për disa nga krimet më çnjerëzore që janë bërë gjatë Luftës së UÇK-së. Thirreni vetëm një shqiptar nga Krusha e Vogël, dhe ju thonë emrat të gjithë fqinjëve të tyre, që kanë bërë gjenocid mbi shqiptarët e këtij fshati. Aspak nuk është me rëndësi, ishin vullnetar në luftën e tyre të shenjtë për Kosovën si djep i Serbisë, si zemra e kombit hyjnor serb, apo ishin mobilizuar me urdhër të shtetit në Beograd, apo ishin mercenarë rus, që i paguante Serbia. Pra, le të thotë kjo Gjykatë Speciale, cili nga këta serbë vendor, që ka bërë krime të papara, është nxjerrë para gjyqit, kudo qoftë, në Serbi, apo në Hagë. Kjo gjykatë duhet ta dijë, sepse një pjesë e prokurorëve dhe gjykatësve të saj kanë qenë në disa mandate në Kosovë, qoftë si pjesë e UNMIK-ut, qoftë si pjesë e EULEX-it. Për çudi të zoti, asnjëri nga ta, si asnjëherë, nuk pati një grimë kurajo, së paku qytetare e të thoshte, po e kemi dënuar një serb, se fjala vjen në Fushë Kosovë, një qendër paraushtarake serbe në Kosovën tonë, ka vrarë shqiptarë të pafajshëm.
Përveç të gjithave sa u thanë, kjo Gjykatë, nëse nuk ia ka thënë kush deri tashti, le t’i thuhet, se shqiptarët e Kosovës, përkundër të gjitha të metave në qeverisje, përkundër lakmisë së madhe ogurzezë pas Luftës së UÇK-së, do ta kalojnë edhe këtë zezonë, por ama kjo na ka bërë mirë, sepse nga kjo Gjykatë e tutje, së paku nuk do të kemi iluzione se na ndihmon Evropa, edhe pse Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte shkolla më praktike, se pa i ndihmuar vetes nuk të gjendet askush.
Prapë së prapë politika jonë e ditës, e cila ka pak peshë në jetën historike të popullit shqiptar, i paskësh ruajtur këto iluzione nëpër sirtarët e zyrave të tyre burokratike, ngase për demokraci kemi kohë ende.
Gjykata speciale e Kosovës me seli në Hagë, edhe mund të dënojë një, dhjetë, njëqind, dy mijë dhjetë mijë luftëtarë të lirisë, por kurrë, me asnjë vendim, nuk mund ta dënojë Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo Gjykatë speciale, nuk mund ta zhbëjë Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të drejtën historike të Kosovës që të bëhet shtet. Kjo Gjykatë speciale, nuk mund ta kthejë historinë prapa, përveç nëse është e zonja të organizojë një Konferencë të Ambasadorëve në Londër, të vitit 1913, në mënyrë që pastaj, Serbia të organizojë një Kuvend të Prizrenit të vitit 1945, që Kosova sërish të bëhet zemër e Serbisë dhe djepi i ortodoksisë sllave. Ndoshta kjo Gjykatë speciale e Kosovës, me seli në Hagë, nuk ka harruar se jemi në shekullin njëzet e një, në vitin 2020 dhe 2021, ku çdo gjë duhet të verifikohet saktë, mbi bazë të dhënave dhe fakteve, që mund të merren edhe në Selinë e NATO-s, edh nga satelitë të asaj kohe, që kanë xhiruar çdo gjë, edhe nga arkivat e Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit, por edhe nga dëshmitë e pafund të shqiptarëve, që janë dhënë për më shumë se njëzet vjet, disa shumë të rëndësishme edhe në Gjykatën e Hagës për ish-Jugosllavinë, ku janë dënuar edhe shqiptarët, vetëm se ishin luftëtarë të lirisë, vetëm se ishin ushtarë të një ushtrie çlirimtare, të cilën Evropa ende e quan konflikt.