Rebelimet e skllevërve përfundimisht çuan në atë që nuk paramendohej më parë: shpërbërja e sistemit kolonial dhe shpallja e pavarësisë së Haitit në vitin 1804. Ishte “revolta e parë e suksesshme nga njerëzit e skllavëruar” dhe vendi u bë republika e parë e zezë e lirë në botë dhe shteti i parë i pavarur në Karaibe.
Historia i kujton më së shumti të bëmat e luftëtarëve meshkuj të Revolucionit të Haitit. Figurat e tilla si udhëheqësi i saj, gjenerali Toussaint Louverture; Jean-Jacques Dessalines, i cili u bë sundimtari i parë i Haitit të pavarur; Dutty Boukman i cili ishte udhëheqës i luftëtarëve dhe prift i vudusë ose një hungan; mbreti i parë dhe i vetëm i Haitit, Henri Christophe etj. Historitë e tyre përkujtohen gjatë gjithë kohës.
Megjithatë, kishte edhe gra që kishin role kyçe në luftën për pavarësinë e Haitit. Pjesa më e madhe e historisë së tyre është e panjohur nga shumica, ose e anashkaluar për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe të dhënave të aktiviteteve të tyre. Megjithatë, historitë që njohim për gratë, duke përfshirë emrat si Sanité Bélair, Cécile Fatiman, Marie-Jeanne Lamartiniére, Catherine Flon, Suzanne Simone Baptiste Louverture etj., detajojnë vendosmërinë, guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës përkundër rreziqeve.
Ka gjithashtu mungesë të provave vizuale të këtyre grave. Megjithatë, artistët bashkëkohorë Richard Barbot dhe François Cauvin – që të dy haitianë – i kanë rimenduar duke ua dhënë emrave edhe fytyrat.
Dr. Crystal Nicole Eddins, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Pitsburgut thotë se gratë përdorën taktika të ndryshme të rezistencës, nga veprimi i hapur deri te puna në heshtje në prapaskenë. Disa, duke përfshirë emrat si Bélair dhe Lamartiniére, luftonin në vijën e frontit. “E dimë se gratë mbanin armët përkrah burrave. Gratë nga shoqëritë afrikane kishin gamë të gjerë rolesh shoqërore, disa prej të cilave ishin ushtarake – përveç faktit që punonin edhe në plantacione, duke e kryer të njëjtën punë si burrat. Pra, rezulton se luftonin të njëjtën luftë”.
Kishte shëruese dhe infermiere si Catherine Flon – e cila njihet kryesisht si rrobaqepëse dhe thuhet se kishte qepur flamurin e parë të Haitit të pavarur – si dhe edukatore, spiune dhe sabotatore që përdorën taktikat guerile për të shkatërruar burimet, duke përfshirë furnizimin me ujë të armiqve. Eddins shpjegon se gratë gjithashtu kontribuuan në rolet më femërore, si rritja dhe sigurimi i ushqimit për ushtritë rebele dhe komunitetet e tyre.
Sanité Bélair ishte udhëheqëse revolucionare që shërbeu te ushtaraku Toussaint Louverture. U ngrit në grada, fillimisht si rreshtere dhe më pas togere, duke udhëhequr sulmin në ekspeditën e San Domingos. Së bashku me bashkëshortin e saj Charles Bélair, një tjetër toger në ushtri, ata u kapën dhe u ekzekutuan me urdhër të Napoleonit. Trashëgimia e Bélairit përkujtohet me portretin e saj në kartëmonedhën haitiane të 10 gurdëve, krijuar në vitin 2004 si pjesë e një serie që shënon 200-vjetorin e pavarësisë së Haitit.
Më pak të njohura ishin priftëreshat e vudusë (mambo) dhe gratë e fuqishme shpirtërisht si Cécile Fatiman, të cilat ua dhanë “magjitë e mbrojtjes” rebelëve dhe refuzuan të jepnin informacionet për vendndodhjen e tyre. Ato i përdorën gjithashtu njohuritë e tyre tradicionale të mjekësisë bimore për të helmuar pronarët e skllevërve. Nga nëna një skllave afrikane dhe nga babai që ishte princ korsikan, Fatimani ishte mambo dhe revolucionare e shquar, e cila gjithashtu thuhet se kishte krijuar rrjete komunikimi që bartnin informacionet nëpër plantacione. Vdiq në moshën 112 vjeçe.
Marie-Jeanne Lamartiniére ishte ushtare dhe infermiere nga Haiti, e cila shquhet jo vetëm për guximin e saj, por edhe për njohuritë dhe strategjinë e saj në fushën e betejës. Lamartiniére ishte figurë kryesore në Betejën e madhe të Krete-a-Pieros më 1802, kundër forcave franceze.
Gratë nuk ishin të përjashtuara nga dënimet për pjesëmarrjen në revolucion dhe ato pësuan të njëjtat fate brutale si burrat. Bélair kishte refuzuar t’ia mbyllin sytë para se të ekzekutohej nga francezët, së bashku me burrin e saj.
Me ato pak detaje që dimë për Bélairin dhe gratë e tjera, kronistët kanë shkruar për trimërinë dhe vendosmërinë për kauzën e çlirimit. “Në disa raste, historianët kanë thënë se ishin gratë ato që ishin më të rrepta në luftë”. Ato e përmbysën shtypjet koloniale dhe, përballë fatkeqësive, luftuan për lirinë brenda komuniteteve të tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Kolonistët krijuan ndarje midis të skllavëruarve – duke mbjellë mosmarrëveshje me sistemet e shpikura hierarkike që përfshinin fenë dhe ngjyrën e lëkurës. Duke e përdorur taktikën përçajë dhe sundo, shpresonin se do të ishin shumë të zënë duke luftuar mes vete e jo për të thyer zinxhirët e skllavërisë. Përveç kësaj, ata kërcënuan me dhunë ekstreme si ndëshkim për kryengritjen. Megjithatë, kjo nuk e pengoi dëshirën për çlirim të popullit të robëruar. Organizuan revolta pa dijeninë e zotërinjve të tyre, të cilët ishin të mashtruar nga ndjesia se janë të sigurt sepse zezakët ishin inferiorë dhe të paaftë për të luftuar për vetveten.
Ky besim vazhdoi veçanërisht në mënyrën se si konsideroheshin gratë e zeza. Shumë nga ato morën pozita udhëheqëse në rebelimet e organizuara, megjithëse nuk dimë shumë për historitë e tyre. Eddins thotë se literatura më e re po heton se pse këto gra u heshtën në dosjet historike. Statusi i tyre i skllavërisë ka të bëjë me këtë, ka thënë profesoresha e historisë Jennifer L. Morgan. Eddins shprehet: “[Profesoresha Morgan] flet për mënyrën sesi statusi i skllavit bartej përmes barkut të grave afrikane, se ata që skllavëronin nuk donin t’i shihnin si njerëz, sepse nëse e shihnin një grua shtatzënë, kjo ua kujtonte se njerëzit afrikanë kishin farefisni dhe familje”. Gjithashtu, skllavëruesit nuk kishin gjasa t’i shihnin gratë e zeza si revolucionare ose rebele.
Një arsye tjetër për mungesën e dukshmërisë së tyre në librat e historisë, është fakti se nuk ka mjaft rrëfime në vetën e parë të këtyre grave. Eddins thotë: “Kemi letra nga Toussaint Louverture. Kemi shkrime nga Jean-Jacques Dessalines, por nuk kemi, të paktën në dijeninë time, shkrime të njohura nga ndonjë grua revolucionare. Pra, në mungesë të kësaj, duhet kreativitet për t’u përpjekur që të kuptojmë se si t’i gjejmë këto gra dhe të njohim historitë e tyre”. Me projektin e saj të radhës, Eddins shpreson të gjejë gra të tjera si Fatiman dhe Bélair, dhe t’i bëjë më të dukshme historitë e grave revolucionare nga Haiti.
Fatiman dhe Dutty Boukman drejtuan ceremoninë sekrete, që ishte jo vetëm ritual fetar, por edhe takim për të mobilizuar masat e skllavëruara nga plantacionet në të gjithë vendin. Ato hartuan strategji për shkatërrimin e “ekonomisë së plantacioneve të sheqerit dhe përshkruan kushtet e çlirimit të tyre”. Ceremonia dhe ritualet e tjera vudu që përfshinin burrat dhe gratë ishin thelbësore për të sjellë solidaritet racor midis popullatës së ndryshme në Haiti që përfshinte të skllavëruarit, kreolët, afrikanët, njerëzit e lirë me ngjyrë dhe marunët.
Pavarësia erdhi me një kosto dhe vendi ende po vuan efektet e revolucionit. Megjithatë, është e rëndësishme të pranohet se përmbysja e guximshme e skllavërisë dhe krijimi i Haitit të pavarur ishte fitore e përbashkët e burrave dhe grave. Dhe, derisa ekzistojnë shumë burime që fokusohen në burrat e Revolucionit Haitian, përpjekjet e fundit janë bërë për të gjetur historitë e grave të revolucionit dhe për t’i nxjerrë ato në dritë – jo vetëm për kontributin e tyre në kauzë, por edhe për të kuptuar përvojat e tyre të jetuara. /Telegrafi/