Lufta në Kosovë dhe rikthimi te vizatimet e fëmijërisë
Vepra e Petrit Halilajt hulumton identitetin kulturor, kombin dhe trashëgiminë, si dhe idetë e kujtimeve dhe lirive personale e kolektive, thuhet në njoftimin e Galerisë “Tate”, për ekspozitën “Very Volcanic Over This Green Feather” (Shpërthim vullkanik mbi këtë pupël të gjelbër).
Halilaj jeton dhe punon mes Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë. Puna e tij përfshin skulpturën, videon, vizatimin dhe tekstin, si dhe pëlhurat dhe materialet tradicionale.
Halilaj po e prezanton një vepër të re të fuqishme në galerinë “Tate St Ives”. Instalacioni i tij rikthehet te 38 vizatimet e fëmijërisë që i bëri në kampin e refugjatëve në Kukës, gjatë Luftës së Kosovës (1998–99), kur ai ishte trembëdhjetë vjeç. Duke shtresuar imazhet e varura në shkallë të gjerë, në gjithë galerinë, mjedisi zhytës i Halilajt kombinon imazhet që e shoqëruan gjatë konfliktit. Peizazhet prekëse rurale, zogjtë dhe kafshët, ndërthuren me skena lufte dhe dhune. Ai na e zbulon marrëdhënien e ndërlikuar të realitetit dhe imagjinatës, midis këndvështrimeve shpesh divergjente të historive zyrtare dhe përvojave të jetuara.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 16 janar 2022.