“Luftë hibride”, “po i gëzohen sulmit”: Akuzat e Kurtit ndaj mediave, analistëve dhe opozitës – Mesazhe përçarëse në një moment kritik për Kosovën
Në natën kritike, kur Serbia kishte sulmuar infrastrukturën kritike të Kosovës në veri, kryeministri Albin Kurti kishte gjetur kohë për të sulmuar në mënyrë të ulët mediat, analistët dhe opozitën. “Shpërthimet” e tij në konferencë, lanë nën hije shpërthimin në Ibër Lepenc.
Në kohem kur Kosovës i duhet më se shumti uniteti, kryeministri Albin Kurti përçonte mesazhe përçarëse tek qytetarët e Kosovës. Derisa në konferencën e jashtëzakonshme për media, në mesnatë, ai e njoftonte opinionin publik për sulmin terrorist të Serbisë në kanalin ujor të Ibër Lepencit, shefi i qeverisë nuk hezitoi të shpërthente edhe ndaj mediave, analistëve dhe opozitës.
Pa e pyetur askush, gjatë adresimit të tij, Kurti ka akuzuar gazetarët dhe opozitën se po i “gëzohen” shpërthimit në veri.
Madje, për disa minuat, ai i mësonte edhe qytetarët se si dhe sa duhet ta duan vendin.
Ani pse një numër i mediave kishin shkuar ta përcillni konferencën e vonë të tij, ai iu bënte thirrje qytetarëve që të mos i lexojnë disa media.
“Situata si kjo shpesh janë edhe cak i fushatave të dezinformatave dhe keqinformimit të qëllimshëm, andaj ju ftoj që të jeni të vëmendshëm ndaj lajmeve që i shihni, lexoni, dëgjoni dhe t’i përcillni udhëzimet dhe njoftimet e institucioneve përmes kanaleve zyrtare”, ka thënë Kurti.
Pa pasur asnjë fakt, ai ka akuzuar media se janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës.
“Në fund ju bëj thirrje qytetarëve që të refuzojnë të informohen nga disa portale që ata i njohin shumë mirë, e që fatkeqësisht ndonjëra më shumë e ndonjëra më pak janë bërë pjesë të një lufte hibride kundër Republikës së Kosovës, popullit të Kosovës dhe kombit shqiptar mbarë. Është e domosdoshme që të refuzojnë qytetarët e vendit tonë të mendojnë si disa opinionistë e disa opozitarë, të cilët i gëzohen, dikush në mënyrë direkte e dikush në mënyrë indirekte, asaj çfarë ndodhi sonte”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, i pari i qeverisë i ftonte qytetarët që ta duan vendin e tyre.
“Pra duhet ta mbrojmë vendin tonë dhe kjo bëhet duke e dashur vendin tonë dhe kjo bëhet duke refuzuar të dezinformohemi e të keqinterpretojmë çfarëdo që ka ndodhur sonte dhe e rrezikon apo e kërcënon vendin tonë”, ka thënë Kurti.
Në paraqitjen e tij të vonshme, Kurti nuk e la pa e përmendur edhe një marrëveshje të ish-kryeministrit Hashim Thaçi.
“Ne në veri vazhdojmë të jemi të suksesshëm përkundër faktit që nuk e kemi ushtrinë tonë atje, për shkak të asaj letrës të 19 prillit të vitit 2013, që FSK-ja nuk bën ta kaloj lumin Ibër. Dhe ne kemi vazhduar ta respektojmë atë gjë. E kemi trashëguar e kemi respektuar. Sepse po dëshmojmë që jemi qeveri e të njëjtës Republikë”, ka thënë Kurti.
Dënohet gjuha e Kurtit
Sulmet e kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave dhe opozitës kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Ndër të paret që ka reaguar ndaj kritikave të kryeministrit ka qenë kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, Imer Mushkolaj.
Ai ka kërkuar nga kryeministri që të bëj punën e tij.
“Mediat po bëjnë atë që iu takon – po raportojnë në kohë reale për sulmin terrorist në veri. Me të tjerat merren institucionet. Bëjeni punën tuaj, kryeministër”, ka shkruar Mushkolaj.
Kurse, drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se askush nuk ka të drejtë të iu tregojë qytetarëve se si dhe sa ta duan vendin e tyre.
“Në një konferencë të jashtëzakonshme, në mesnatë, si kjo sonte, askush nuk ka të drejtë të na tregojë se si dhe sa duhet ta duam vendin tonë. As ju kryeministër!? Qytetarët, për dekada të tëra, e kanë dëshmuar çdo ditë se e duan këtë vend më shumë se veten e tyre. Është paradoksale që ne të vazhdojmë t’ua dëshmojmë këtë dashuri politikanëve si ju, sa herë që juve ju teket. Para se të na bëni thirrje ne qytetarëve që ta duam këtë vend, duhet të ktheni gishtin nga institucionet dhe vetja juaj. A e keni pyetur veten nëse veprimet tuaja konkrete si udhëheqës të institucioneve janë duke prodhuar efektet që ky vend ka nevojë? Sepse dashuria për vendin në fund matet me efektin?!”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, shpërthimi në kanalit të “Iber-Lepencit,” është ngjarje që nuk mund të reduktohen thjesht në “luftë hibride” të mediave apo analistëve.
“Sulmet e armatosura, si ato në stacionin policor dhe në komunën e Zubin Potokut, apo sonte sulmi ndaj kanalit të “Iber-Lepencit,” janë akte të qarta të dhunës dhe terrorizmit që cenojnë sigurinë dhe rendin në Kosovë. Këto ngjarje nuk mund të reduktohen thjesht në “luftë hibride” të mediave apo analistëve, por duhet të trajtohen siç janë. Interpretimi i arsyeve dhe pasojave të këtyre akteve është një proces kompleks, dhe në një shoqëri demokratike diskutimet dhe mendimet e ndryshme janë jetike. Qofshin dhe të gabuara. Dhe nuk duhet të presësh, z. Kryeministër, që të gjithë të mendojnë si ju dhe vetëm si ju”, ka shkruar Kryeziu.
Kurse, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, kritikat e Kurtit i ka cilësuar si të turpshme.
“Ne e dimë që Serbia është armiqësore, por qeveria jonë duhet të jetë në gjendje të ofrojë mbrojtje. Ka dështuar. Aq me keq, qeveria jonë e akuzon opozitën që ‘po gëzohet’ për aktin terrorist. E turpshme. Kurti e ka pushtetin e plotë, na ka rrejt qe ka sjellur rend e ligj në veri. Ky është dështim. E tash po i akuzon tjerët”, ka shkruar Gjini në profilin e tij në “Facebook”. /Nacionale/