Luftanija amerikane rrëzon dronët nga Jemeni
Një luftanije amerikane i ka rrëzuar tre dronë pasi që u sulmua në Detin e Kuq, ka thënë Komanda Qendrore Amerikane.
Ajo ka thënë që luftanija USS Carney po u ndihmonte anijeve që kishin lidhje me 14 shtete të tjera, pasi që ato ishin shënjestruar nga rebelët Houthi në Jemen.
Dy prej anijeve qenë goditur nga predhat, mirëpo nuk kishte pasur viktima.
Ndërkaq, një zëdhënës i Houthit ka thënë që marina e tyre i kishte sulmuar dy anije izraelite, mirëpo ushtria e Izraelit ka thënë që këto anije nuk kishin pasur kurrfarë lidhjeje me Izraelin.
Grupi Houthi, që mbështetet nga Irani, ka nën kontroll disa pjesë të Jemenit që kur kjo lëvizje e kishte rrëzuar qeverinë e këtij vendi më 2014, duke nisur kështu një luftë civile në këtë shtet.
Ajo së fundmi ka filluar që t’i shënjestrojë anijet e lidhura me Izraelin në Detin e Kuq për shkak të luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Gaza.