Lufta dhe rivaliteti i brendshëm në Kosovë
Shkruan: Izmi Zeka
Kosova e pasluftës (2)
Periudha pas shpalljes së pavarësisë sikur ndërroi qasjen ndaj shtetit dhe zhvillimit të saj. Tanimë institucionet shtetërore drejtoheshin në mënyrë autonome në qeverisjen e vendit, në përjashtim që disa të drejta u morën apo vazhduan nga EULEX-i që kishin të bënin me sundimin e ligjit në Kosovë.
Edhe ky mision, mbase evropian, përmes gjykatësve të vet filloi të shpallë aktakuza prej më të ndryshmeve, por në fund të gjitha rezultonin të pabazuara në fakte dhe në ligj. Pjesë tjetër që bën punën e djallit ishin edhe disa portale që Zoti e di prej nga financoheshin duke i dhënë kah denigrues secilës së arritur në Kosovë.
Një problem në vete që mbeti ende enigmë ishte fati i të vrarëve pasluftës e ku për drejtim te gishtit kishin partitë të cilat kishin dalë prej luftës.
Fatkeqësisht, me varret e tyre ende të pandriçuara në Kosovë luhej dhe përdorej gjatë fushatave elektorale duke krijuar paragjykime, por edhe duke mos u zbardhur kurrë fati i tyre.
Këto që u përmendën më lart bën që Kosova dhe institucionet e saj të mbetën peng i moszhvillimit dhe prosperimit të saj.
Lufta dhe rivaliteti i brendshëm kosovar ka bërë që për vite të tëra Kosova ta humbë fuqinë diplomatike të saj në raport me Serbinë, por edhe përfaqësimin dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Mbase edhe lojëra të padurueshme të BE-së në raport me Kosovën dhe përkëdheljen e shtetit serb kanë bërë që hapat zhvillimorë të mbetën në vendnumërim dhe për pasojë pati pakënaqësi nga qytetarët.
Kush më mirë se Faik Konica i portretizon shqiptarët: “Shqiptarët janë një komb që i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu… shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. E thënë herët dhe pa ekuivokë.
Ndoshta ne kemi dashur që gjithë historinë ta bëjmë me kaçak mali por kurrë assesi në një vertikale dhe hierarki në organizimin luftarak. Për ilustrimin tonë, faktet historike dëshmojnë se lufta e brendshme politike i ka rrënjët më herët se që mendohet.
Edhe në fillimet e shekullit XX dhe gjysmën e parë të këtij shekulli ndodhën rrebesh shtyrjesh që po të studiohet mirë fundi ishte shkatërrim i vetvetes.
Kush e bëri vrasjen e Avni Rrustemit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e shumë të tjerëve.
Ky është figurativisht defekti historik që ne tani trashëguam në mënyrë të “denjë” këtë virtyt që pengoi lindjen dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet.
Tani kur po shkruaj disa gjëra që besoj do t’i tregojë dhe argumentojë e ardhmja, Kosova ka përballje me vetveten e jo siç po deklarohet me Serbinë.
Ky shtet gjenocidial i përket të kaluarës por ndikimi i tij ende është i madh dhe jo vetëm kaq, por shërbime dhe njerëz të ndryshëm ende bëjnë punën jo vetëm të Serbisë por edhe të Rusisë dhe shteteve që historikisht ishin dhe janë kundër Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Përballja me ata të cilët edhe dje ishin kundër ndryshimit dhe prerjes historike po vazhdon. Edhe mund të kuptohet për disa arsye, por më e veçanta është se duke e ndjerë vetën fajtor për mosreflektim në momente historike tani duan që pashmangshëm duke atakuar individë të kthesave të arrijnë ambiciet e tyre personale dhe familjare.
Mund dhe duhet të kemi dallime të brendshme por jo në skajshmëri për të satanizuar historinë tonë të lavdishme të fund shekullit XX. Në emër të vjedhjes së shtetit, në emër të shitjes së shtetit dhe “tradhtisë “kombëtare” Kosovën e demonizuan dhe duan ta kthejnë në një shtet të padobishëm dhe pa perspektivë.
Me habit fakti se si është arritur të bëhet shpëlarja e trurit dhe ata që e sollën lirinë po dëshirojnë ta shesin Kosovën, kurse ata të cilët edhe para luftës dhe pas saj nuk iu kishte munguar asnjë fije floku tani shesin patriotizëm me kile.
Një ilustrim se deri në cilën shkallë kemi arritur e sheh gjatë proceseve historike ku po citoj një thënie të Faik Konicës
Në një intervistë në “Universul” më 10 janar 1914, Faik Konica, e akuzon Ismail Qemailin për korrupsion e madje edhe për tradhti. Ai shton se “Ismail Bej Qemali, një ‘fileu’ bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset”.
Ky ka qenë mentaliteti edhe i figurave të mëdha qoftë të historisë, letërsisë ku nga ky rezon të kuptuarit e kohës ishte jashtë tablloidit të tyre.
Ismail beu dje dhe sot është prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Aso kohe ishte harruar se Shqipëria ishte pre e fuqive të mëdha dhe në prag të fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Çfarë koincidence e kohës së sotme me fillimet e shekullit XX.
Jo rastësisht veçova një fjali për të arritur në përfundim se lufta dhe mentaliteti i ynë gjatë gjithë historisë nuk kanë korresponduar me realitetin në fjalë.
Ndjenja për të qenë protagonist të kohës duke shpërfaqur mani dhe luftë brenda llojit, ka bërë që vrasjet e tmerrshme, masakrat të mbetën nën hijen e shterpësisë politike. Akterët të cilët tani më janë edhe të njohur të regjimit serb dhe udhëheqin me politikat shtetërore serbe shëtisin të lirë pa u ndëshkuar fare.
Një pjesë të fajit e bartin institucionet tona por edhe mekanizmat ndërkombëtar të cilët në emër të stabilitetit dhe pajtimit shkelën mbi parimet demokratike dhe të drejtat njerëzore të një populli.
U munduan të bëjnë balancim në mes të atyre që bënë masakra dhe atyre që ruajtën shtëpitë e tyre. Nga ky vlerësim mund të konkludojmë se drejtësia e udhëhequr nga UNMIK-u e pastaj nga EULEX-i ishte drejtësi selektive dhe joparimore, e cila tani ka sjellë mosbesim qoftë edhe në institucionet më kredibile që mund të formohen, qoftë tek ne apo edhe tek ndonjë mekanizëm ndërkombëtar.
Kjo ishte vetëm një pjesë e historisë së drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Kosova e pas pavarësisë pati një ritëm të zhvillimit dhe stabilitetit institucional deri diku kah vitet 2013 e që u krijuan parakushte për një shtet të së drejtës.
Pas kësaj kohe kemi kthim mbrapa në krijimin e një politike zhvillimore të bazuar në standardet që i kërkonte koha. (Vijon)