Luftë e egër për pushtet e jo për shtet

07 prill 2025 | 14:03

Behxhet Sh.  SHALA – BAJGORA

Sulmi nga varret politike: Ndonëse kaluan më shumë se dy muaj nga zgjedhjet e fundit, ende nuk është formuar asnjë institucion. Të gjithë po blejnë kohë, pa para, madje paguhen shumë mirë për punën që nuk e bëjnë apo edhe për bllokimet që i bëjnë. Presidentja e Kosovës, Vojsa Osmani në një pushim disaminutësh të ndërrimit të aeroplanit caktoi 15 prillin ditën kur do të funksionalizohet Kuvendi i Kosovës e që është brenda afateve të parapara me ligj. KM i Kosovës, Albin Kurthi nisi takimet me partitë më të fuqishme në Kosovë për formimin e institucioneve. Gjithashtu u takua me individë të fuqishëm e të pazëvendësueshëm, të njohur për angazhim të përhershëm dhe të pamohueshëm politik dhe patriotik, siç janë irredentisti nga Livaxha, Nenad Rashiq, Amazona nga Prizreni, Emilly Bronte Rexhepi, Faraoni nga Peja apo alter ego i Kaçketës, Elbert Krasniqi, Supermeni nga Prizreni, Fikrim Damka dhe disa jeniçerë të Erdoganit. Të gjithë këta e kënduan para Kurthit këngën “Besa – besë,  besën ta kem dhënë, se për Turqinë, Serbinë dhe Egjiptin, jetën kem me e dhanë….”. Thonë se Kurthi jo vetëm u përlotë por ra në trans nga besnikëria e këtyre përfituesve të posteve dhe privilegjeve në të gjitha qeveritë dhe regjimet në Kosovë, që nga përfundimi i luftës. Petalja kryesore e tërfillit fatsjellës ishte Adem Hodza nga Lista Serbe që shërbeu si xhoker në të gjitha regjimet dhe qeveritë duke e bërë të lumtur edhe Vojsa Osmanin me votën që u bë presidente. A do ta bëjë të lumtur edhe Albin Kurthin duke e votuar për KM të Kosovës?! Them se po, edhe Kurthin sikur edhe zemlaken e Radoiçiqit, “zonjën” Limoza Kulari – Gadafi. Adem Hodza ishte hapareshë në zyrën e uzurpuar nga Kurthi si të ishte vet Ymer Prizreni. Kurthi dukej i vogël, sigurisht nga modestia. Kur Kurthi ka nevojë për dikë apo diçka, shndërrohet në mizë, kur e shliron prapanicën, bëhet balenë apo elefant. Shkelë çdokënd apo çdo gjë që i del përpara, ata që e kanë ndihmuar apo përkrahur, i shkelë të parët e që është në përputhje me vlerat më të larta morale. Rregullat e Gottit – Morali i Kurthit! Se Kurthi është largpamës në politikë dhe në edukatë seksuale tregon fakti se nuk i ftoi fare për konsultime partitë e minoriteteve, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në. Si e parasheh ligji për diskriminim pozitiv, e ftoi kryetarin e Nismës për Malishevën, Fatmir Limën, jo në zyrë por sipas disa mediave, në një restorant për një darkë pune. Disi si Darka e Judës. Pas kësaj, njeriu me trupin më të madh në LV e që nuk mund të thuhet e njëjta edhe për trurin, tha se e pati puna e qeverisë, falë Limës që për ta marrë Malishevën e brenë edhe hekurin. Pastaj, edhe kumbara i spasiqëve të Obiliqit, kriminelë lufte, i cili për shkak të gjenialitetit politik përsëri është bërë deputet, tha publikisht se Kurti do të jetë kryeministër, Glauk Bin Sherifi, kryetar i Mexhlisit sikur që edhe të tjerët do t’i kenë postet e njëjta, në bazë të meritokracisë dhe integritetit profesional të munguar. Në fund të fundit kush mund të zëvendësojë Donikë Katran Shvarcin, manikenen Lenka Çukon që ka bërë aq shumë reforma në fushën e dizajnit, floktarisë dhe manikyr – pedikyr. Apo Hajnrullahun, paramilitarin e Financave, Parazitin e Shëndetësisë, Sherlock Kaçket Holmsin, Cen Mishin dhe të tjerë me të cilët, me plotë të drejt m(b)urret Çlirimtari i Shtimes që fort bindshëm, në jetën e përditshme po e përditëson rolin e Jack Nikolsonit në filmin “Fluturimi mbi folenë e qyqes”. Haxhi Qamili nga Pz, në paranojën e certifikuar legjendare po thotë se serbët e arrestuar në Jakovë dhe Perzeren kanë pasur qëllim që përmes luftës hibride (pordhëve dhe barutit) kanë ardhur ta rrëzojnë Albin Kurthin dhe ta rikthejnë në pushtet opozitën! Ese thuaj këtij hajvan, sipas kritereve të Kurthit. Është doppio hajvan. Po ta lëmë këtë humor të Zi e t’i kthehemi realitetit, që gjithashtu është i zi, katran i zi.

Kosova, në bisht të sorrës: Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq në planin ndërkombëtar, nga një i llastuar, jemi krejtësisht të harruar! E kemi filluar, me Kurthin dhe në krye me Kurthin (KM e kemi), luftën brenda llojit, midis kosovarëve dhe shqiptarëve, për vota, poste dhe pushtet, duke mos menduar fare për shtet. Sa i përket Amerikës politikisht thuaja jemi me Iranin. Evropa na i ka futur sanksionet. Kina nuk na respekton fare fuqinë politike dhe ekonomike. Me aleatin Ukrainën që nuk na njehë si shtet, po e humbim luftën kundër Rusisë. India as pambuk nuk po na shet. Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin i dorëzuam në Hagë, tash i fërkojmë duart duke lutur zotin Kurthi të mos lirohen, në Maqedoni të Veriut ia futëm Aliut të UÇK-së e po ia kruajmë Bekim Koçes të Kurthit, në Luginë u bëmë lesh që na lënurë Serbia, Brazili po na shet mish ku 30 për qind janë krimba, 30 për qind janë salmonelë dhe 40 për qind mbetje të mishit. Hungaria na ka ndaluar gullashin, Mali i Zi na ka marrë “shqiptaromadhin” Abazoviqin etj.etj.

Donald Tramp i ka prishur të gjitha rregullat e lojës, nuk tregon se kur dhe si ta ngulë. Si asnjëherë më parë, Serbia në planin ndërkombëtar është 100 për qind më mirë se Kosova. Në kohën kur Vuçiq do të shkon në takim me Trampin, Albin Kurthi pret në takime të rëndësisë së jashtëzakonshme, Dilmal Bashën dhe Dezhona Mihalidis. Madje, më as gjyshi Dendias nuk po e thërret në Greqi në seancat e thekjeve të topeve që Albini e pati shndërruar në rutinë dhe ritual. Në këto rrethana kur askujt nuk i kujtohet se është një vend i quajtur Kosovë dhe se Kosova nga një partner i besuar në tavolinë të bisedimeve është shndërruar në pjesë të menysë në tavolinat e hijenave, dhe kur neve mund të na lënë një asht për ta lëpirë duke e ushqyer Serbinë me mishin tonë, Albin Kurthi po i del ballë këtyre sfidave dhe hijenave me shpurën analfabete, antikombëtare të cilët, pjesa më e madhe nuk e ka asnjë kontribut personal apo familjar. Luftë apo më mirë ta them është pordhë e Don Kishotit. Me këta “mashqi të lodhur”, Albin Kurti me shpejtësi po largohet nga Shqipëria dhe po afrohet – mvaret nga Serbia! E pastaj po ankohet se Vuçiqi po i bënë hajmali apo magji me deputetë serbë dhe pakica joserbe! Nuk po e lë t’i formojë institucionet, të bëhet kryeministër etj. Po ky e pati çliruar Kosovën, pati integruar serbët, e mundi Serbinë, e shtriu sofrabezin e sovranitetit. E pse po ankohet tani?! Po e thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të bërë presion psikologjik, për asgjë tjetër. Për të marrë ndonjë votë përmes kërcënimit apo mashtrimit emocional. Po ta kishte përnjëmend do të ftonte PDK-në, LDK-në dhe AAK-në për të ndërtuar një skuadër që do të luante sipas interesit kombëtar dhe shtetëror. Para atyre që imponojnë dhe marrin vendime do të dukej më serioz, do të pranohej dhe trajtohej me më shumë respekt. Duke lënë anash PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe duke luajtur me lojtarë si nenada, elberta, fikrima, emilija, rasima, do të përfundojë në moçal dhe kanalizim, të historisë, kombëtar, politik, njerëzor dhe moral. Fatmir Limaj mund ta ndihmojë Kurthin ta bëjë qeverinë kurse Kurthi mund ta ndihmojë Fatmir Limën që Malishevën ta bëjë kryeqytet politik të Limajt gjë që  Fatmiri ketë edhe e kërkon. Më shumë ka interes Limaj ta marrë Malishevën për 4 vjet se të bëhet kryetar i Kuvendit apo zëvendësues i Hysen Durmishit. Kuvendi dhe qeveria mund të shpërndahen para përfundimit të mandatit kurse mandati i udhëheqjes së komunës është 4 vjet. Aspak nuk e besoj sikur që nuk e besojnë as Kurthi dhe Limaj se shtrirja e tyre në shtratin e quajtur Kosovë bëhet për shkaqe kombëtare apo për shtet. Ekskluzivisht bëhet për pushtet.

Qeveria e pakicës  Kurthi 3, vetëm me minoritete dhe minorenin politik Limaj nuk vlen as për pesë para sikur që të njëjtin mendim e ndajë për qeverinë e pakicës që do ta formonte opozita.  Asgjë e hajrit nuk del nga qeveritë e pakicave.

Prandaj këmbëngul në një konsensus politik dhe kombëtar për formimin e qeverisë për një kohë të caktuar, deri sa të bëhet një zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Në këtë rast nuk do të jetë nevoja as të blihen deputetët, as të luten pakicat destruktive, as t’i nënshtrohet shantazhit  etj. Ndarja e  pushtetit do të bëhej: LV-ja do të udhëhiqte qeverinë me Kurtin apo kënd të duan KM kurse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja do të ndanin udhëheqjen e Kuvendit dhe presidencën. Pasi të kenë përfunduar  procesi do të shpalleshin zgjedhjet dhe vota do të përcaktonte pastaj udhëheqjen e re. Kjo është e vetmja mënyrë që të shpëtohet çka mund të shpëtohet, të përballohen vendimet e vështira dhe të dhimbshme siç e përsërisin gjatë çdo takimi vendimmarrësit ndërkombëtar. Çdo veprim tjetër është batakçillëk, mujshari impotente dhe luftë donkishotiane, jo për shtet por për pushtet!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfunduan 28 xhirot e rregullta në ProCredit Superligën e Kosovës…