Lufta e Ftohtë 4.0

19 mars 2025 | 08:00

Domenico Quirico

Kush e di nëse telefonata e sotme mes Trump dhe Putin do të hyjë në histori, ashtu si ajo mes Churchill dhe presidentit amerikan Roosevelt më 7 dhjetor 1941.

“Çfarë janë këto lajme mbi Japoninë? A është e vërtetë?”

Përgjigja që erdhi nga Amerika me një zë të ngjirur tashmë është pjesë e librave të historisë: “Na sulmuan në Pearl Harbor. Tani jemi në të njëjtën varkë.”

Në atë kohë, dy liderët folën mes tyre me një makineri të ndërlikuar të shpikur nga Bell, që kodonte dhe dekodonte mesazhet zanore për të siguruar komunikim të fshehtë. Lufta ruso-ukrainase, nga ana tjetër, e ka kthyer botën mbrapsht me pothuajse gjysmë shekulli.

Telefonata e sotme është e para e Luftës së re të Ftohtë, një luftë që është gjithnjë në prag të kthimit në të nxehtë. Dy të Mëdhenjtë po koordinohen për të gjetur një rrugëdalje, duke eliminuar mes tyre “detaje” të rrezikshme dhe të bezdisshme. Ndërsa të tjerët, të Vegjlit, si Ukraina dhe Evropa, thjesht rrijnë e vështrojnë, me shpresën se vendimet e marra nuk do të jenë tepër të rënda për ta.

Në kohën e Kennedy-t dhe Khrushchev-it, do të ishte përmendur legjenda e “telefonit të kuq”, një mit, sepse në të vërtetë mesazhet midis Uashingtonit dhe Moskës dërgoheshin me shkrim për të shmangur keqkuptime të rrezikshme. Kjo për të evituar orët e gjata të deshifrimit të kodeve, kur bombat ishin tashmë gati për t’u lëshuar nga bunkerët.

Trumpi, nga ana tjetër, e adhuron telefonin. Gjatë mandatit të parë, ai i telefononte të gjithë, nga Putini, me të cilin kishte “marrëdhënie të mira”, deri te Merkeli dhe Hollandei, ish-presidenti gri i Francës.

Sapo u rikthye në Shtëpinë e Bardhë, ai rifilloi komunikimet direkte, madje nga Florida, nga “Shtëpia e Bardhë” e tij atje. Një nga numrat e parë që formoi ishte ai i një personi që tashmë është kriminel, i përjashtuar dhe i kërkuar nga Moska.

Diplomacia e tij është e thjeshtë: pa ndërmjetës, duke anashkaluar ekspertët e “Shtetit të Thellë”, të cilëve nuk u beson, sepse sipas tij komplotuan me demokratët. Ai i përshtatet një stili të drejtpërdrejtë, të bazuar në bllofe, provokime, kërcënime dhe lëvizje të paparashikueshme.

Një përballje midis dy stileve të ndryshme

Ky samit telefonik i Luftës së Ftohtë së shekullit XXI është magjepsës.

Nga njëra anë kemi Trumpin, një “egokrat”, që e shndërron politikën në spektakël brutal, të drejtpërdrejtë dhe të pastër fuqish, si një version modern i Teddy Roosevelt-it, i cili sfidon demokracitë e kalbura të Evropës.

Në anën tjetër është Putini, një strateg i ftohtë dhe i pamëshirshëm, një mjeshtër i hijeve dhe lojës së heshtur. Ai e kupton gjuhën e forcës, sepse e ka mësuar që fëmijë, në librat e Bashkimit Sovjetik.

Ndryshe nga retorika e tij bombastike dhe zëdhënësit e tij të vrazhdë, ai nuk i duron pozat e kota apo vanitetin, dhe që prej tre vitesh të ashtuquajturit “mendimtarë optimistë” e kanë shpallur të mbaruar, por sanksionet nuk e kanë lëkundur. Për të, suksesi nuk është disa fshatra ukrainase, por rikthimi i tij si aktor kryesor global, si një i barabartë përballë Trump-it.

Ndërkohë, ata që për tre vjet e kanë quajtur Putinin një bandit gjakatar, tani shohin të hutuar dhe të pafuqishëm, ndërsa ai rikthehet në skenë. Për sa i përket Krimesë, Donbasit dhe hyrjes së Ukrainës në NATO, marrëveshja duket e paracaktuar. NATO, ndërkohë, ka humbur rolin e saj, pasi realisht është një zgjatim i Pentagonit.

Nëse dikur kishte një “krim” ndërkombëtar, tani koha e ka zhbërë atë, ose më mirë Trumpi e ka anuluar normën që e ndalonte.

Sa për detajet e procedurave për armëpushim, ato janë një çështje për diplomatët dhe “sherpat” e negociatave. Ndërkohë, Putini nuk ka pse ta marrë me ngut: Ai dëshiron fundin e luftës, sepse “Rusia e Shenjtë” mund të jetë lodhur nga sakrificat. Por sa më shumë të zgjasë lufta, aq më shumë terren do të fitojnë trupat ruse.

Historia përsëritet

Në shumë konflikte, përpara se të përcaktohet “uti possidetis” – pra, vija e fundit e armëpushimit – ushtritë përpiqen të avancojnë sa më shumë.

Një shembull klasik: Lufta e Jom Kipurit (1973). Kur tanket izraelite kaluan Kanalin e Suezit, Amerikanët vonuan armëpushimin, sepse sa më gjatë të prisnin, aq më shumë Sharon dhe ushtria izraelite përparonin në Egjipt.

Në të njëjtën mënyrë, Zelensky kërkon armëpushim sa më shpejt, sepse trupat e tij po tkurren në rajonin e Kurskut dhe Donbasit. Por Trump nuk është një politikan klasik, ai është një njeri i befasive. Dhe lëvizja e tij e radhës mund të jetë një samit ballë për ballë. / La Stampa – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zona e Rafah-Mawasit po dridhej fort, toka po lëkundej. Gjithçka…