Lufta kibernetike, qeveritë e Evropës vihen në alarm
Gara e armatimit mes shumë shteteve, terrorizmi islamik apo konfrontimi me Rusinë e me Korenë e Veriut janë disa nga rreziqet, për të cilat tërheqin vëmendjen ekspertët ushtarakë.
Por, si një rrezik tjetër të madh, ata konsiderojnë edhe sulmet kibernetike.
Prej sulmeve kibernetike është e prekur edhe Gjermania. “Hacker”-ët arritën të depërtojnë në rrjetin e kompjuterëve të qeverisë gjermane, apo të disa kompanive të mëdha vendase. Nuk ka javë, që ekspertët të mos zbulojnë sulme të reja.
Gjurmët e tyre të çojnë shpesh në Rusi, Kinë apo Korenë e Veriut. Për këtë shkak, qeveria gjermane po investon prej vitesh për sigurinë kibernetike.
Në Bonn gjendet Komanda e ushtrisë gjermane “Bundeswehr” për Mbrojtjen nga Sulmet Kibernetike (CIR), e cila u përurua në vitin 2017. Në të punojnë deri tani 260 ushtarakë dhe civilë. Ata merren me mbledhjen e informacioneve për shërbimin sekret të ushtrisë, sigurinë kibernetike dhe mbledhjen e informacioneve gjeografike.
Mbrojtja kibernetike është bërë e rëndësishme, jo vetëm për shkak të sulmeve ndaj sistemeve të kompjuterëve të qeverisë apo firmave gjermane. Sipas njoftimeve të organeve të rendit, spiunazhi dhe sabotimet kibernetike, si dhe fushtat e dezinformimit dhe përhapjes së lajmeve të rreme, bëjnë pjesë sot ndër instrumentet standarde të shërbimeve sekrete të huaja, si dhe të “hacker”-ëve sidomos nga Rusia, Kina dhe Irani./tch/