Lufta e Peloponezit
Nga: Alessandro Baricco
Përktheu: Aristidh Shqevi
Mbas librit historik “Lufta e Peloponezit” të Tukididit, libri me të njëjtin titull i historianit amerikan Donald Kagan është teksti më i mirë për të mësuar mbi nënën e të gjitha luftërave…
Është fakt i njohur se manovra më e vështirë ushtarake është tërheqja: zbatimi i saj në terren, pa bërë turpe, është pothuajse i pamundur. Në tërheqjen strategjike dhe madhështore që qytetërimi i librave ka ndërmarrë si rezultat i zhvillimeve të ndryshme barbare dhe të padeshifrueshme teknologjike, nuk ndodh aspak rrallë që ti të mbetesh i shtangur nga manovra të cilat ta fusin lemerinë. Ndoshta aty ka edhe detaje që unë nuk mundem t’i anashkaloj.
Kohët e fundit, për shembull, më është dashur të bëj një shënim diku se nëpër kioska, kundrejt çmimit një euro, ishte nxjerrë në shitje libri i Aristotelit, “Kushtetuta e athinasve”. Deri këtu jemi në rregull. U shitën përafërsisht 500 mijë kopje. Nëse ju vjen për shtat që të ngazëlloheni për shifra të këtilla, jeni të lirë ta bëni edhe këtë. Do të doja ama të shprehesha qartazi: ta nxjerrësh në shitje librin e Aristotelit, për një euro, është njësoj sikur të ndodhesh në një lunapark me një Stradivari në dorë dhe të luash në violinë për pesë minuta vetëm për një euro, përballë të gjithë atyre që janë të prirë për ta paguar këtë shumë lekësh (karamelet janë më të shtrenjta). Ku ta gjesh që aty të mbërrijë një amater i cili të ketë në dispozicion pesë minuta të ligjshme, por edhe një kënaqësi të veçantë: ndërsa të tjerët, natyrisht bashkë me mua, siç është dhe e drejtë, t’ia arrijnë ta mbajnë Stradivarin në dorë ashtu siç duhet. Gjithçka do të ishte në rregull për sa kohë ata nuk do të përpiqeshin që violinës t’i binin sikur ajo të ishte kitarë. Një trishtim i vërtetë.
Ç’të keqe ka? Do të pyesnit ju. Këtë nuk e di, dhe as që dua të hap debate. Por, thjesht e di, me një siguri instinktive, se nuk është mirë që të veprohet kështu. E kam kuptuar se tashmë ndodhemi në një situatë në të cilën gjërat shiten nën vlerën e tyre, por kjo nuk ka rëndësi. Me shumë respekt do t’ju them se do të ishte mirë që ajo që ndodhi me librin “Kushtetuta e athinasve” të mos ndodhë më. Dhe, nëse nuk e kuptoni përse, kurrë nuk keni për ta kuptuar.
Ajo që unë mund ta bëj me kënaqësi është që këtë artikull t’ia truaj atyre 500 mijë kopjeve të shitura të librit. Pra, bota e Greqisë klasike është një botë shumë e ndërlikuar dhe tejet magjepsëse: ndërmjet të tjerave, është e arsyeshme ta mendosh se e gjithë trashëgimia jonë gjenetike, nëse flitet për politikë dhe kulturë, buron tërësisht prej saj. Ashtu siç ndodh me të gjitha gjërat komplekse, edhe ky fakt ka nevojë që të njihet nëpërmjet një përqasje të durueshme por jo të ngutshme.
Meqënëse duhet filluar nga diku, unë këshilloj që ta fillojmë me këtë libër, i cili përveç faktit se kushton një euro, rrëfen njëkohësisht në mënyrë autoritare, të kuptueshme dhe rrëmbyese Luftën e Peloponezit. Athina në luftë kundër Spartës, për njëzetë e shtatë vjet. Në lojë ishte dominimi i Greqisë. Ajo ishte më tepër se një luftë, ishte vetë lufta. Besoj se është e drejtë të thuhet se madhështia e Athinës klasike është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me këtë përleshje ushtarake: pra, ajo është vetë shkaku dhe pasoja në të njëjtën kohë. Kuptojeni këtë luftë sepse do t’ju ndihmojë të përparoni shumë në punën tuaj. Në veçanti, do t’ju ndihmojë për të kuptuar më mirë çdo nocion që lidhet me demokracinë athinase në kontekstin e duhur (gjë kjo e një rëndësie shumë të madhe meqenëse ideja e demokracisë vjen që andej). E shprehur kjo me fjalë të thjeshta: kur të thoni ‘demokracia athinase’ do të jeni i ndërgjegjshëm se çfarë jeni duke thënë. Këtë dije do t’jua japin ngjarjet e panumërta që gjenden në librin “Kushtetuta e athinasve”, ku bëhet fjalë për ngjarje të cilat janë njëra më e bukur se tjetra.
Dëgjojeni këtë histori (për mua një histori që në një mënyrë të shkëlqyer shërben si një simbolikë e njërës prej brishtësive të demokracisë). Atëherë, ndodh që në një fazë të luftës, ndërsa banorët e Athinës e kanë punën pisk, sepse janë ligështuar nga murtaja që ka dhjetuar popullsinë, njëri prej aleatëve të tyre, qyteti i Mitilinit në ishullin e Lesbos, kalon në anën e spartanëve. Ata kishin arsyet e tyre për ta bërë një gjë të tillë, dhe atë bënë. Edhe pse të kapitur, athinasit e kuptojnë se në qoftë se do t’i lejojnë ish-aleatët e tyre që t’ia hedhin pa iu hyrë ferrë në këmbë, ata vetë rrezikojnë efektin domino, domethënë përballjen me një situatë ku ‘të gjithë lejohen të bëjnë ç’të duan’ gjë që do ta shpërbënte perandorinë e tyre: për këtë arsye ata shfrytëzojnë të gjitha energjitë e mbetura njerëzore dhe financiare dhe, kështu, nisen për ta rrethuar ishullin e Lesbosit. Spartanët, të cilët e kishin për detyrë të nxitonin për t’i ardhur në ndihmë Mitilinit, humbasin orientimin (nuk ishin gjithmonë në formë si tek filmi “Treqind…”). Mitilini bie dhe Athina e rimerr qytetin. Pikërisht këtu fillon pjesa fantastike e ngjarjes. Athinasit mblidhen në asamble për të vendosur mbi fatin e të mundurve. Ishte kjo mënyra e tyre për t’i mbarështuar çështjet publike, një metodë kjo sa e dalldisur po aq edhe gjeniale: mblidheshin në asamble dhe aty votonin, të gjithë. Quhej demokraci. Nuk është e nevojshme që kjo të merret fjalë për fjalë, sepse duhet theksuar se kur flisnin për të gjithë ajo që donin të thoshin kishte të bënte me të gjithë ata që ishin të denjë për të shkuar në asamble, dhe që për të qenë të sinqertë do të thotë pesëmbëdhjetë për qind e popullsisë. Sidoqoftë, bëhej fjalë për pesëmbëdhjetë mijë, njëzetë mijë persona, dhe ja kështu spektakli, siç mund edhe të imagjinohet, shndërrohet në një tërbim të vërtetë.
A mund t’i imagjinoni njëzetë mijë persona që diskutojnë nën ndikimin e tërbimit, frikës, entuziazmit, ngacmimit dhe dëshirës për t’i shkaktuar dhimbje qytetit tradhtar? Vendimi që morën nuk të habit aspak: të gjithë meshkujt në moshë të rritur do të vriteshin, ndërsa gratë dhe fëmijët do të shiteshin si skllevër. Një spastrim etnik. Votuan, morën vendimin dhe ranë për të fjetur. Një anije u nis në drejtim të Mitilinit për t’iu përcjellë vendimin e kobshëm banorëve të tij (emaili nuk ekzistonte). Të nesërmen në mëngjes u zgjuan dhe pasi kaloi dhe dehja filluan ta pyesnin veten nëse kishin gjykuar me drejtësi. Atëherë thirrën asamblenë sërish (mrekulli) dhe rifilluan diskutimet. Me mendje të kthjellët, bataretë e demagogëve të radhës nuk dëgjoheshin shumë bindëse, ndërsa mendimi i shprehur qartë nga disa njerëz të matur papritur u duk më i pranueshëm. Kështu vendosën ta ndërronin vendimin e parë në dënim me vdekje vetëm për ata që kishin lidhje të drejtpërdrejt me tradhtinë (disa qindra persona, gjithsesi të dënuar pa proces gjyqësor) dhe me falje jete për të tjerët. Problemi, ama, ishte se tashmë anija ishte nisur me vendimin tragjik mbi bordin e anijes. Atëherë (mrekullia numër dy) vendosën të nisnin një anije të dytë me qëllim që ajo ta përcillte vendimin e ri në ishull. Ishte me një ditë vonesë. Rremtarët u pajisën me ushqime të bollshme. Atyre iu premtua një shpërblim i madh nëse do t’ia dilnin mbanë dhe e kapnin anijen e parë.
Tani, ju duhet t’i imagjinoni të dyja anijet, ku njëra është në ndjekje të tjetrës, në një det të qetë midis Athinës dhe ishullit të Lesbos; ma thoni nëse ka mënyrë më të bukur për t’i bërë një përmbledhje ndërgjegjes së lëkundshme etike të çfarëdo lloji demokracie. Jo, nuk ua them se cila anije mbërriti e para në Mitilini. Çohuni, shkoni në librari, shpenzoni më shumë se një euro, blini librin dhe kështu do ta mësoni se ç’ndodhi në vazhdim. Mund të kërkoni edhe në Google, nëse me të vërtetë nuk ju ka mbetur as edhe një grimë poezie…