Lufta për grurin (dhe kush po përfiton)
Të veshur me uniforma të bardha, admiralët në komandë të flotës ushtarake turke, bullgare dhe rumune njoftuan në 1 korrikun e kaluar nisjen e operacioneve MCM në Detin e Zi, një grup pune i përbashkët që do të mbikëqyrë operacionet e pastrimit të minavei. Gjatë fazave fillestare të pushtimit të Ukrainës, në fakt, forcat ruse kishin mbushur ujërat e brigjeve armike me mina. Megjithatë, disa mina janë zhvendosur me kalimin e kohës, duke e bërë të rrezikshëm lundrimin në basen.
Edhe pse nuk është objektivi i deklaruar, aktiviteti do të shërbejë gjithashtu dhe mbi të gjitha për lehtësimin e korridorit të ri ukrainas të grurit. Pasi një vit më parë Moska u tërhoq nga marrëveshja që i kishte lejuar Kievit të eksportonte prodhimin e konsiderueshëm të drithërave nga deti (në vitin 2024 do të jenë rreth 50 milionë tonë, nga të cilët rreth njëzet janë grurë), qeveria e Volodymyr Zelenskyt doli me një zgjidhje alternative. Ajo ka krijuar një rrugë të re, e cila nga porti i Odesës prek brigjet lindore të Detit të Zi, duke kaluar ujërat territoriale të sigurta të fqinjëve, jashtë rrezes së raketave ruse, deri në ngushticën e Dardaneleve, nga e cila më pas ngarkesat shpërndahen drejt destinacioneve të tyre në të gjithë botën.
Një marifet që i ka lejuar Ukrainës, e konsideruar si një hambar i botës, të kthehet në eksportimin e vëllimeve të konsiderueshme të fruteve të tokës së saj: para konfliktit, në fakt, vetëm ajo mbulonte një të dhjetën e nevojave të botës për grurë, misër, elb dhe fara luledielli. Në shkurt, falë rrugës alternative, më shumë se pesë milionë tonë produkte bujqësore arritën të largoheshin nga vendi: një shifër rekord në kohë lufte.
Megjithatë, nuk është e sigurt që, edhe me brigjet e lira, Kievi do të jetë në gjendje të ruajë një nivel të tillë eksportesh, duke qenë se dërgesat e nisura muajt e fundit ishin mbushur me sasitë e mbetura në kapanone gjatë muajve të mëparshëm. Prodhimi ukrainas në fakt duhet të përballet me humbjen e territoreve pjellore lindore dhe jugore, të korrat e të cilave tani pasurojnë Moskën, dhe me dëmin e shkaktuar nga dy vjet konflikt, që vlerësimet e brendshme e vlerësojnë të paktën tetëdhjetë miliardë dollarë, midis fushave të shkatërruara nga bombat ose shumë afër linjave të armikut, infrastrukturës së shkatërruar dhe makinerive bujqësore të rrënuara.
Vetëm sulmet ajrore kundër kapanoneve në portin e Odessas bënë hi 60 mijë tonë drithë, sasi kjo që do të mjaftonte për të ushqyer më shumë se një çerek milioni gojë për një vit. Pavarësisht rëndësisë së grurit ukrainas në tregjet globale, ndikimi në çmimet botërore ka qenë i përmbajtur.
Pasi u ngritën në qiell në muajt e parë të luftës, duke arritur një rritje prej 30 përqind, ato gradualisht u ulën, duke shkuar drejt një rritje të përgjithshme prej dy deri në tre përqind.
Tregjet qetësohen nga disponueshmëria e gjerë e burimeve alternative nga të cilat mund të sigurohen furnizimet, duke qenë se drithërat korren nga Kanadaja në Australi, nga Spanja në Indi.
“Situata e çmimeve në tregjet e ushqimeve bazë është mjaft e qëndrueshme për momentin”, shpjegon Monika Tothova, ekonomiste e lartë në Divizionin e Tregtisë dhe Tregjeve të FAO-s, organizata e OKB-së për ushqimin. “Ia vlen të theksohet se si rriten të korrat parësore në kontinente të ndryshme, duke krijuar rezerva në rast se, për shembull, ngjarjet ekstreme klimatike ndikojnë në prodhimin në disa zona të botës. Në një rast si ky, vende të ndryshme mund të importojnë drithëra si gruri nga vende të tjera, duke ndryshuar zonën e furnizimit”.
Ndonëse të vogla, rritjet e çmimeve nuk janë aspak lajm i mirë për popullsitë më të varfëra në planet, të cilat shpenzojnë deri në tre të katërtat e pagës për t’u ushqyer, as për ata, si refugjatët nga Sudani dhe shumë zona të tjera kritike të prekura nga konfliktet dhe tensionet, që varen nga ndihma ndërkombëtare për mbijetesë. Pasojat e vazhdimit të luftimeve në Ukrainë për çmimet e drithit vlerësohet se do të shtyjnë 23 milionë njerëz të tjerë në uri, deri në vitin 2030.
Pastaj, ka nga ata që kanë mundur të përfitojnë nga situata në favor të tyre: Kina, e shtyrë nga oreksi i saj i pashtershëm për burime parësore. Pekini në fakt është bërë importuesi më i madh i ushqimit në botë, duke shpenzuar 140 miliardë dollarë çdo vit për të marrë ushqim të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e mbi 1.4 miliardë banorëve. Dy janë shkaqet kryesore që e bëjnë prodhimin vendas të pamjaftueshëm: e para është se vendi, pavarësisht se mban një të pestën e popullsisë njerëzore, ka më pak se një të dhjetën e sipërfaqes së punueshme në botë. Megjithatë, kjo përqindje është në rënie, për shkak të praktikave të paqëndrueshme bujqësore që varfërojnë tokën me lëndë ushqyese dhe ndërtimet agresive për t’i lënë vend infrastrukturave dhe ndërtesave. Për më tepër, fermerët kinezë duhet të përballen me mungesën e ujit, e cila gjithashtu prek shumë nga rajonet e dedikuara për kultivimin e grurit.
Por kërkimi i gjigantit aziatik për furnizime të reja nxitet edhe nga evolucioni i zakoneve të konsumit të banorëve të tij, të cilët janë gjithnjë e më të pasur dhe kanë nevoja të reja. Me një shtresë të mesme që tani përfshin një në dy qytetarë, kërkesa për një larmi dhe sasi më të madhe ushqimi po rritet: shembull mbi të gjitha është konsumi i mishit, i cili është trefishuar në tridhjetë vitet e fundit.
Presidenti Xi Jinping e di mirë rëndësinë e ushqimit për ruajtjen e konsensusit të brendshëm, aq sa ai ka ndërhyrë personalisht për të nxjerrë direktiva mbi këtë temë dhjetëra herë në vitet e fundit. Ndër tryezat në të cilat qeveria e tij po luan për kontrollin e burimeve të rëndësishme ushqimore, është edhe loja ruso-ukrainase. Gjatë periudhës në të cilën ishte në fuqi marrëveshja për “korridorin e parë të grurit”, Kina porositi sasi të mëdha gruri ukrainas, të blerë natyrisht me një çmim të zbritur për shkak të rreziqeve më të mëdha të sigurisë. Një propozim që qeveria e Volodomyr Zelensky, edhe pse kuptohet jo entuziaste për të pasur si klient partnerin kryesor strategjik të pushtuesit rus, nuk ishte në gjendje ta refuzonte pasi kish bërë llogaritë.
Megjithatë, lideri kinez nuk e ka harruar mikun e tij nga Kremlini dhe në vitin 2022 përuroi Korridorin e tij New Land Grain, terminali i parë hekurudhor në botë i specializuar për transportin e drithërave, që lidh Kinën me shtetet e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, përkatësisht Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe mbi të gjitha Rusia, duke rritur importet e drithërave nga kjo e fundit me 78 për qind.
Përveç kësaj, falë infrastrukturës së re, e cila do të lëvizë 22 mijë kontejnerë në të njëjtën kohë, tetorin e kaluar Xi Jinping dhe Vladimir Putin nënshkruan një marrëveshje mbresëlënëse, sipas së cilës fuqia euroaziatike merr përsipër t’i shesë kompanive të “fqinjit të pangopur”, 70 milionë tonë vaj të drithërave dhe farave gjatë dymbëdhjetë viteve të ardhshme, për një vlerë prej mbi 25 miliardë dollarësh. Është një pakt që ka dobi gjeopolitike dhe ekonomike: Moska mund të zvogëlojë ndikimin e sanksioneve perëndimore në eksportet e saj bujqësore dhe potencialisht të arrijë tregje të reja në Azinë Lindore.
Pekini mund të diversifikojë më tej burimet e furnizimit, duke u mbrojtur nga një embargo e mundshme tregtare e SHBA-së dhe ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit, si ato që ndodhën muajt e fundit në Detin e Kuq, me sulmet e milicëve Houthi mbi anijet, ngarkesat perëndimore dhe në Panama, ku thatësira ka ulur kapacitetin e tranzitit në kanal.
Me pak fjalë, për presidentin kinez, siguria ushqimore e vendit është një çështje strategjike dhe jo vetëm politike. Siç dihet, në librin Arti i Luftës, strategu legjendar kinez Sun Tzu shkruante: “Një ushtri pa drithë dhe ushqim është e humbur”. Dhe mund të vihet bast se Dragoi, në betejën e tij për epërsi globale, nuk ka ndërmend të mposhtet nga një sulm urie. / bota.al