Lufta në Ukrainë, Kurti në takim me Xhaferin: Duhet të jemi të kujdesshëm, por nuk frikësohemi

04 mars 2022 | 16:40

Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe hapat e mëtejmë për shtimin e bashkëpunimit, ishin në qendër të takimit të sotëm të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Kurti ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet ndërshtetërore miqësore.

Ndërsa kryeparlamentari Xhaferi ka shprehur mbështetjen e pa rezervë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për synimet e Republikës së Kosovës, dhe për të gjitha nismat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai ka thënë se pikëpamjet dhe pikësynimet e të dy vendeve janë të përbashkëta.

Duke biseduar për kontekstin aktual politik dhe gjeopolitik të rënduar, pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë është theksuar interesimi për të koordinuar politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik të të dyja vendeve dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë.

Kryeministri Kurti ka theksuar se është tejet e vlefshme që qëndrimet e të dy shteteve të forcohen me bashkëpunim të ndërsjellë.

Ai ka thënë se duhet të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi.

Kurse Xhaferi ka thënë se beson që këto zhvillime kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të përshpejtuar procedurat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë në këto procese.

Gjatë takimit është ngritur shqetësimi për militarizimin e Serbisë, dhe kërcënimin që paraqet kjo për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Kryeministri Kurti ka thënë se këtë situatë e rëndon mohimi i njohjes së Kosovës nga Serbia, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999 si dhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Këtë pranverë në mbarë Kosovën përkujtohen përvjetorët e masakrave të kryera nga Serbia mbi popullatën civile”, ka thënë Kurti.

Në këtë takim është biseduar edhe për progresin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup. Po ashtu është biseduar edhe për rrugën Prizren- Tetovë dhe përshpejtimin e punimeve për të mundësuar ndërlidhjen infrastrukturore dhe për të lehtësuar komunikimin mes dy vendeve.

Në aspekt të raporteve ekonomike është biseduar për shkëmbimet tregtare dhe investimet ekonomike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tenistja australiane Ashleigh Barty, numri 1 në botë, ka konfirmuar…