Lufta tregtare e Trumpit po i hap Kinës dyert e Evropës

24 mars 2025 | 08:29

Si një spektatore shumë e interesuar e manovrave të mëdha kontinentale (Groenlanda, Panamaja, Kanadaja) dhe evropiane të administratës së re amerikane, Kina pyet veten: deri ku mund të shkojë (tentativa për) një afrim ruso-amerikan? A do ta rihapë ftohja e re transatlantike nga ana e Uashingtonit shtegun e ngatërruar evropian të Rrugës së Mëndafshit? Sa më shumë do ta vinte kjo e para në vështirësi Kinën, aq më shumë e dyta do të përziente kartat në lojë. Në lojën e tregtisë ndërkombëtare, do ta kthente Pekinin në kampion të liberalizimit të shkëmbimeve tregtare. Një mesazh që ministrat e ndryshëm kinezë nuk lodhen së përsërituri, që nga konferenca e Davosit.

Një luftë tregtare SHBA–BE mund të bëjë që veshi evropian të bëhet më i ndjeshëm. Prej nevojës, jo se do.

Kina – dhe nuk ankohet për këtë – nuk ka qenë deri tani në qendër të vëmendjes së Donald Trump-it. Vëmendja e tij në politikën e jashtme është përqendruar mbi Rusinë dhe, në plan të dytë, mbi Ukrainën. Për presidentin amerikan, Zelensky është thjesht një mjet në marrëdhënien që ai dëshiron të ndërtojë me Putinin, objektivin e tij të vërtetë, ndërsa evropianët janë lënë në sallën e pritjes.

Po a nuk është Kina rivali i madh global i Shteteve të Bashkuara?

Po, Pekini është goditur me dy raunde tarifash 10%, një kosto e rëndë për një ekonomi që varet në masë të madhe nga eksportet, ndaj së cilës ka reaguar me kundërmasa të përafërta. Por përplasja, edhe në nivel retorik, është ndalur aty. Ndërkohë që Trumpi nuk ka kursyer shigjeta ndaj Bashkimit Evropian, Kanadasë dhe aleatëve aziatikë si Japonia dhe Koreja e Jugut.

E papërmendur ndonjëherë si armik direkt nga administrata Trump, Kina padyshim është gëzuar për ftohjen e ndjeshme të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Taipeit. Politika amerikane ndaj Tajvanit mbetet e bazuar në “ambiguitetin strategjik”, domethënë të mos thuhet se çfarë do të bëhej në rast të një agresioni kinez ndaj ishullit – theksi është gjithnjë e më shumë te ambiguiteti, e më pak te strategjia.

Nga ana e vet, Pekini po intensifikon manovrat ushtarake rreth Tajvanit, pa provokuar reagime aq të forta sa ato të administratës Biden.

Duke parë përtej, nuk mund të mos vërejë se në rihapjen e dialogut me Moskën kontribuojnë edhe ata që mendojnë se në këtë mënyrë mund të shkëputet, ose të paktën të largohet, Rusia nga Kina. Për t’u përqendruar më pas te rivali i vërtetë – Kina.

Një operacion mbi kurrizin e Ukrainës, por presidenti transaksional Trump nuk ka shumë skrupuj. A nuk është i gjithë libri i tij “arti i marrëveshjes”, i mbështetur mbi këtë?

“Realistët” e politikës së jashtme janë skeptikë. Jo sepse miqësia ruso-kineze është “pa kufij”. Kufijtë ekzistojnë, por lidhjet janë strukturore, me një varësi të fortë ekonomike të Moskës nga Kina.

Sidoqoftë, nuk është një skenar që Pekini mund ta injorojë, sado siguri t’i japë Vladimir Putini mikut të tij Xi Jinping. Mënyra më e mirë për ta përballuar këtë situatë do të ishte përfshirja në lojën që po luhet në Europë, pra në Ukrainë. Ja pra që pas muajsh heshtjeje të shurdhër – përveç disa banaliteteve për “të ndalur konfliktin” – nga Pekini papritur vijnë sinjale gatishmërie për të marrë pjesë në një forcë të ardhshme paqeruajtëse.

Le të lëmë mënjanë çështjen se sa e realizueshme është kjo, nëse mund të përkufizohet si një forcë ndërmjetësimi neutrale (“paqeruajtësit”) apo si një garanci ndërkombëtare për një Ukrainë të pavarur nga agresionet e ardhshme ruse, e cila do të duhej të ofrohej nga aleatët e Kievit (zgjidhja “koreane”). Pjesëmarrja kineze do të mund të hynte vetëm në rastin e parë, ndoshta e pranueshme për Moskën. Por kjo i përket të ardhmes së mundshme.

Në të tashmen, duke shprehur gatishmërinë për një rol pas konfliktit në Ukrainë, Pekini synon të vendosë një këmbë në Evropë, pikërisht duke u lidhur me “marrëveshjen” ruso-amerikane. Me një qëllim të dyfishtë: të mos përjashtohet nga Moska dhe Uashingtoni, dhe të vendosë një marrëdhënie strategjike me Kievin dhe, mbi të gjitha, me Evropën.

Për këtë të fundit, Pekini ka kohë që synon në fushën ekonomike, teknologjike dhe tregtare. Por rruga është e vështirë.

Marrëveshja për investime BE–Kinë e vitit 2020, e mbështetur fort nga Angela Merkel, ka dështuar, ndërkohë që në Bruksel Kina shihet gjithnjë e më shumë si një “konkurrent i pandershëm”, siç e tregon vendosja e tarifave nga BE vitin e kaluar për makinat elektrike kineze.

Qasja për “minimizimin e rrezikut” që vjen nga Kina, në përputhje me atë amerikane, nuk ka ndryshuar, edhe pse pritet që administrata e re amerikane të kërkojë nga evropianët të shtrëngojnë edhe më shumë frenat. Por gjithçka mund të bëhet në një frymë bashkëpunimi transatlantik.

Gjithsesi, bëhet më problematike në një klimë lufte tregtare SHBA–BE, si ajo në të cilën mund të gjendemi që nga mesi i prillit. Mund të ndodhë që të dilet nga kjo situatë përmes negociatash – do të kishim dashur të negocionim para se të shkëmbenim tarifa dhe kundërmasa, BE-ja e ka provuar në çdo mënyrë të mundshme, por Uashingtoni, ose më saktë presidenti amerikan, kërkon më parë luftën dhe vetëm pastaj, ndoshta, paqen. Pra më parë tarifat, pastaj negociatat.

Por nëse lufta mbetet, me një Donald Trump që beson ideologjikisht në fuqinë “shëruese” të tarifave, Evropa do të gjendet e shtyrë të kërkojë një marrëveshje tregtare me Kinën.

E cila nuk pret gjë tjetër.

Loja e “tre letrave” e Henry Kissinger-it largoi Pekinin nga Moska në vitin 1972. Sot në Uashington ka nga ata që mendojnë ta përsërisin këtë manovër në drejtim të kundërt. Por pasojë e padëshiruar mund të jetë afrimi i Brukselit me Pekinin dhe lënia e Uashingtonit në izolim.

Ndoshta përtej oqeanit mungon një Kissinger që të mendojë për këtë. / Stefano Stefanini (La Stampa – Bota.al)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Kagan Themeluesit e Shteteve të Bashkuara e dinin se…