Lufta hibride në Kosovë – e vërteta, trillime dhe spekulime
Shkruan: Hajdin Abazi
Shpërthimi që u bë më 29 nëntor në komunën e Zubin Potokut plandosi përtokë gjithçka që ishte pretenduar nga ana e kryeministrit për vendosjen e rendit dhe të sigurisë në veri: tregoi se aspak nuk ishte ashtu, dhe se propaganda nuk e mbulon dot realitetin e as e ndryshon.
Për dallim nga sulmi në Banjskë, i bërë nga forca të organizuara e të uniformuara, kjo në Varagë ishte ndryshe. Mund të kenë qenë të njëjtat forca, të uniformuara, ose krejt të tjera. Kjo nuk dihet. Derisa sulmi në Banjskë kishte për qëllim marrjen me anë të forcës ushtarake të veriut, shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë ishte akt sabotazhi, akt terrorist dhe që kishte për qëllim demonstrimin e një kapaciteti dëmshkaktues shumëdimensional.
Edhe më parë disa herë, por sidomos pas shpërthimit në Zubin Potok, policia bëri disa bastisje dhe gjeti një sasi të madhe të municionit, të uniformave dhe e mjeteve të tjera. Këto dëshmojnë se në veri jo vetëm nuk ka siguri, por krejt e kundërta është: se aty janë bërë përgatitje afatgjatë, të planifikuara dhe tash vihen në veprim sipas një strategjie të caktuar, për të shkaktuar pasiguri, tension dhe konflikte. Kryeministri doli se ka gënjyer publikisht për gjendjen në veri. Kryeministrat para tij, të paktën këtë nuk e kanë bërë.
Shpërthimi i kanalit të ujit në veri, duket si i sinkronizuar me tensionet një ditë më parë, më 28 nëntor, në Maqedoni të Veriu kur u hoq flamuri kombëtar atje dhe ndaj kësaj reagoi popullsia shqiptare atje. Ditë më parë erdhën edhe ca ushtarakë malazez në Kosovë me veturë ku ishte regjistrimi “Kosova është Serbi”.
Kjo tablo, nxjerr në shesh se Serbia ndjek një strategji destabilizimi, e mundet që forca të ndryshme ruso-kineze në Serbi, të jenë shtytës të këtyre veprimeve nga më të ndryshmet, të sinkronizuara dhe të koordinuara, që ndryshe quhen “luftë hibride”.
*
Lufta hibride është një term i ri i cili u fut në përdorim nga Frank G. Hoffman në studimin e tij “Konflikti në shekullin e 21-të: Shfaqja e luftës hibride”, botuar në dhjetor 2007. Koncepti është shumë i gjerë dhe përfshin thuaja të gjitha llojet e luftëra, të gërshetuara, si luftën politike, luftën konvencionale, luftën e parregullt, luftën kibernetike, lajmet e rreme, diplomacia, ligji, ndryshimi i regjimit dhe ndërhyrjet e huaja zgjedhore etj.
Ç’është e vërteta, luftëra të kombinuara, në shumë aspekte ka pasur thuaja gjithmonë, por koncepti referon te kushtet moderne të zhvillimit të luftës kur ajo bëhet edhe pa u deklaruar si luftë. Pra jo si luftë e hapur, p.sh. sikurse është aktualisht lufta ruso-ukrainase. Një luftë e kamufluar, e fshehtë, tinëzare, por që shkakton dëme të pallogaritshme. Çka është më interesantja, mbeten të papërcaktuar aktorët e vërtetë të luftës hibride dhe duhet shumë kohë të konstatohet nëse njëmend është e tillë apo jo.
Mundësit teknologjike kanë tejkaluar kufijtë shtetërorë, i kanë ngushtuar hapësirat gjeografike dhe i kanë bërë thuaja të gjitha caqet të arrira, pa shfaqjen direkte të agresorit, dhe shpesh edhe me vështirësi konstatimin e origjinës së sulmit. Kjo e bën të rrezikshme e të frikshme këtë lloj lufte, e cila, nuk përjashton asgjë dhe përfshin gjithçka. Edhe më herët, po sidomos nga lufta ruso-ukrainase lufta hibride u bë trend dhe një koncept me përdorim të gjerë, kur përdoret herë me vend e herë pa vend, si me qëllim për të detektuar të vërtetën e herë për të stisur një të vërtetë inekzistente, armiq dhe lloj lufte qe në fakt nuk bëhet, por që në kuadër të konceptit mund t’i atribuohet karakteri i luftës hibride.
*
Në Kosovë termi “luftë hibride” u përdor nga pushteti, konkretisht nga kryeministri Kurti. Është për t’u vënë re, se ajo u përdor në kontekstin e brendshëm, dhe sidomos sivjet, pasi u bë e qartë se do të mbahen zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025.
Luftë hibride quhet çdo veprim që bie ndesh me LVV-në dhe politikën e pushtetit, dhe nga kushdo që kritikat, qëndrimet kundër, mospajtimet dhe kundërshtimet mund të shfaqen.
Për shembull, kur prokuroria nuk sillet si levë e qeverisë dhe e LVV-së, kryeministri e quajti se po bën lufta hibride kundër politikave të tija.
Kur mediat i zbulojnë skandale qeverisë, ato etiketohen se po bëjnë luftë hibride ndaj qeverisë dhe Kurtit, e në shënjestër janë vënë të gjitha mediat, por veçmas Gazeta Nacionale, Portali Periskopi, e pjesërisht edhe Gazeta Express. E pra, një kryeministër i interesuar për qeverisje të mire do të duhej t’u shprehte mirënjohje mediave kritike për kontributin në zbulimin e aferave korruptive, nepotiste e abuzive, sepse kështu ato ndihmojnë drejtësinë për t’i ngulfatur këto veprime minuese të shtetit ligjor që po mëtojmë ta bëjmë. Me këtë, sikur po ju kërkon mediave një aleancë: na lini të qetë të abuzojmë me pushtetin, përndryshe ju shpallim armiq.
Kurse partitë opozitare, ato tashmë Kurti, Qeveria dhe LVV-ja i kanë targetuar si forca që bëjnë luftë hibride, kundër politikës së Kurtit. Epo, zoti kryeministër, përkund në botë, opozita nuk është për t’i mbajtur ison, por për ta kontrolluar në mënyrë demokratike e parlamentare, për ta kritikuar dhe për t’i adresuar fenomenet e dëmshme. E pikërisht këtë nuk e toleron dot qeveria Kurti, pasi që po i nxjerrin skandal pas skandali, po tregojnë se ai jo vetëm nuk qeveris më ndryshe nga pararendësit e tij, por madje edhe shumë më keq, pasi që e ka legalizuar nepotizmin, korrupsionin dhe abuzimet – kjo me vetë faktin se nuk distancohet dhe nuk i dënon asnjë nga këto vepra të kryera, kur kryesit i përkasin pushtetit të tij e sidomos jo partisë së tij.
*
Për ta paraqitur gjendjen si kaotike dhe tepër të rrezikshme, Kurti e përdori terminologjinë në trend të luftës hibride, për të selektuar forcat që nuk pajtohen me politikat e tij, me mënyrën e qeverisjes dhe që opinionit po i tregojnë se qeverisja e Kurtit nuk është e tillë sikurse po e paraqet pushteti. Dhe sigurisht, për besimtarët e tij të verbër, kjo është një gjuhë gjeniale e “udhëheqësit suprem”.
Kurti dhe vartësi i tij Murati, ministri i financave, gjithherë kanë manipuluar me statistika, dhe ndonëse kanë dalë ekspertë vendor që I kanë demaskuar, madje edhe kur kanë dalë institucione ndërkombëtare, ata nuk kanë pranuar asnjëherë se janë lajthitur, ose se kanë pasur të dhëna të gabuara, por e kanë kaluar në heshtje.
Heshtja, hedhja në harresë e manipulimet me statistika, me akuza e me etiketime, është shndërruar në filozofi politike të Kurtit, për t’iu shmangur së vërtetës, për ta inkurajuar trendin e gabuar, abuzivitetin që të vazhdojnë, pasi që kryeministri po i toleron dhe i ka shndërruar në aletë të qeverisjes.
Kjo filozofi e mbrapshtë nuk është shpikur nga Kurti. Ajo ka qenë konstante e regjimeve totalitare dhe, dihet: fundi i saj është i hidhur; kur të kuptohet e vërteta, shumë ithtarë e besimtarë do të zhgënjehen e do të tronditen, atëherë braktisja do të jetë masive.
*
Sa herë që Kurti është ndodhur para ndonjë vështirësie nuk ka hezituar të manipulojë me të kaluarën. Ai për dy dekada ka pohuar se asgjë nuk është ndërtuar në Kosovë, por kur policia kryen aksione efektive – mburret me të; e pra, kjo polici ka kryer veprime të tilla edhe më parë, dhe ajo është ndërtuar pikërisht gjatë kohës kur ai thoshte se asgjë nuk është ndërtuar e hairit në vend. Derisa tash mburret me policinë, heziton t’ua bëjë pagat të dinjitetshme!
Sidomos target e ka vazhdimisht goditjen e ish-kryeministrit dhe presidentit Hashim Thaçi. Për çdo dështim të tij, ngecje dhe mosecje përpara – fajet i ka Thaçi. Më 30 nëntor ai sërish e targetoi Thaçin. Ai është fajtor që nuk mund të dërgohet FSK-ja në veri, pasi që është pajtuar me KFOR-in qe vetëm në koordinim me të, FSK-ja të mund të shkojë në veri. Dihet se FSK-ja asokohe kishte tjetër mision nga çfarë e ka tash. Megjithatë, atë që ishte një veprim i duhur, koordinimi me NATO-n, përmes KFOR-it, Kurti e quan të gabuar. Jo se nuk e di që NATO, d.m.th. KFOR-i e ka të drejtën e rezervuar për siguri në Kosovë, por shtiret sikur nuk e di. Dhe me të drejtë një ish-bashkëluftëtar i Brigadës Atlantiku nga ShBA, i tha Kurtit – mos e përfill letrën e Thaçit, çoje FSK-në në veri!
Jo vetëm që nuk e bëri, por edhe më keq, u tregua se KFOR-i i kishte lejuar forcat e xhenios së FSK-së të shkonin në veri për sanimin e kanalit të shpërthyer nga akti terrorist, por që Kurti nuk e kishte dërguar. Atëherë, përse Kurti e akuzon Thaçin se ai po e pengon, kur e kishte rastin për ta dërguar FSK-në në veri, për të kryer një shërbim efikas në funksion të stabilitetit, por në vend të saj e dërgoi një kompani private!? Më së paku, kjo është mungesë e sinqeritetit dhe përpjekje për ta luajtur rolin e viktimës, se gjoja e kaluara po e pengon – epo kryeministër, duke mos qenë i pari, domosdo se do të kesh pasur një vazhdimësi nga e kaluara e kryeministrave, por tash, me mbi 50 % të forcës së pushtetit si asnjë kryeministër o pasluftës çlirimtare – e kishe shansin historik t’i bëje ndryshimet, por nuk i bëre dot.
A do të kishte vallë pretekst real më të favorshëm se sa dërgimi i xhenios së FSK-së për të treguar efikasitetin e vet në sanimin e gjendjes pas aktit terrorist në veri – dhe atë më bekimin e NATO-s përmes KFOR-it? Përse e humbe këtë shans, kryeministër, dhe përse po ankohesh se do ta kishe dërguar FSK në veri, sikur të mos ishte ajo letër e Thaçit e vitit 2013?
Ti që ke ardhur në pushtet duke akuzuar, sharë, fyer, etiketuar e propaganduar më shumë më fake facts se sa me të vërteta, ty nuk të ka hije dhe nuk të shkrep, roli i viktimës, sepse e ke pushtetin me mbi 50%!
*
Nga tërë propaganda që e drejton Kurtit, është zor të dihet se çka është e vërtetë e çka spekulim, sepse mjeshtërisht i ngatërron ato, që të mos mund të dallohen.
Për shembull, çfarë kanë mes vete kryeministri e presidentja? Ardhja e zgjedhjeve dhe konstatimi se më bashkë nuk mund të fitojnë ashtu që ta bëjnë shumicën, është shkaku themelor që i ka minuar raportet midis tyre. Përndryshe, në gjithçka, ata kanë qenë tandem. Kurrë presidentja nuk ka kundërshtuar për tri vjet, asgjë që ka bërë Kurti në minimin e partneritetit të Kosovës me SHBA. Dhe për gjithçka, ata janë njëlloj përgjegjës. Prandaj, nëse Kurti e Gërvalla kanë luajtur bixhoz me partneritetin tonë me perëndimin, presidentja ka qenë pjesëmarrje në atë lojë dhe nuk ka as dhe një fjalë të vetme që të jetë distancuar (deri kur u kuptua se nuk e ka më përkrahjen e Kurtit dhe se Kurti po ia merr partinë). Në fakt, nëse asgjë tjetër, presidentja e tha një të vërtetë: presidentja, kryeministri e kryediplomatja ne bixhozin e tyre e kanë nxjerrë humbëse Kosovën në raport me perëndimin. Por këtë nuk e tha ajo nga se është parimore, sepse po të ishte e tillë, do ta kishte bërë që në fillim. Dhe sikur të dihej se së bashku do të mund të fitonin sërish, do të vazhdonte veprimi i Kurtit e heshtja e presidentes.
Presidentja gjithçka mundet të pranojë, port ë mbetet pa pushtet – këtë jo, nuk mundet ta kapërdijë. Dhe ajo është treguar e zonja për të manovruar me objektiva arriviste. Këtë po e bën edhe tash. Duket se ka një marrëveshje të heshtur midis LDK dhe presidentes, për rikthimin e kësaj. Por ky do të ishte një rikthim, me pasoja për LDK, e sidomos për lidershipin e Abdixhikut. LDK-ja sot duket unike sepse nuk e ka përçarësen presidente brenda saj. Po qe se rikthehet ajo, atëherë Abdixhiku duhet të bëhet gati për të pësuar si Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa.
Duket se lufta midis partnerëve qeverisës ishte bërë në heshtje. Kurti e ka përvetësua udhëheqjen e partisë që e krijoi presidentja dhe kjo tash ka mbet pa partinë e saj. Por o ëndërron votat e vitit 2021, të cilat nuk do t’i ketë më.
Presidentja po shpurdh aq sa po mundet, për të penguar Kurtin, LVV-ja dhe “tradhtarët” e saj. Kjo ndodhi me pretendimin që ambasadat të organizojnë zgjedhjet, gjë që e kundërshtoi njeriu i vendosur nga presidentja në krye të KQZ. Edhe përpjekjen që zgjedhjet të organizohen në një institucion fetar në SHBA, në xhami, as kjo nuk do të lejohet. Kështu, presidentja po e pengon vjedhjen industrial të votave, dhe këtu po, njëmend, po jep një kontribut të duhur.
Madje edhe loja me “Darkën e lamës” nxjerri në pah përçarjen, kur ministri Peci e organizoi atë dhe aty, si një shenjtë shkoi Kurtit, por që u çshenjtëzua nga presidentja e cila jo vetëm nuk mori pjesë, por edhe tregoi se darka është një event që mbahet vetëm nën patronatin e presidentes, duke treguar kështu se ata po duan t’ia marrin kompetencat.
Se lakmia e presidentes për pushtet e bëri që Kurtin nga dikur që e quante Chaves, t’i thurte elozhe, ishte e vetëkuptueshme se kushdo që ta privonte nga pushteti, ajo do t’ia kthente goditjet. Të thuash se ka luajtur bixhoz me partnerët, domethënë në kurriz të Kosovës, është pohim se Kurti është Chavezi i dikurshëm.
*
Kurti definitivisht po ndjehet i frikësuar përballë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, ndaj dhe mori hov me organizmin e tubimeve parazgjedhore të organizuar nga ambasadat, duke e bërë diasporën sërish target. Por doli ambasadori gjerman dhe tregoi se ka limite për organizime të tilla në Gjermani, dhe ia ndali hovin, përndryshe do te qenë shndërruar ambasadat e konsullatat në filiale të LVV-së, të Kurtit e të Gërvallës.
LDK-ja është hedhur në luftë frontale kundër LVV-së, respektivisht kundër qeverisjes Kurti. Deputetja Hykmete Barjami po e demanton, demaskon dhe po i nxjerrë në shesh gënjeshtrat, mashtrimet dhe abuzimet e qeverisë Kurti. Duket se kjo linjë është e luftës agresivi e ka ndritur LDK-në nga letargjia e saj, duke e bërë një parti që nuk e toleron mashtrimin publik.
PDK-ja po zhvillon një fushatë të ekuilibruar, të matur, aspak agresive, krejt kualitative. Ajo nuk e ka objektiv sulmin, por risinë. Ajo po paraqitet si një alternativë serioze, dhe Bedri Hamza është kandidati më kredibil i saj i mundshëm. Fushata e tij është fushatë konstruktive, premtuese dhe kualitative. Hamza ka përvojë në qeverisje dhe reputacion të mirë.
AAK-ja po ashtu ka bashkuar disa aleatë të vegjël, dhe po duket se forcat e bashkuara, po japin efektin e vet: tubimet janë mirë të organizuara, fushata po zhvillohet me sens, po premtohen gjëra që njëmend duhet të bëhen.
Të gjitha këto po e zhvillojnë para fushatën me një frymë perëndimore, duket sikur kanë marrë modelet e SHBA, dhe pjesëmarrja po duket premtuese.
Por ajo që ende nuk e kemi parë në Kosovë, është organizimi i LVV-së. Ajo që po paralajmëron Kurti, se opozita dhe mediat po bëjnë luftë hibride kundër LVV dhe qeverisjes së saj, është tregues se nuk ka reflektim, ndjehet në komoditet në abuzimet me pushtetin dhe se do të sulmojnë gjithçka. Sepse Kurti dhe LVV-ja, në kursin e tashëm politik, munden vetëm me agresivitet, me sulme, të paraqiten sikur po pengohen të bëjnë mrekullitë që do të mund t’i bënin (sikur të mos ishte opozita dhe sikur mediat të mos ua zbulonin skandalet), ashtu sikurse thoshin me vite e dekada të tëra diktatoret e regjimeve moniste për të cilët pengesë ishin armiqtë e jashtëm e të brendshëm.
*
Shpërthimi që ndodhi në Varagë u duk sikur i shkoi për shtati Kurtit, sikur u përmbush profecia e tij për luftën hibride. Ndonëse britanikët kishin paralajmëruar rreth një muaj më parë dhe pra nuk ishte e papritur. Kurti menjëherë, natën vonë, mbajti një konferencë për media, ku akuzoi drejtpërdrejtë Serbinë, opozitën dhe mediat, madje bëri thirrje që këto të mos lexoheshin e dëgjoheshin nga shtetasit tanë! Nuk vonoi dhe nga Serbia, drejtpërdrejt nga presidenti serb Vuçiq, erdhën kundër akuza, duke aluduar se Kurti qëndron prapa shpërthimit. Dukej se po ngatërrohej lëmshi pazgjidhshëm. Dhe me siguri, sikur të mbeteshin vetëm shtetarët e Kosovës e të Serbisë, fjalët do të ishin shndërruar në granata e predha oratorie, sa qe konflikti do të vinte natyrshëm.
Ndërkohë që Kurti po merrej me stisjen e akuzave ndaj të gjithëve, Bedri Hamza, kandidati për kryeministër, shkoi atë mbrëmje në Varagë, në vendin e ngjapërrjes, kurse kryeministri shkoi të nesërmen dhe i shoqëruar me eskadronin e policisë!
Për fat, Ballkani Perëndimor është zonë e interesit perëndimor. Ndaj fillimisht ambasadori amerikan, pastaj ai britanik, gjerman, francez, NATO – KFOR-i, EULEX-i, deri te State Departamenti Amerikan dhe Bashkimi Evropian, reaguan ndryshe nga rasti i Banjskës. Ata nuk drejtuan gishtin kah Serbia. Ishin të rezervuar. Dhe më 3 dhjetor në Bruksel, takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin, bënë që këta të dy të shushatnin dhe të ndalnin retorikën luftënxitëse. Gjithandej u kërkua një hetim ndërkombëtar, i pavarur.
Presidentja e anuloi vizitën e saj në Brunei, për shkak të këtij akti terrorist. Në rrethana të tjera, nuk do të duhej ta bënte. Por duke parë se Kurti po do ta nxjerrë nga loja, ajo e njeh mirë këtë rrezik, ndaj dhe vendosi të rrinte në vend.
*
Fitorja e presidentit Trump në SHBA i ka prishur kalkulimet e Kurtit dhe të LVV-së. Ai nuk do të jetë tolerant sa ishte presidenti Biden. Kurti do të ndodhet para alternativave “mere ose leje” dhe pasojat dihen. Edhe BE duket se është irrituar me pabesinë e Kurtit, me premtimet dhe mos përmbushjen e tyre. Kështu nuk bëhet dot politika, sepse nëse liderët nuk i përmbahen asaj që e pohojnë, atëherë nuk ka qëndrueshmëri. Gjithnjë mund të gjendet ndonjë arsye për ta ndryshuar një qëndrim. Dhe kur ato arsye janë triviale ose pa bazë të mirëfilltë, krijohet përshtypja e labilitetit dhe e pasigurisë në rrugëtimin politik. E tash Kurti po përballet me lakadredhat e mashtrimet që i ka bërë në të kaluarën dhe nuk do të ketë më mirëkuptim, sepse as nuk është Putini rus e as Xi kinez e Trumpi amerikan hiç se hiç që të mund t’i ndryshojë rregullat e lojës. E kam thënë edhe më parë, Kosova mundet të prosperojë dhe të forcohet ndërkombëtarisht vetëm duke u bashkërenduar deri në detaje me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE, më një fjalë me Perëndimin; ndryshe – Kosova degradohet në perceptimin ndërkombëtar. Se nuk kemi të bëjmë vetëm me Serbinë, por edhe me Rusinë, me Kinën e me aleatët e tyre. Kosova duhet të tregohet konstruktive ne planin e brendshëm, me problemet e mprehta sikurse është veriu dhe në planin diplomatik, dhe të ndjehet me fat që në këto rrethana të turbullta ndërkombëtare i ka në mbështetje vendet më të fuqishme të Perëndimit.
Presidentja dikur heshtake, pasi që Kurti është larguar thuaja pakthyeshëm nga SHBA dhe Perëndimi, tash është bërë e zhurmshme në raport me qëndrimet ndaj Perëndimit. Ajo po e bën këtë, për të nxjerrë më në pah figurën antiperëndimore të Kurtit, për hesape të veta e jo për Kosovën. Dhe duhet kujtuar se presidentja i ka vënë njerëzit në krye të AKI-së, të Policisë dhe komandantin e FSK, dhe kjo i jep disa favore asaj kundër Kurtit. Por ajo e ka me hile edhe qëndrimin proamerikane dhe properëndimore, sepse po ta kishte parim – nuk do të heshte në tri vitet e mjaltshme të bashkërendimit në gjithçka me Kurtin, dhe do të vazhdonte të rrinte po aq e heshtur, sikur t’i garantohej se do të zgjidhej sërish president.
Kjo është ajo presidentja e cila, duke e mbajtur burrin e saj për dore sikur të shkonin në ndonjë sfilatë, kaloi përskaj personelit teknik që ishte në grevë, as pa e kthyer kokën kah ato, duke i injoruar totalisht gratë që ishin në grevë nga halli. Krejt pohimet e saj për angazhim për gratë, për barazi, për avancim grash e të këtilla, u shembën atë ditë.
Presidentja është një njeri që kurrë asgjë nuk ka dhënë as ajo e as burri i saj për Kosovën, vetëm kanë marrë prej saj, por që, për shkak të veprimeve abuzive të qeverisë Kurti, ajo ka mbetur nën hijen e tyre. Ka dhe më tepër, sigurisht por, mbase, ndonjëherë tjetër.
Lufta e presidentes me kryeministrin nuk është luftë për parime, për ligjshmëri e për demokraci është, thjesht, luftë midis gladiatorësh për pushtet, që kur shohin se e humbin atë, nuk kursejnë asgjë.
*
Kjo është një tablo e luftës hibride në Kosovë. Diçka është e vërtetë, diçka krejt trillim, shume spekulime, shumë të pavërteta, gënjeshtra, fshehje faktesh. Fat, shumë fat, që Kosova është në zonën e interesit të Perëndimit, të ShBA-BE, që po na mbrojnë nga armiqtë realë të jashtëm, por edhe nga vetvetja, nga destruktiviteti i politikanëve vendorë, destruktivitet i cili e ka dëmtuar Kosovën pallogaritshëm.
Elektrizimi paraelektoral është vetëm ngrohje për fushatat elektorale. Atëherë, do të shpërthejë kanalizimi, jo kanali i Varagës, po kanalizimi politik, sa që duket se të gjithë do të portretizohen si armiq, pro serb dhe anti-Kosovë. E kjo, realisht, është një aspekt i luftës hibride, kur degradohet gjithçka, mbillen dyshime vend e pavend, dhe kur krijohet një atmosferë mosbesimi thuaja total.
US, please stay with us!