Luftëtar i paepur i çështjes kombëtare
Nga Doc. dr. Minir Ademi & profesor Selajdin Shabani
Në 22-vjetorin e rënies së Ismet Jasharit – komandant “Kumanova”
Më 25 gusht të këtij viti bëhen 22 vjet nga rënia heroike e njërit prej figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Ismet Jashari. Ai e deshi më shumë se gjithçka lirinë, e deshi më shumë se gjithçka atdheun dhe ishte ndër të parët që iu përgjigj kushtrimit për luftë, pa kursyer as jetën. Në këtë përvjetor ai meriton më shumë se kurrë të përkujtohet. Jetëshkrimi dhe biografi e tij janë dhe do të mbeten udhërrëfyese dhe shembuj për gjeneratat e ardhshme, se si njeriu përkushtohet për çështjen kombëtare. Andaj në këtë shkrim dhe këtë përvjetor, ne vetëm rikujtojmë veprimtarinë e tij në mënyrë simbolike.
Ismeti lindi në fshatin Orizare të Komunës së Likovës – Kumanovës – më 16 prill 1967. Ishte i biri i Jashar dhe Nurie Jasharit. Ismeti rrjedh nga një familje me vlera atdhetare. Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, vazhdimisht zhvillonin veprimtari atdhetare, të cilët edhe kishin ndikuar në formimin e personalitetit të Ismetit. Ata kishin mbështetur hapur kërkesat e bashkëkombësve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 dhe për këtë ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi i atëhershëm jugosllav. Pasi mori mësimet e para në shkollën fillore të vendlindjes, Ismet Jashari u regjistrua në Shkollën e Mesme Artizanale Ekonomike “Pero Nakov” të Kumanovës në vitin 1982. Por, për shkak se ishte nga një familje nacionaliste, organet e pushtetit të atëhershëm shtetëror jugosllav ushtruan presion të vazhdueshëm mbi të, që e detyroi t’i ndërpriste mësimet dhe të vazhdonte në gjimnazin e Preshevës. Gjatë kohës sa ishte nxënës i shkollës së mesme ai u inkuadrua në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. Për shkak të ndjekjeve dhe presionit të vazhdueshëm të pushtetit jugosllav, ashtu si shumë veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, edhe Ismet Jashari detyrohet të emigrojë në Zvicër. Edhe aty nuk e ndali aktivitetin dhe angazhimin atdhetar. Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit e tij, Muratin e Xhemajlin, si dhe me shumë bashkëveprimtarë të tyre të cilët zhvillonin aktivitet çlirimtar. Jo vetëm në Zvicër, por edhe në vende të tjera evropiane ai mori pjesë në shumë organizime, tubime, demonstrata të ndryshme në mbështetje të çështjes kombëtare.
Ismeti i takon brezit përkushtues atdhetar, i cili gjithmonë veproi në mbështetje të idesë për t’iu kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai, së bashku me veprimtarët e tjerë, nuk reshti kurrë në angazhimin e tij atdhetar për krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesve të trojeve etnike.
Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”, i cili u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu, menjëherë pasi filluan luftimet midis UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe, ai vendosi që të shkonte në Kosovë për të marrë pjesë drejtpërdrejt në frontin e luftës.
Pas ngjarjes epokale të Prekazit, të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, atdhetari i përkushtuar i luftës çlirimtare, Ismet Jashari, nuk kishte hamendje që t’i fillonte përgatitjet për të hyrë në Kosovë. Kështu, më 11 mars 1998, ai, bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendoset në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e saj. Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari u ngarkua me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare. Që në mars të vitit 1998, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij: Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku”, me bazë në fshatin Kleçkë. Që në fillim të përfshirjes së tij në luftën e Kosovës, për shkak të konspiracionit, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin Kumanova. Ismeti me bashkëveprimtarët e tij ishin luftëtarët e lirisë që rrezatonin shpresë dhe frymëzim për popullatën civile të gjithë ushtarët. Në prill të vitit 1998 Ismet Jashari, i ngarkuar me detyrë ushtarake, ndodhej në Dukagjin. Gjatë kthimit për në Kleçkë ra në pusi të forcave serbe, te vendi i quajtur “Guri i Zi”, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Këtu, ai plagoset në të dyja këmbët. Kur luftëtarët e lirisë arritën ta merrnin nën kontrollin e tyre grykën legjendare të Llapushnikut, më 9 maj të vitit 1998 Ismet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, mori pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë barrierë e pathyeshme për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti. Pas marrjes së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët iu afrohet pikave të tjera po aq me rëndësi: në Qafë të Dulës dhe në Grykë të Carralevës. Prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari – komandant “Kumanova”, Fatmir Limaj – komandant “Çeliku”, Haxhi Shala – komandant “Topi”, Shukri Buja – komandant “Sokoli” e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, përforcuan të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, duke filluar nga Llapushniku e deri në Qafë të Dulës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri në Blinajë. Në ofensivën e forcave pushtuese serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij: Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, luftuan e qëndruan heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së. Heroizmi i tij në fushëbeteja bëri që emri i komandant “Kumanovës” asokohe të bëhej burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë dhe sinonim i fitores jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën.
Fakti se në luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës luftonin edhe luftëtarë nga trojet shqiptare në Maqedoni, përforconte jo vetëm moralin e ushtarëve por, njëkohësisht, i jepte shpresë popullatës civile (e cila, për të mbijetuar nga granatimet serbe, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh), se dita e çlirimit të tokës së Kosovës do të ishte e shpejtë. Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria serbe kishte ndërmarrë të gjitha masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës. Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant Kumanovës, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike. Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës. Më 24 gusht 1998 forcat pushtuese serbe kishin shtuar valën e sulmit duke gjuajtur me arsenal të llojllojshëm luftarak, me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tok-tok. Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, ndonëse bunkerët po digjeshin. Në mbrëmje luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, mirëpo bashkëluftëtarët e Ismetit, Gani Kastrati dhe Afrim Buçaj, nuk kishin arritur të tërhiqeshin. Gjatë mëngjesit të 25 gushtit 1998 Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh, në një distancë të afërt me forcat serbe, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, ra dëshmor një ndër luftëtarët më të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, komandant “Kumanova”. Bashkë me atë ranë dëshmorë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Më pas, bashkëluftëtarët e komandant Kumanovës ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë t’i tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake në Kleçkë. Këta trupa forcat armike i kishin dërguar në Shirokë, në përpjekje për t’ua humbur gjurmët. Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121 “Ismet Jashari-Kumanova”. Për kontributin e jashtëzakonshëm që dha në luftën për çlirimin e Kosovës, më 25 gusht të vitit 2009 Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Ismet Jasharin me Urdhrin “Hero i Kosovës”. Në shenjë mirënjohjeje për përjetësimin e veprës heroike të Ismet Jasharit – komandant “Kumanovës”, atij i ngritën shtatoren afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në Orizare. Edhe në Komunën e Likovës, në shenjë respekti, shkolla e mesme mban emrin e tij. Sot në këtë përvjetor të rënies heroike të 22-të, edhe pse të heshtur, ai mbetet në zemrat e popullit që përkujtohet vazhdimisht si një pishtar i lirisë që nuk kurseu as jetën për të mirën e kombit. Andaj, kujtimi për veprimtarinë e tij mbetet i pavdekshëm kurdoherë!