Lufta në Ukrainë | Putin në pritje të përçarjes në aleancat e Kievit
Kievi po lufton për të ruajtur aleancat e tij ndërkombëtare pasi, 19 muaj pas fillimit të luftës me Rusinë kanë filluar të shfaqen shenja lodhjeje.
Sondazhet e fundit të opinionit si në Europë ashtu edhe në SHBA kanë treguar një rënie të përgjithshme të gatishmërisë së popullit për të mbështetur Ukrainën, veçanërisht kur bëhet fjalë për fonde shtesë dhe furnizim me pajisje ushtarake.
Dhe, siç mund të pritet, politikanët, qofshin në pushtet apo në opozitë, nuk mund të mos i japin përparësi opinionit publik të qytetarëve të tyre, votuesve të tyre të mundshëm.
Zgjedhjet janë vendimtare
Kjo, në fund të fundit, duket edhe nga diferencat që lindin mes partive politike të vendeve të Europës, por edhe në SHBA, siç theksojnë analistët gjeopolitikë.
Kjo është shumë më e theksuar në vendet që janë pranë zgjedhjeve, si Polonia, Sllovakia dhe SHBA, ku është një përpjekje e dukshme e pushtetarëve për t’i dhënë përparësi politikës së brendshme.
Rusia do të nxitojë të shfrytëzojë dobësitë dhe çarjet në marrëdhëniet e Kievit me aleatët e saj.
Analistët rusë janë të sigurt se Putini po mbështet përçarjet mes Perëndimit për Ukrainës, si politikisht ashtu edhe ushtarakisht.
Treguese ishin deklaratat e para nga pala e Moskës, kur javën e kaluar u shfaq hapur përçarja mes Polonisë dhe Ukrainës, me rastin e refuzimit të së parës për të zbatuar vendimin e BE-së dhe heqjen e ndalimit të importit të drithit ukrainas.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia “sheh fërkime të qarta midis Varshavës dhe Kievit” dhe parashikoi që ato fërkime do të intensifikoheshin.
Në fund të fundit, Rusia ka krijuar kushtet për rritjen e tensioneve në Europën Lindore lidhur me çështjen e grurit, pasi u tërhoq nga marrëveshja e Detit të Zi në korrik, raporton abcnews.al.
Pas kësaj, më pas do të lindte nevoja për importin e grurit ukrainas përmes Europës Lindore.
Tension me vendet e Europës Lindore
Kjo ka nxitur tensione, me vendet e Europës Lindore që kërkojnë të mbrojnë të ardhurat e fermerëve të tyre nga drithërat më të lirë ukrainas.
Tensionet arritën kulmin javën e kaluar kur Ukraina ngriti padi kundër Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë në Organizatën Botërore të Tregtisë për refuzimin e tyre për të hequr kufizimet.
Gjërat u përshkallëzuan më tej kur Presidenti Zelensky u duk se i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se mbështetja e disa prej aleatëve të Ukrainës ishte hipokrite, duke provokuar një reagim nga Varshava e cila shkoi deri aty sa të njoftonte se nuk do të dërgonte më armë në Ukrainë, me pretekstin e duhet të mbulojë nevojat e veta për pajisje, raporton abcnews.al
Polonia ka qenë një nga donatorët më të mëdhenj të ndihmës ushtarake, duke dërguar pajisje ushtarake në Kiev që nga fillimi i pushtimit rus dhe duke ofruar ndihmë humanitare për miliona refugjatë ukrainas që ikin nga lufta.
Kthesa e dukshme nga Polonia dhe Sllovakia, e cila gjithashtu është zotuar të ndalojë ofrimin e furnizimeve ushtarake për Ukrainën, ka një tjetër, nëse jo të vetmin shpjegim. Të dy vendet po shkojnë drejt zgjedhjeve kombëtare në javët e ardhshme dhe kanë çdo arsye për të joshur votuesit.
Një problem edhe në SHBA
Në anën tjetër të Atlantikut, vendimi i presidentit amerikan për të dërguar më shumë sisteme dhe municione të mbrojtjes ajrore në Ukrainë nuk u pëlqeu republikanëve, shumica e votuesve të të cilëve kundërshtojnë financimin shtesë për Ukrainën.
Siç tha akademiku Sergei Medvedev për CNBC, duke shprehur shqetësimin për zvogëlimin e mbështetjes së zjarrtë perëndimore për Ukrainën, të gjithë janë të shqetësuar për zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA dhe qëndrimin e qytetarëve amerikanë, veçanërisht nëse republikanët kthehen në pushtet.
Prandaj, theksoi ai, ka shumë variabla që mund të ndikojnë në qëndrimin e Perëndimit./abcnews.al