Luftëtar i lirisë, apo bandit i uebit?
Pas arrestimit në Francë të Pavel Durovit, themeluesi dhe CEO i Telegram, është interesante të shikosh se sa i larmishëm është kampi i atyre që i kanë dalë në mbrojtje. Siç pritej, absolutistët e tregut të lirë dhe të lirisë së shprehjes ishin të parët që e mbështetën, të joshur nga mungesa e rregullave në Telegram dhe ngurrimi – ose më mirë refuzimi – i administratorëve të tij për të respektuar ligjet dhe rregulloret.
Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe disa figura publike ruse dhe opozitarë, të cilët përdorin Telegramin për të përhapur mesazhet. Më e veçantë është reshtimi në favor të tij e blogerëve ushtarakë rusë, të shqetësuar nga ideja se Perëndimi mund të ketë akses në sekretet e mbajtura nga Telegram. E në fund, megjithëse në të kaluarën Presidenti Vladimir Putin e detyroi themeluesin e Telegram të largohej nga vendi, sot mbështetësit e tij përfshijnë edhe zyrtarë dhe propagandues të Moskës.
Si një gjeni i ri teknologjik, në vitin 2006 ai themeloi rrjetin social VKontakte (VK), i cili kishte një avantazh të madh konkurrues ndaj konkurrentëve: nuk monitoronte respektimin e pronësisë intelektuale. Për vite VK ishte kryesisht një mjet për të shkarkuar filma, video lojëra dhe produkte të tjera falas, një strategji e favorizuar nga dobësia e zbatimit të ligjit në Rusinë e Putinit. Natyrisht, kjo qasje sipërmarrëse që përfitoi nga joefikasiteti i sistemit gjyqësor, i kishte disa kufizime. Fundi i partneritetit midis Durovit dhe VK, në këtë kuptim, është një shembull klasik se si funksionon Rusia: në një moment të caktuar dy oligarkë të afërt me Putinin vendosënn se donin të blinin rrjetin social dhe, përdorën shërbimet sekrete për të ulur çmimin dhe kërcënuan Durovin, i cili përfundimisht shiti aksionet dhe u largua nga Rusia.
I sigurt falë milionave të nxjerra nga shitja dhe larg Moskës, Durovi nisi shërbimin e mesazheve Telegram. Ashtu si VK, Telegram kishte gjithashtu një avantazh ndaj konkurrencës: pak vëmendje ndaj mbrojtjes së të drejtave të autorit. Bukuria e aplikacionit, më shumë sesa në besnikërinë e tij ndaj vlerave të lirisë, qëndron në mungesën e çdo lloj rregulli moderimi dhe funksionimi. Sot ky aspekt tregohet si shkaku kryesor i arrestimit të sipërmarrësit. Autoritetet franceze po hetojnë mos-bashkëpunimin e Telegram me policinë në hetimet për trafikun e drogës, pornografinë e fëmijëve dhe mashtrimet në internet.
Aktivistë dhe propagandistë
Në Rusi, Telegram është bërë i njohur në mesin e kategorive të ndryshme të përdoruesve. Si fillim, përdoret nga ata që nuk duan që autoritetet të lexojnë korrespondencën e tyre. Është e pamohueshme që shërbimet e zbatimit të ligjit dhe të sigurisë kanë zakon të abuzojnë me aksesin e tyre në mesazhe private. Për shkak të censurës së ashpër të futur nga Putini vitet e fundit, Telegram është bërë platforma kryesore për publikimin e mesazheve publike, rubrikave dhe artikujve.
Për kundërshtarët e Putinit dhe luftës në Ukrainë, ai është i vetmi mjet komunikimi në dispozicion. Për këtë arsye shumë opozitarë janë mërzitur nga arrestimi i sipërmarrësit. Siç pritej, aktivistëve të rreshtuar me Durovin iu bashkuan shpejt armiqtë e tyre të betuar: propagandistët e Putinit. Me kalimin e viteve, regjimi i Moskës ka shpenzuar shuma të mëdha në kanalet propagandistike në aplikacion.
Qeveria pagoi direkt “aksione” për të forcuar kanalet e kontrolluara nga shteti. Prandaj, zhgënjimi i besnikëve të Kremlinit është i kuptueshëm, sepse një sulm ndaj propagandës shtetërore në Telegram mund të minojë aktivitetet e tyre fitimprurëse ekonomike.
Një grup tjetër shumë i shqetësuar është ushtria. Me sa duket, Telegrami është mjeti kryesor i komunikimit brenda ushtrisë ruse: Kremlini nuk ka arritur të krijojë mjete të tjera efikase për shkëmbimin e informacionit. Me Durovin pas hekurave, ushtria ka frikë se sekretet e tyre mund të përfundojnë në duart e shërbimeve sekrete franceze.
Sot, askush nuk e di se çfarë të dhënash ndahen nga Telegram, me kë dhe në çfarë kushtesh. Nuk ka dyshim se shërbimet sekrete të Putinit u përpoqën t’i hiqnin kontrollin e Telegramit Durovit, pikërisht siç kishin bërë me VKontakte. Megjithatë, nuk është e qartë se në çfarë mase ata ia kanë dalë.
Thuhet se gjatë protestave në Bashkiria disa vite më parë, FSB përdori të dhënat e Telegramit. Dhe së fundmi një kanal ukrainas që ndihmoi rusët të dezertonin u censurua. Disa specialistë të IT-së besojnë se deri pak vite më parë qeveria ruse nuk ishte në gjendje të censuronte në mënyrë selektive kanalet e Telegram-it dhe as nuk mund ta detyronte Durov-in të ndante të dhëna për aktivitetet e opozitës. Edhe bllokimi i plotë i shërbimit ishte i vështirë. Sot situata është ndryshe, sepse qeveria ka mjete më efektive të censurës.
Duke pasur parasysh se sa fort diplomatët rusë – zakonisht indiferentë ndaj fatit të bashkëqytetarëve të tyre jashtë vendit – po përpiqen të kontaktojnë Durovin, steka ka të ngjarë të jetë shumë lart. Historia e këtij njeriu është e vështirë për t’u kuptuar. Disa e konsiderojnë kampion të tregut të lirë, për të tjerët ai është një kapitalist djallëzor. Durov u dha mjete të reja komunikimi miliona rusëve dhe qytetarëve të vendeve të tjera. Megjithatë, për shumëkënd, platformat e tij shërbejnë mbi të gjitha për të pasur akses falas në mallra dhe shërbime që përndryshe janë me pagesë.
Durovi me siguri përfitoi nga mundësitë e krijuara nga regjimi i korruptuar dhe militarist i Putinit. Por edhe ai ishte viktimë e tij. E tija është një çështje shumë e ndërlikuar. / The Moscow Times – Bota.al