Luftë në Ukrainë, po; shpërthime në Rusi, çdo javë
Edhe pse lufta po zhvillohet në territorin e Ukrainës, gjithnjë e më shumë po raportohet se si po ka ‘konflikte’ në vetë territorin e Federatës Ruse.
Gjegjësisht, në javët e fundit në gjithë Rusinë janë regjistruar shpërthime, në të cilat janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në depo municioni, depo të naftës, por edhe në objekte si Instituti Ushtarak Rus në Moskë.
“Javët e fundit ka pasur zjarre dhe shpërthime të shumta në rajonet ruse pranë kufirit, përfshirë edhe Kurskin, për shtatë ditë, zjarri përfshiu edhe depon e naftës në Berdyansk”, theksojnë mediat.
“Ka qenë sabotim, ka filluar procedimi penal. Megjithatë, kjo nuk do të ndikojë në lëvizjen e trenave në këtë rajon”, tha guvernatori i rajonit, Roman Starovoit.
Shpërthimi i fundit u regjistrua më 2 maj në një fabrikë municionesh pranë maleve Urale, ku mbetën të vdekur dy punëtorë.
“Një shpërthim u regjistrua në fabrikën e municionit në Perm, rreth orës 20:00. Dy punëtorë mbetën të vrarë nga zjarri dhe disa u plagosën”, raportojnë mediat ruse.
Edhe pse informacionet për sabotim nuk janë konfirmuar ende, shumë analistë besojnë se ekziston mundësia që Ukraina po përpiqet të “transferojë” luftën në territorin e Federatës Ruse dhe kështu të sjellë trazira në Kremlin.
Deri më tani, zyrtarët ukrainas kanë mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje të mundshme në shpërthimet në Federatën Ruse.
Nga ana tjetër, edhe pse mediat ruse thonë se ekziston mundësia që ukrainasit të kenë kryer sabotime që kanë dërguar në shpërthime, zyrtarët rusë janë ende të kujdesshëm me deklaratat e tyre.
Mirëpo, në momentet kur lufta po zhvillohet në territorin e Ukrainës, shpërthimet në territorin e Rusisë janë diçka që Kremlini sigurisht i sheh si një fenomen shumë shqetësues që mund të kontribuojë edhe në paqëndrueshmërinë e brendshme të shtetit.