Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër si loti
Shkruan: Jakup Krasniqi
Lufta Çlirimtare e Kosovës ishte e pastër si loti. Ajo luftë e fitoi mbështetjen ndërkombëtare dhe sot Kosova është e lirë dhe e pavarur. Pa Luftën Çlirimtare nuk do kishte ndërhyrje ndërkombëtare dhe për pasoj nuk do të kishte liri e pavarësi. Ketë liri e pavarësi që po e gëzojmë të gjithë, edhe ata që ishin kundër, edhe ata që bënë sehire dje dhe akuzojnë sot. Kjo liri e pavarësi ka bërë të mundur që Republika e Kosovës t’i ketë mbi 115 njohje ndërkombëtare. Pas Lirisë e Pavarësisë, të gjithë e kemi hisen tonë të papërgjegjësisë të grykësisë, të mashtrimit e të vetëmashtrimit! Rexhës, kur ia derdhen thesin e miellit, ju tha: “Herën e parë haram ju qoftë, çdo herë tjetër, hallall e keni”. Njeriu një herë edhe mund të mashtrohet, por jo pambarim!
Pa Luftën Çlirimtare, Kosova do të zbrazej nga shqiptarët (vetëm gjatë viteve të ’90-ta mbi 400.000 shqiptar qenë larguar nga Kosova), do të kolonizohej nga serbet, mbase do të qeverisej edhe nga ndonjë shqipfolës që e urrejnë organikisht gjithë përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, jo vetëm Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu siç është qeverisur për gati një shekull të tërë, nga argatët e kralëve të Serbisë e të Jugosllavisë, të Jugosllavisë se Tito- Rankoviqit e të Millosheviqit. Kur thash ketë, seç mu kujtua Fallmerayer-i i cili para 160 viteve thoshte: “Shqiptarët e kanë kujtesën e shkurtër”. Konstatimi i tij po del të jetë i sakët. Kujtesë shkurtër po tregohen edhe tani në dekadën e dytë të shekullit XXI disa kalemxhinjtë.
Mbase duhet ta kuptojmë, sundimi shekullor serb në Kosovë ka hedhur farën e tij e cila farë i ka prodhuar edhe frytet e saja edhe sot e kësaj dite. Dhe ajo farë kurrë nuk do të pajtohet me lirinë e pavarësinë tonë të fituar me flijime të shumta, flijime që i has në çdo fshat e qytet të Kosovës.
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa të cilën kurrë nuk do të vinte liria e pavarësia jonë, asaj nuk mund t’i vishet asnjë vepër kriminale e kryer në Kosovë pas 21/22 qershorit 1999, atëherë kur është nënshkruar demilitarizimi i saj, në Aeroportin e Sllatinës në mes Kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe Komandantit të KFOR-it – Gjeneralit Xhekson. Nga ajo datë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pushuar se funksionuari, sigurisht që kanë pushuar se ekzistuari edhe organet e saj drejtuese. Tani organe të tjera vendore e ndërkombëtare kanë marr përgjegjësin për drejtim e qeverisje. Çdo referim që i bëhet UÇK-së pas asaj date është i pa saktë. Akuzat le të varen aty ku e kanë vendin.
Është më shumë se e turpshme kur akuzat e ndonjë “intelektuali” shqipfolës sot puqen në plotëni me gënjeshtrat serbe. Populli ynë thotë: “Turpi nuk hahet me bukë”.
Lufta e jonë është rezultat i një lufte të pastër e titanike të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim e Bashkim Kombëtar, ajo ëndërr është plotësuar pjesërisht nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Është e turpshme që edhe pas njëzet viteve liribërësit tanë, duhet të mbrohen nga sehirbërësit e djeshëm e të sotshëm shqipfolësish?! Në kohën kur kundërshtarët dhe sehirbërësitë e djeshëm do të duhej të angazhoheshin për dënimin e gjenocidit serb. Zhvendosja e vëmendjes nga gjenocidi i konfirmuar serb ne “krimet” e pretenduara të UÇK-së, është krim në vete.
Do të ishte mirë që së paku “intelektualët” shqiptarë, para se të merreshin me këto broçkulla, të lexonin librin e Bardhyl Mahmutit: “Mashtrimi i madh” që ta shihnin se ku e kanë çerdhen e vetë të krimit akuzat e tilla për UÇK-në. Po si po duket edhe “intelektualët” tanë në kohën tonë po lexojnë pak.