Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Pashtriku qëndruan heroikisht në mbrojtje të lirisë së Kosovës
Shkruan: Ali Uka
Në 26 vjetorin e luftës dhe të qëndresës heroike të bijve më të mirë të orëve të para të lirisë, për thyerjen e kufirit shqiptaro – shqiptar, të 14 dhjetorit të 1998- së, të atij dimri të acartë e me plot borë, malet e Pashtrikut qëndronin së bashku me luftëtarët e UÇK-së, qëndronin dhe luftonin për thyerjen e kufirit me çdo çmim, për t’ju sjellë armë luftëtarëve të rinj, luftëtarërve të lirisë, ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Atë ditë, pas një lufte të madhe dhe heroike, Pashtriku u la me gjak. Gjaku dhe bora u bënë një!. Toka e Arbrit po lahej prap me gjak, për t’i ngritur themelet më të forta, themelet e çelikta, që fëmijët tanë të jenë të lirë, si të gjithë fëmijët e tjerë të botës.
Po bëhen 26 vjet të luftës dhe të qëndresës heroike të bijve tanë, të cilët i treguan botës, se kur është në pyetje liria e këtij populli dhe kësaj toke, djemtë e saj ngrihen si feniksi për të qëndruar shqiponjë midis shqiponjash, si gjitherë gjatë shekujve.
Aty qëndronin bijtë më të mirë të gjitha cepeve të trojeve etnike të Arbërisë. Orë të liga. Bashkimi i shpëtonte ata. Shqiptarët, ishin buzë kufirit: “të jesh apo të mos jesh”. Adem Jashari lëshoi kushtrimin!. Në Drenicë pushtuesit serbosllavë i thyen hundët. Drenica u zgjua me orë të bardha. Krushqit e lirisë shtonin radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dita ditës rritej dhe shumfishohej numri i tyre.
Numri i tyre shtohej në fusha, male dhe qytete. U Krijuan njësi pas njësie, brigadë pas brigade dhe zonë pas zone. Komandantit legjendar iu bashkuan edhe djemtë më të mirë të Zonës së Neredimes. Carraleva jep kushtrimin. Këtu i këputën aotrtën, forcave pushtuese serbe, djemtë e UÇK-së. Me shtimin e radhëve të saj, ndihej edhe mungesa për armë. Për armë, vullnetarishtë renditen shumë. Vëllau donte t’ia kaloi vëllaut, shoku shokut, dhe rendi shtohej. Shtigjeve të krenarisë shkonin edhe: Kadri Ademaj, Fadil Rashiti, Afrim Musliu, Ramadan Elshani, Arben Hyseni, Xheladin Xheladini, Selim Selimi, Hafir Bajrami e shumë e shumë të tjerë.
Të prirë nga komandanti Mujë Krasniqi, shpejtonin nëpër acarin dhe borën e akulltë për t’u sjellur armë sa më shpejtë luftëtarëve të lirisë. Shpejtonte Muja dhe meditonte tokën e Kosovës, tokën bukëdhënse, tokën të lirë, ku edhe thuri vargjet për këngën e lirisë. Shpejtonte. Koha s’priste! Pashtriku heshte! Kjo do të jetë histori e re! … Meditonte komandant “Kapuçi”! 14 Dhjetori po agonte! Luftëtarët po përballeshin me borën dhe acarin! Pëballeshin me peshën e rëndë, por qëndronin të fort. As bora e acartë dhe as armët e rënda si ndalnin! Prites po i afrohej karvani i lirisë! 14 Dhetori i ’98-tës, do të shënohen në histori, për qëndresën dhe për heroizmin e luftëtarëve të lirirsë. Muja në ballë lëshon kushtrimin! Beteja fillon! Lufta po zgjatë! Në fushën e betejës bien heroikisht 41 dëshmorë. Ata me gjakun e tyre i sollën rrezet e lirisë. Gjaku u bë njësh me tokën e bardhë të nënës Kosovë. Dhe po rdhjedh venave të tësaj toke. Ajo po i ngrit themelet e atdheut më të forta. Kënga edhe sot vazhdon ritmin e LIRISË.
Liria është e shtrenjtë, ajo vetëm me gjak paguhet!
Kadri Ademaj u lind në janar të vitit 1975, në fshatin Petrovë. Janari sikur lidhet me shumë çka të madhe, janari i lidjeve të mëdha. Mësimet e para, Kadriu i mori në shkollën fillore “Bajram Curri” të fshatit Petrovë. Mësimet e mesme i kreu në Shtime, kurse shkollën e lartë, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu me sukses në Prishtinë. Që në betejën e parë, në Blinajë, kishte treguar një guxim dhe heroizëm të madh. Gjithashtu edhe në betejat e mëvonshme, si në: Rancë, Carralevë, Jezerc e të tjera, ndër të parët këtu dha provimin e diplomës me dhjetëshe. Aty, ku atdheu ishte në rrezik, aty e gjejmë Kadriun, Fadilin, Afrimin, Cubin, Gurselin, Bajramin e shumë luftëtarë trima. Më 14 dhjetor të vitit 1998, në luftë me pushtuesin serbo-sllavë, në mallet e Pashtrikut, bien heroikisht. Pas një beteje të madhe, pas një lufte heroike, bien trimat e lirisë, me komandant Mujë Krasniqin. Kadri Ademaj është njëri nga 41 lulet e kuqe maji të shndërruar në permendore të lirisë në fushën e Polacit, të Morinës dhe krejt Kosovës.
Fadil Rashiti u lind po në janar të vitit 1975 në fshatin Petrovë. Mësimet e para i kreu në fshat, të mesmet në medresenë “Alaudin” në Prishtinë, për t’i vazhduar studimet në Fakultetin e Teologjisë. Fadili ishte para diplomimit, kur kyçet në radhët e UÇK-së. Nga beteja e Blinajës del me një përvojë më të madhe dhe me një guxim e krenari të lartë. Për ta thyer kufirin shqiptaro-shqiptar dhe për t’ju sjellë armë ushtarëve të lirisë, bie në pritat e pushtuesve sllavë. Këtu ranë 41 zogjësh shqiponjash, ranë për të mos vdekur kurrë. Fadili dhe Kadriu gjatë tërë jetës ishin të pandashëm dhe as vdekja nuk arriti t’i ndajë. Ata sot i bëjnë roje nderi Shtimes, Kosovës dhe Lirisë.
Afrim Musliu lindi më 1970 në fshatin Belinc të Shtimes, në një familje të varfur ekonomikisht, por me tradita të larta atdhetare. Mësimet e para i mori në Shkollën fillore të fshatit Reçak, ku ishte frymëzuar nga arsimtarët e gjuhës dhe të historisë për heroizmin dhe për atdhedashurinë. Kur atdheu ishte në rrezik, Afrimi s’priti bekimin e partive politike në pushtet, por parti të vetme kishte shqiptarinë, dhe për të u flijua në malet e shenjta të Kosovës.
Edhe pse Afrimi, nuk e priti lirinë, ai ishte betuar se do të luftonte deri në fund pushtuesin dhe barbarët e ardhur nga Karpatet. Për aftësitë ushtarake të treguar gjatë betejave e kishin emëruar komandant. Jeta e Afrimit është shndërruar në përjetësi dhe do të mbetet në histori për luftën, për bashkimin e trojeve shqiptare.
Shqiponja që me krahët i mbronte zogjtë e vet!
Ramadan Elshani i njohur me emrin luftarak “Dani”, u lind më 1969 në Shtime, në një familje me tradita atdhetare të ardhur nga Drenica. Për Danin dhe të katër fëmijët kujdesej nënë Hajria, pasi i shoqi i kishte ndëruar jetë qysh i ri. Nënë Hajria, e lindur nga dera e trimërisë dhe nga dera e qëndresës drenicare, nuk e pati të vështirë t’i edukonte fëmijët me dashurinë për lirinë e shqiptarisë. “Dani” ishte fëmiu më i madh i nënë Hajrisë, ishte ai ndër të parët që kishte rrokur armët për t’u renditur në Brigadën e lavdieshme 121 “Kumanova”. Ai kishte luftuar në Blinajë, Carralevë, Rancë, Llapushnik e të tjera. Në çdo betejë kishte treguar një heroizëm të pashoq së bashku me komandant Luanin, të cilin e kishte dajë. Edhe Dani e pa të arsyeshme që ushtarëve të rinj të UÇK-së duhej me çdo kusht t’u sjellte armë, kalon kufirin së bashku me shumë luftëtarë, me armë të ngarkuar në shpinë, nëpër atë acar dhjetori, ia mësyenë Kosovës. Dani edhe pse i plagosur rëndë, lufton deri në frymën e fundit për të mbajtur amanetin që i kishte dhënë nënë Hajriesë, dhe betimin mbi flamurë. Ai ra si një shqiponjë duke i mbrojtur zogjët e vet.
Arben Hyseni u lind në fshatin Godanc të Epërm. Arbeni mësimet e para i mori në shkollën e fshatit. Mësimet e mesme i vazhdoi në Medresënë “Allaudin” të Prishtinës. I gjyshi i Arbenit, pas Luftës së Dytë, s’ishte pajtuar që Kosova të mbetej nën Jugosllavinë. Ai së bashku me vëllezërit ngujohen në kullën e Gurit, dhe luftojnë me xhandarmërinë, çetnikët dhe me ushtrinë pushtuese si dhe me kuislingët dhe puthadorët që i shërbeniun me nder atij pushtuesi. Arbeni edhe pse i ri, kishte mbushur vetëm 17 pranvera, hyri në radhët e UÇK-së. Ai vepronte në Brigadën e lavdieshmne 121 “Kumanova” së bashku me Danin dhe shumë shokët të idealit. Edhe Arbeni kishte shkuar në Shqipëri, për të sjellur armë. Më 14 dhjetor pas një lufte të ashpër në mallet e Pashtrikut, Arbeni bie në fushën e betejës për lirinë e Kosovës. Të 41dëshmorët e rënë ishin simbol i qëndresës heroike . Trupi i Arbenit tani pushon në varrezat e Morinës të Drenicës heroike së bashku me mijëra shokë të idealit.
Xheladin Xheladini u lind në fshatin Carralevë. Edhe Xheladini frymzimin e gjeti tek malet e Carralevës, të cilat gjatë gjithë histories qëndruan kryelartë dhe të pamposhtura gjatë luftërave për liri. Malet e Carralevës ishin frymëzim edhe për shumë luftëtarë edhe për Xheladinin, për të rrokur pushkën dhe për t’u radhitur në radhët e UÇK-së. Xheladini mësimet e para i morri në vendlindje, ato të mesmet në Shtime. Në betejën e Carralevës Xheladini me trimat e lirisë: Jetë Hasani, Ramiz Qeriqi e shumë trima tjerë ishin të parët që i dhanë grusht të fortë armikut barbar. Vullnetarisht radhitet në radhët e atyre që caktohen për të sjellur armë për atdheun, që atdheu i tij, po rënkonte nga pushtuesit serbë. Xheladini, më 14 dhjetor bie heroikisht, me amanetin e fundit lënë shokëve, “ta vazhdoni luftën deri në fitoren e lirisë dhe të pavarësisë”.
Pashtriku i larë me gjak!
Selim Selimiu u lind në fshatin Belinc, mësimet e para i kreu në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime. Selimi së bashku me Afrimin Musliun, kyqen ndër të parët në radhët e UÇK-së. Për formimin e Zonës së Neredimes edhe Selimi dha një kontribut të çmuar. Për t’i dalë në mbrojtje Kosovës, Selimi i lë studimet dhe në shumë beteja të përgjakshme u shqua për trimëri dhe për heroizëm të rradhë. Rrugën, Kosovë-Shqipëri, Selimi së bashku me Afrimin e kishin kaluar shumë herë, për të sjellur armë dhe mjetet të tjera të nevojshme për UÇK-në. Selimi së bashku më shumë luftëtarë shpejtonin me barrën e rëndë të armëve për Kosovë. Pashtriku atë ditë jehoi fuqishëm nga armët dhe nga qëndresa e trimave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Komandant Muja ishte në ballë të kolonës, Gjergj Elez Alia vet, me shtatë plag në trup, ishte Muja i betejave dhe i qëndresave. Pas një lufte të madhe Selimi së bashku me komandantin e tij, bijnë heroikisht. Ata ishin shokë të dashur dhe luftëtarë të dëshmuar, të cilët ranë për të mos vdekur kurrë. Ranë për ta thyer kufirin shqiptaro-shqiptar, për ta thyer kufirin e vdekjes, në atë dimër të acarrt, ranë për liri. Lirinë me gjakun e kuq e sollën ata. Ata e fituan edhe pavdekësinë.
Hafir Bajrami, ishte më i riu në radhët e UÇK-së, që ende nuk i kishte mbushur 17 pranvera. Ai s’mundi të qëndroj anash dhe t’i bëj sehir luftës, se kishte shpirtin luftarak, kishte guximin dhe idealin për liri. Hafiri në betejën e Zborcit, edhe pse s’ishte i armatosur, për tri ditë, sa zgjati kjo betejë, vraponte mes për mes plumbave të armikut për t’u bartur bukë dhe armë ushtarëve të lirisë nëpër istikame. Hafiri u lind në fshatin Zborc më 1982, në një familje me tradita atdhetare. Mësimet e shkollës fillore i mori në Carralevë. Aty, djemtë e shqiptarisë bënë betejat heroike, dhe këto male të larta e kishin arsyen të mbanin kokën lartë. Këto male e frymëzuan edhe Hafirin dhe shumë shokë të tij. Djemtë e Zborcit u radhitën ndër të parët në UÇK. Hafiri kurrë nuk ju nda shokëve. Ai ishte në beteja, në istikame, pra ç’do kund ku kishte nevojë ishte Hafiri. Edhe për bartjen e armeve, Hafiri ishte i pari. Ishte më se i lumtur kur takohej me komandant Kapuçin dhe me luftëtarë të tjerë. Këto i jepnin fuqinë dhe krenarinë. Gjithmonë ishte i qeshur dhe i lumtur që kishte veshur uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilës s’iu nda deri në vdekje. Edhe më 14 dhjetor të atij viti, Hafiri edhe pse i ri, tregoi se si luftohet për liri. Ai u vërsuel i pari në mbrojtje të shokëve dhe të komandantit. Ra më buzën në gaz se po vdeste për lirinë e Kosovës, për lirinë e shqiptarisë. Lavdi dëshmorëve të lirisë.