Lufta e Koresë: Gjenerali amerikan që për pak nuk e nisi luftën bërthamore

06 dhjetor 2024 | 08:46

Nga: Myles Burke / BBC

“Të gjitha rrugët që çonin jashtë qytetit ishin të mbushura me refugjatë. Pak prej tyre dinin se ku po shkonin,” raportoi BBC, teksa transmetonte pamje të koreanoveriorëve të dëshpëruar, që përpiqeshin të arratiseshin nga qyteti i djegur i Phenianit, më 5 dhjetor 1950.

Pamjet ishin xhiruar nga kameramani i BBC-së, Cyril Page, gjatë orëve të tij të fundit në kryeqytetin koreanoverior. Pas lajmit se trupat e OKB-së – që kishin pushtuar qytetin – po tërhiqeshin, Page kishte dalë nëpër rrugë për të dokumentuar kaosin dhe frikën, ndërsa përhapej lajmi për ardhjen e trupave kineze. Në kushtet e dimrit të ashpër, ai filmoi refugjatët e tmerruar që mbanin gjithçka mundnin, ndërsa tymi ngrihej nga ndërtesat e djegura pas tyre.

Evakuimi në panik ishte simbol i përmbysjes dramatike të fatit për forcat e OKB-së të udhëhequra nga gjenerali Douglas MacArthur. Vetëm disa javë më parë, gjenerali i kishte premtuar presidentit amerikan, Harry S. Truman, se ishte pranë bashkimit të Koreve. Rënia e qytetit të Phenianit dhe kolapsi i plotë i ofensivës së tij ushtarake në Korenë e Veriut, do ta shtynte MacArthurin të kërcënonte me një luftë të plotë bërthamore.

Shkatërrimi dhe gjakderdhja e shkaktuar nga Lufta e Koreve kishin nisur gjashtë muaj më parë. Në vitet që i paraprinë përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Koreja kishte vuajtur nën një okupim brutal japonez. ShBA-ja propozoi aleatit të saj të kohës së luftës, Bashkimit Sovjetik, që pas dorëzimit të Japonisë të ndanin përkohësisht së bashku kontrollin e Koresë. Ideja ishte të menaxhohej largimi i forcave japoneze. Në vitin 1945, superfuqitë ndanë vendin në dy pjesë përgjatë një vije demarkacioni të rastësishme, të paralelit të 38-të. Sovjetikët mbështetën Kim Il-sung-un në Republikën Popullore Demokratike të Koresë në veri, ndërsa ShBA-ja mbështeti Syngman Rheein në Republikën e Koresë në jug.

Që në fillim, asnjëra nga qeveritë e sapokrijuara koreane nuk e pranonte legjitimitetin e tjetrës apo vijën e demarkacionit. “Ajo nuk u konsiderua kurrë, në asnjë kuptim, legjitime apo kuptimplotë nga koreanët. Ishte krejtësisht pa kuptim për ta”, ka thënë Dr. Owen Miller nga Qendra për Studimet Koreane në SOAS [Shkolla e Studimeve Orientale dhe Afrikane], Universiteti i Londrës, për podkastin BBC History Magazine në vitin 2024. Të dy liderët synonin të ribashkonin vendin me forcë. Deri në vitin 1949, të dy superfuqitë kishin tërhequr shumicën e trupave të tyre pushtuese nga Koreja, por kjo ndihmoi pak për të lehtësuar tensionet që vlonin. Përplasjet gjithnjë e më të përgjakshme shpërthenin rregullisht përgjatë de facto kufirit.

Më 25 qershor 1950, lideri komunist i Koresë së Veriut, Kim Il-sung, ndërmori hapin e tij. Në orët e para të mëngjesit, ai nisi një sulm të papritur me një forcë të trajnuar mirë luftarake, duke kaluar paralelin e 38-të. Trupat koreanoveriore, të pajisura me armë sovjetike, shpejt e dërrmuan ushtrinë e Republikës së Koresë. Brenda disa ditësh ata pushtuan kryeqytetin e jugut, Seulin, duke detyruar shumë banorë të tij të betoheshin për besnikëri ndaj Partisë Komuniste ose të përballeshin me burgim apo ekzekutim.

Në ShBA, presidenti Truman ishte i papërgatitur nga shpejtësia dhe suksesi i sulmit të Koresë së Veriut. Si besimtar i “Teorisë së Dominosë” – sipas së cilës, nëse një vend do të binte nën komunizëm, edhe të tjerët do ta pasonin – ai iu drejtua OKB-së së sapoformuar për të mbrojtur Korenë e Jugut. Bashkimi Sovjetik mund të kishte vendosur veton ndaj këtij votimi. Por, në atë kohë, po e bojkotonte Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkak të refuzimit të këtij organi për të pranuar Republikën Popullore të Kinës. Kështu, më 28 qershor 1950, u miratua një rezolutë që i bënte thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të ndihmonin në zmbrapsjen e pushtimit. Gjenerali amerikan, Douglas MacArthur – i cili kishte pranuar dorëzimin e Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore – u emërua komandant i forcave të kombinuara të OKB-së.

ShBA-ja ishte e para që reagoi, duke dërguar me ngut ushtarët e saj të vendosur në Japoni. Por, këto trupa ishin të papërgatitura për t’u përballur me forcat superiore koreanoveriore, të cilat përparuan me shpejtësi në jug, duke i detyruar të tërhiqeshin. Ndërsa beteja përshkallëzohej, mijëra civilë të zakonshëm koreanë, të kapur në konflikt, humbën jetën. Deri në shtator, forcat koreanojugore dhe ato të OKB-së ishin të rrethuara, duke mbrojtur një enklavë të vogël rreth portit të Busanit në jug. Koreja e Veriut dukej pranë ribashkimit të të gjithë gadishullit Korean.

Në një lëvizje të guximshme, MacArthur vendosi të ndërmerrte një sulm të rrezikshëm detar në Inçon, një port thellë prapa linjave të Koresë së Veriut. Nën një bombardim të rëndë, forcat e OKB-së zbarkuan më 15 shtator 1950, duke kapur portin dhe më pas duke përparuar shpejt për të rimarrë Seulin. Pas rikthimit të kryeqytetit, dhjetëra mijëra banorë, që ishin betuar për besnikëri ndaj pushtuesve të mëparshëm të qytetit, u ekzekutuan si bashkëpunëtorë nga forcat koreanojugore. Kjo ishte vetëm një nga një sërë masakrash të tmerrshme dhe të pakontrolluara ndaj civilëve që do të ndodhnin gjatë luftës. “Gjatë luftës pati shumë masakra, jo në vijat e frontit, por larg tyre, ku njerëzit arrestoheshin sepse konsideroheshin të pabesë”, tha Dr. Miller.

Operacioni i Inçonit arriti të priste linjat e furnizimit dhe komunikimit të ushtrisë së Koresë së Veriut, dhe forcat e OKB-së arritën të dilnin nga Busani, duke ndërmarrë një kundërofensivë të fuqishme. Kjo përmbysi situatën e konfliktit, duke detyruar ushtarët koreanoveriorë të tërhiqeshin drejt veriut dhe të kalonin përsëri paralelin e 38-të.

Por, pasi kishte përmbushur objektivat e rezolutës së OKB-së, MacArthur ishte i vendosur të shkatërronte plotësisht forcat komuniste dhe urdhëroi trupat e tij të ndiqnin koreanoveriorët përtej kufirit. Deri më 19 tetor 1950, forcat e OKB-së kishin pushtuar Phenianin dhe po përparonin drejt lumit Jalu në kufirin me Kinën. Situata që dukej aq e dëshpëruar për Korenë e Jugut vetëm disa muaj më parë, tani dukej se kishte ndryshuar.

Trumani hezitonte të zgjeronte një konflikt që mund të tërhiqte jo vetëm Kinën, por edhe Rusinë – e cila deri në atë kohë kishte zhvilluar bombën e saj bërthamore – në një tjetër luftë botërore. Por, MacArthur ishte i bindur se ishte pranë një fitoreje të shpejtë dhe vendimtare, që do të ribashkonte vendin nën drejtimin pro-perëndimor të Koresë së Jugut. Ai e siguroi presidentin se lufta do të përfundonte para Krishtlindjeve.

Por, përparimi i shpejtë i OKB-së drejt kufirit të saj shqetësoi liderin komunist të Kinës, Mao Zedong. Duke pasur frikë nga prania e një fuqie ushtarake perëndimore armiqësore pranë vendit, ai urdhëroi ushtrinë kineze të mblidhej fshehurazi në kufi për të përballuar ushtritë e MacArthurit që po përparonin. Në fund të nëntorit, me një befasi të tmerrshme, Kina ndryshoi sërish kursin e Luftës së Koresë.

Mijëra trupa kineze nisën një seri sulmesh shkatërruese ndaj forcave të OKB-së që po përparonin. Duke pësuar humbje të mëdha dhe duke vuajtur nga kushtet e ftohta dimërore, trupat e MacArthurit nuk ishin në gjendje të mbanin territoret e mëdha që kishin pushtuar vetëm disa javë më parë. Në Betejën e Lumit Çongçon, trupat kineze ia shkaktuan një disfatë katastrofike forcave të OKB-së, duke shkaktuar një nga tërheqjet më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e Korpusit të Marinës së ShBA-së.

Ndërsa ofensiva kineze merrte vrull, qytetarët e Phenianit, të cilët ishin marrë nën kontroll nga forcat e OKB-së më pak se dy muaj më parë, u gjendën sërish në qendër të stuhisë. Të paaftë për të ndalur përparimin e pamëshirshëm kinez, MacArthuri mori vendimin për të braktisur qytetin. Forcat e OKB-së filluan përgatitjet për evakuim dhe u urdhëruan të digjnin çdo furnizim dhe pajisje që mund të ndihmonin ushtarët që po afroheshin, duke bërë që shumë ndërtesa në qytet të përfshiheshin nga flakët. Të vetëdijshëm se ushtritë koreanoveriore dhe kineze po kërcënonin të pastronin çdo person të dyshuar për bashkëpunim me forcat e OKB-së, mijëra banorë të tmerruar dhe të rraskapitur të Phenianit u larguan nga qyteti.

Në mot të acartë, Page filmoi këta koreanoveriorë, nën mbikëqyrjen e ushtrisë britanike, duke u përpjekur dëshpërimisht të kalonin lumin Taedong për të shmangur rrethimin kur trupat do të largoheshin. “Për shkak të përparësisë për automjetet ushtarake, refugjatëve nuk u lejohej të kalonin urat mbi lumin Taedong në jug të Phenianit”, raportoi BBC. Inxhinierët amerikanë po përgatitnin këto ura për t’i shkatërruar pasi të kalonin automjetet e fundit ushtarake, me qëllim të ngadalësimit të përparimit koreanoverior. “Megjithatë, të kapluar nga frika se mos do të mbeteshin në qytet, mijëra njerëz shkonin në bregun e lumit”, vazhdon raporti. “Atje, të gjitha llojet e mjeteve lundruese po përgatiteshin për të kaluar”.

Vetë Page u urdhërua të largohej nga një fushë ajrore pak para errësirës. Kur mbërriti atje, zbuloi se një pjesë e madhe e saj ishte përfshirë gjithashtu nga flakët, me trupat e OKB-së të zëna duke shkatërruar çdo material që mendonin se koreanoveriorët mund të përdornin. “Ndërsa binte nata, hangarët dhe punëtoritë e djegura ndriçonin qiellin e natës”, raportoi BBC. “Deri në mesnatë, qindra shtëpi private pranë fushës ajrore ishin përfshirë gjithashtu nga flakët”.

Ndërsa aeroplani i Pageit po largohej, ai kapi pamjet e fundit të Phenianit, që dikur ishte simbol triumfi për MacArthurin, por që tani dukej se simbolizonte dështimin e strategjisë së tij ushtarake. “Ishte pothuajse agim kur kameramani ynë u largua nga fusha ajrore e Phenianit”, raportoi BBC, “dhe ndërsa aeroplani i tij, një nga të fundit që fluturoi, po e largonte atë, ai pa nga lart tërheqjen e OKB-së, me rrugën drejt jugut nën një re pluhuri nga vargu i pafund i automjeteve”.

Më 6 dhjetor 1950, ndërsa forcat kineze dhe koreanoveriore hynë sërish në Phenian, strategjia amerikane për t’i dhënë fund luftës filloi të kalonte drejt një ideje shumë më të rrezikshme. Trumani kishte pasur gjithmonë një marrëdhënie të vështirë me MacArthurin, për shkak të prirjes së gjeneralit për të tejkaluar autoritetin dhe për të injoruar urdhrat e drejtpërdrejtë. Tani, përballë situatës që po përkeqësohej me shpejtësi në Kore, të dy burrat e gjetën veten duke u përplasur vazhdimisht për mënyrën e drejtimit të luftës.

Pas injorimit të paralajmërimeve të Trumanit që Mao Zedong mund të ndërhynte në luftë, MacArthuri filloi të kërkonte publikisht përshkallëzimin e konfliktit. Ai sugjeroi që ShBA-ja duhej të kërcënonte me përdorimin e armëve bërthamore dhe të bombardonte vetë Kinën nëse forcat komuniste në Kore nuk do të dorëzoheshin. Kjo ide mbështetej edhe nga Curtis LeMay, kreu i Komandës Strategjike Ajrore të ShBA-së gjatë Luftës së Koresë, i cili besonte se një luftë bërthamore ishte e pashmangshme. Më vonë, LeMay do të përpiqej të bindte presidentin John F. Kennedy që të bombardonte vendet e raketave bërthamore gjatë Krizës Kubane të Raketave.

Megjithatë, insistimi për përdorimin e armëve atomike alarmoi thellësisht vendet e tjera të OKB-së që ishin të përfshira në konflikt, përfshirë kryeministrin britanik Clement Attlee, i cili fluturoi në Uashington për ta kundërshtuar këtë ide. Por, MacArthuri ishte i bindur se plani i tij do të funksiononte, duke besuar se rusët do të frikësoheshin dhe nuk do të ndërmerrnin asgjë kundër një sulmi të ShBA-së ndaj Kinës.

Më 9 dhjetor 1950, MacArthuri kërkoi zyrtarisht autoritetin për të pasur diskrecionin për të përdorur armët atomike. Trumani refuzoi. Dy javë më vonë, MacArthuri dorëzoi një listë objektivash për sulme, përfshirë caqe brenda Kinës, dhe specifikoi numrin e bombave atomike që kërkonte. Ai vazhdoi të kërkonte që Pentagoni t’i jepte një komandanti të fushës diskrecionin për të përdorur armët bërthamore – sipas nevojës. Në fund të dhjetorit 1950, forcat e OKB-së ishin shtyrë përsëri përtej paralelit të 38-të, ndërsa trupat kineze dhe koreanoveriore rimorën qytetin e rrënuar të Seulit në janar 1951.

“Me gjasë, nëse disa komandantë si Curtis LeMay do të kishin më shumë ndikim tek presidenti, mund të ishin përdorur armët bërthamore, sepse ata si LeMay ashtu edhe MacArthur donin t’i përdornin”, tha Dr. Miller. “Ata mendonin: ‘Cili është qëllimi i të pasurit armë bërthamore nëse nuk i përdorim’”? Përballë frikës se nuk mund të kontrollonte MacArthurin dhe mundësisë që qëndrimi agresiv i gjeneralit të shpërthente Luftën e Tretë Botërore, Trumani e shkarkoi atë për mosbindje në prill të vitit 1951.

Lufta e Koresë do të vazhdonte për dy vjet të tjera, me Seulin që ndryshonte zotëruesit për të katërtën herë. Me asnjëra palë që nuk arriti të siguronte një fitore vendimtare, konflikti degradoi në një luftë të gjatë dhe të përgjakshme të rrënimit. “Një nga ironitë e mëdha të luftës është se, në pranverën e vitit 1951, linja e frontit e të dy forcave ishte afër vijës së ndarjes, paralelit të 38-të”, tha Dr. Miller. “Gjithë këto humbje të mëdha nga të dyja palët, përkundër shkatërrimit absolut civil që kishte ndodhur, në thelb ata ishin kthyer aty ku filluan”.

Dy vendet, në fund, e mbyllën luftën me një armëpushim të pasigurt në vitin 1953, por nuk nënshkruan një traktat paqeje, që do të thotë se teknikisht ata janë ende në luftë. Konflikti ishte shkatërrimtar për gadishullin. Vlerësimet ndryshojnë, por besohet se rreth katër milionë njerëz humbën jetën gjatë Luftës së Koresë, gjysma prej të cilëve ishin civilë. Shumë të tjerë u zhvendosën ose mbetën të uritur. Bombardimet masive shkatërruan qytete dhe fshatra të tërë. Familjet e ndara nga kjo ndarje e vendit nuk janë ribashkuar kurrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmet befasuese të kryengritësve në veriperëndim të Sirisë mund të…