Luftë e mundshme Turqi-Greqi? Çfarë paralajmërojnë ekspertët ushtarakë amerikanë
Athina hodhi poshtë pretendimet turke dhe akuzoi Ankaranë për shkelje të hapësirës së saj ajrore.
Të dyja vendet paraqitën ankesa në NATO për incidentet dhe më pas fshirja e një postimi në Twitter nga Komanda Tokësore e NATO-s (LANDCOM) që uronte Turqinë për Ditën e Fitores, shkaktoi zemërim në Ankara.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ashpërsoi polemikat, kur foli në fillim të kësaj jave në Teknofest, një ngjarje e konsideruar si panairi më i madh i aviacionit dhe hapësirës ajrore në Turqi.
“Kujtoni historinë. Nëse vazhdoni kështu, do të paguani një çmim të rëndë. Mos harroni Izmirin,” tha ai, duke aluduar për një disfatë të forcave greke në qytetin perëndimor në vitin 1922.
Ai u bëri jehonë atyre fjalët në fillim të kësaj jave, duke paralajmëruar se “Turqia mund të vijë krejt papritur një natë.”
Komentet e tij u perceptuan nga zyrtarët grekë si kërcënime për ndërmarrje të veprimeve ushtarake kundër ishujve të Detit Egje. Athina thotë se është gati të mbrojë sovranitetin e saj.
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias i kërkoi NATO-s, partnerëve të Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara të dënojnë zyrtarisht atë që ai e cilësoi si “polemikë të ashpër dhe gjithnjë e më agresive nga zyrtarët turq” në letrat drejtuar tre organizmave ndërkombëtarë, kopjet e të cilave u siguruan nga The Associated Press.
Në një deklaratë dërguar Zërit të Amerikës, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit u bëri thirrje dy aleatëve të zgjidhin dallimet e tyre në mënyrë diplomatike.
Duke përmendur agresionin rus në Ukrainë, Uashingtoni tha se deklarata që mund të rrisin tensionet midis aleatëve të NATO-s janë “veçanërisht të padobishme”, duke shtuar se “sovraniteti i Greqisë mbi ishujt nuk është në diskutim”.
Pentagoni tha se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin ka theksuar nevojën për të ulur tensionet në Egje përmes dialogut konstruktiv gjatë bisedimeve të tij të mëparshme me homologët grekë dhe turq.
Luftë e mundshme?
Tensionet me rrënjë të thella i kanë sjellë Turqinë dhe Greqinë pothuajse në prag të luftës tre herë në 50 vitet e fundit.
Analistët i thonë Zërit të Amerikës se nuk shohin një zgjidhje të shpejtë, duke vënë në dukje historinë e trazuar të marrëdhënieve dypalëshe
“Do të duhej një ndërmjetës me aftësi dhe ndikim që të jetë në gjendje të dalë me një propozim me të cilin të bien dakord dy vendet. Por nuk e shoh në horizont një gjë të tillë,” thotë për Zërin e Amerikës, Jim Townsend, ish-zëvendës ndihmës sekretar amerikan i mbrojtjes për politikën evropiane dhe të NATO-s.
Zoti Townsend është aktualisht një bashkëpunëtor i lartë në Programin për Siguri Transatlantike të Qendrës për një Siguri të Re Amerikane.
Philip Breedlove, gjeneral në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së, i cili shërbeu si komandant suprem i NATO-s nga viti 2013 deri në 2016, tha se problemet e vjetra midis Turqisë dhe Greqisë shfaqen dhe zbehen kohë pas kohe.
“Udhëheqja në Turqi po e shtyn vendin në drejtime të caktuara që kanë bërë që këto tensione të rriten edhe një here, siç ka ndodhur gjatë viteve,” argumenton ish-komandanti i lartë i NATO-s në një intervistë telefonike me Zërin e Amerikës.
Gjenerali Breedlove, i cili tani është anëtar i lartë i Institutit për Lindjen e Mesme, tha se NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë menaxhuar tensione të ngjashme në të kaluarën.
Shqetësimet për çarje në unitetin e NATO-s
Përplasja e fundit midis Turqisë dhe Greqisë ndodh ndërsa NATO i ka përqëndruar përpjekjet në shfaqjen e një fronti të bashkuar kundër Rusisë përballë agresionit në Ukrainë.
Ekspertët janë të shqetësuar se nëse tensioni përshkallëzohet deri në pikën e konfliktit, presidenti rus Vladimir Putin mund të përfitojë.
“Çfarëdo çarje të lehta që mund të shfaqen në unitetin evropian, Putini mund t’i bëjë ato më të mëdha. Pra kjo jo vetëm qëdo të cënonte unitetin evropian, por mund të depërtojë në NATO, nëse një vend ose një tjetër përdor NATO-n si armë për të lënduar tjetrin”, thotë zoti Toënsend.
Ai paralajmëron se ato çarje mund të shfrytëzohen nga Moska me afrimin e dimrit; Rusia tashmë ka shkurtuar eksportet e saj të gazit në Evropë.
Dinamika zgjedhore
Turqia dhe Greqia kanë secila zgjedhje vendimtare vitin e ardhshëm. Presidenti turk Erdogan vlerësohet se po përballet me një sfidë madhore ndaj qeverisjes së tij 20-vjeçare mes problemeve ekonomike të vendit dhe problemeve të imigracionit.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i zgjedhur në vitin 2019, duket se ka pësuar një humbje popullariteti pjesërisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, e nxitur në masë të konsiderueshme nga lufta në Ukrainë.
“Retorika nga të dyja palët ka qenë gjithmonë pjesë e problemit dhe është diçka që nuk ndihmon”, thotë zoti Townsend.
Gjenerali Breedlove bie dakord. Ai beson se një pjesë e polemikave të fundit janë për “efekt të audiencave të brendshme”.
Akt balancues
Shtetet e Bashkuara dihet se kanë ruajtur një ekuilibër mes rivalëve rajonalë, duke u shprehur se si Turqia edhe Greqia janë aleate të rëndësishme të NATO-s.
Athina dhe Uashingtoni ripërtëritën një marrëveshje dypalëshe ushtarake për pesë vjet dhe marrëveshja u ratifikua nga parlamenti grek në verë, ditë përpara se kryeministri grek të vizitonte Uashingtonin në mes të majit.
Marrëveshja i jep Shteteve të Bashkuara më shumë qasje ushtarake në bazat e Greqisë. Kreu i Shefave të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Mark Milley u takua me homologun e tij grek, Konstantinos Floros, në Pentagon në korrik. “Udhëheqësit ushtarakë diskutuan çështje të interesit të përbashkët,” thuhej në një deklaratë nga zyra e tij.
Kjo vizitë u pasua nga vizita e ministrit grek të Mbrojtjes Nikolaos Panagiotopoulos në Pentagon më 18 korrik për t’u takuar me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin. Ata diskutuan “partneritetin në rritje të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë dhe bashkëpunimin e ngushtë në baza, [dhe] modernizimin e mbrojtjes”, sipas një deklarate nga Pentagoni.
Ata diskutuan gjithashtu “nevojën për të ulur tensionet në Egje nëpërmjet dialogut konstruktiv.”
Zoti Austin foli me homologun e tij turk, Hulusi Akar, më 25 korrik, duke diskutuar “nevojën për përpjekje të vazhdueshme për të reduktuar tensionet në Egje përmes dialogut konstruktiv”.
Kërkesat turke dhe greke për mbrojtjen
Greqia po kërkon të blejë avionë luftarakë F-35 nga Shtetet e Bashkuara. Vendi i kërkoi zyrtarisht avionët luftarakë në qershor. Turqia u përjashtua nga programi F-35 për shkak të blerjes së një sistemi të avancuar me raketa S-400 nga Rusia. Ankaraja dëshiron të blejë F-16 dhe paisje modernizimi nga Uashingtoni. Shitjet e armëve nga Shtetet e Bashkuara në vendet e huaja i nënshtrohen miratimit të Kongresit. Analistët argumentojnë se vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus S-400 ishte një goditje e madhe për bashkëpunimin e mbrojtjes midis Uashingtonit dhe Ankarasë, i cili sipas tyre ka qenë tradicionalisht shumë i fortë.
Zoti Townsend, i cili ka punuar për 30 vjet në Pentagon me çështjet e Turqisë, i thotë Zërit të Amerikës se shpreson që marrëdhëniet e ngushta me Turqinë, të rikthehen.
Ai shpreson se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ofrojnë F-16 të kërkuara nga Turqia, dhe se administrata amerikane- duke punuar me Kongresin – do të jetë në gjendje të lejojë që të realizohet një gjë e tillë.
Gjenerali në pension i Forcave Ajrore ka të njëjtën shpresë.
“Kërcënimi i përbashkët”
Ish-komandanti i NATO-s argumenton se Turqia mori disa vendime sigurie që e afronin atë me “armikun e NATO-s”, duke iu referuar blerjes së S-400 nga Rusia, e cila u identifikua si kërcënimi më domethënës dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve në dokumentin e konceptit strategjik të NATO-s.
“Armiku nuk është Greqia kundër Turqisë dhe Turqia kundër Greqisë. Është NATO kundër Rusisë. Ne duhet të kuptojmë se kush është armiku,” i tha zoti Breedlove Zërit të Amerikës.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të donin të vazhdonin bashkëpunimin me Turqinë, sepse ajo është një pjesë shumë e rëndësishme e aleancës së NATO-s, pavarësisht zbehjes së fundit të marrëdhënieve, duke shtuar se ai nuk mund të flasë për politikën e qeverisë aktuale amerikane.
Por ai pranoi gjithashtu se “Greqia është më pranë linjës që Amerika do që të ndjekë në rajon”, duke thënë se Uashingtoni do të dëshironte të kishte të njëjtin lloj marrëdhëniesh me Turqinë.
Ai u bën thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë që të fokusohen në mënyrën se si mund të rikthejnë të njëjtin nivel bashkëpunimi në vend që të largohen nga njëri-tjetri.
Kritika e Presidentit Erdogan për politikën e Perëndimit ndaj Rusisë
Ndërkohë, zoti Erdogan ka akuzuar së fundmi vendet perëndimore se po provokojnë Rusinë, pa përmendur emra.
Duke folur në një konferencë shtypi në Serbi, ai sugjeroi se “politika e Perëndimit ndaj Rusisë bazohej në provokime.” Ai u zotua të vazhdojë politikën balancuese të Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës, duke shtuar se Rusia nuk është një vend që mund të nënvlerësohet.
“Rusia ka ndërprerë gazin natyror. Çmimet në Evropë kanë shkuar në qiell. Të gjithë tani po shqetësohen se si do ta kalojnë dimrin,” tha zoti Erdogan.
Turqia furnizon Ukrainën me dronë luftarakë, të cilët përdoren nga Kievi për të shkatërruar objektivat ruse në konflikt. Ankaraja luajti gjithashtu një rol me Kombet e Bashkuara si ndërmjetëse për të siguruar marrëveshjen që lejoi rifillimin e eksporteve të grurit nga portet në Ukrainë. Por ajo nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë./VOA