Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është obligim institucional dhe etik
Nga Albin Kurti
Me Projektligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit që miratuam dje në mbledhjen e Qeverisë, viktimave të dhunës në familje, viktimave të trafikimit me qenie njerëzore dhe viktimave të dhunimit, që kryesisht janë gra dhe vajza, do t’iu mundësohet qasje e menjëhershme në kompensim.
Kjo për t’ua lehtësuar financiarisht përballjen me pasojat e dhunës por mbi të gjitha për t’ua njohur e pranuar dhimbjen që padrejtësisht e kanë vuajtur. Për t’u thënë e garantuar që nuk janë vetëm dhe nuk duhet të jenë.
Në përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën me bazë gjinore, me synimin e përafrimit dhe zbatimit të obligimeve të dala nga Konventa e Stambollit, po e përmirësojmë kornizën ligjore. Derisa ka shumë nene të dobishme e përparimtare në legjislacionin tonë që presin zbatim, duhet të punojmë edhe në përmirësimin e pasurimin e mëtejmë të ligjeve tona. Asnjëherë nuk duhet të jemi të vetëkënaqur kur angazhohemi për barazi.
Për të parandaluar dhunën, në radhë të parë na duhet angazhim e punë e përbashkët institucionale e shoqërore. Dhuna ka shumë forma e ne duhet ta trajtojmë çdo ndërthurje të diskriminimit të përjetuar nga gratë e vajzat. Duhet të aktivizohet çdo segment i shoqërisë por urgjenca bie mbi policinë dhe institucionet e drejtësisë. Mosndëshkimi është vepër tjetër që nuk guxojmë ta tolerojmë.
Lufta kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave është obligim institucional dhe etik për ta ruajtur jetën dhe për t’i mbrojtur të drejtat e garantuara, por është edhe përpjekje për barazi. Ky është obligim gjithashtu. I të gjitha ndërgjegjeve përparimtare.
Në fund të nëntorit, në hapje të fushatës “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave” kam thënë se përkushtimi ynë institucional për eliminimin e dhunës vazhdon çdo ditë.
Sot nuk jemi në fushatë por nuk ka ditë të rëndomta për barazi. Të gjitha janë të vlefshme. Sot, pas përmbylljes së saj e ritheksojmë: Beteja për ta eliminuar këtë problem madhor është e përditshme, e përhershme dhe qeveria jonë është në ballë të saj.
Shteti që kemi ëndrruar, jemi angazhuar e kemi luftuar për të, është shtet i lirë, i drejtë e i barabartë për të gjitha e për të gjithë.