Luftëtari i heshtur

31 korrik 2024 | 15:14

Pas fillimit të luftës në Kosovë shumë të rinj dhe të reja shprehën gatishmërinë ta veshin uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe t’i dalin zot atdheut. Ata vazhdimisht përpiqeshin të krijonin mundësi për të takuar njerëz përgjegjës dhe të sigurt. Masakra e Çirezit dhe Likoshanit, pastaj vrasja e Adem Jasharit dhe anëtarëve të familjes së tij, e arriti kulmin e durimit të popullit shqiptar. Luftën nuk e dëshironte populli shqiptar, por e kishte të nevojshme, sepse rrezikohej kombi.

Gani Nuha, një djalë i një familjeje patriote që jetonte në Gjermani, la familjen (gruan me fëmijë) dhe biznesin që e drejtonte dhe në muajin mars të vitit 1998 u nis për Tiranë, më pas për malësinë e Tropojës. Aty iu bashkua djemve dha vajzave të UÇK-së deri në çlirimin e vendit. Ganiu shumë herë mori rrugën nga Tropoja për Morinë, Smolicë, Rrasa e Zogut e Junik, edhe në fshatra të tjera të Dukagjinit. Ai së bashku me shokë drejtoi logjistikën e UÇK-së, u kujdes për ushqim dhe municion e gjësende të tjera për luftëtarët që vinin nga zonat e luftës në Tropojë për t’u armatosur. Ganiu me bashkëluftëtarë, që ishin pjesë e logjistikës, qëndronin në Viçidol, Hoxhaj, Tropojë dhe Bajram Curr. Ata kujdeseshin për të gjithë ata që merrnin rrugën e gjatë për armatim. Madje Ganiu, siç më ka rrëfyer, shumë herë kishte shkuar edhe në Rrasën e Zogut për t’i pritur familjet që ikin nga Kosova dhe për t’u ndihmuar pleqve dhe plakave që të arrin në qytetin e Bajram Currit. Komandant Nuha kishte bashkëpunim të pashoq me shumë luftëtarë me zë në zonën e Nerodimes, Llapit, Karadakut, Drenicës e Dukagjinit, duke filluar nga komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj etj. Para se të vritej Ilir Konushevci, ai ishte i lidhur drejtpërdrejt me të në logjistikë, pastaj me bashkëluftëtarët e tjerë si me Fadil Nimanin “Qergashin”, Agim Zenelin, “Tonin”-Xhelal Hajden, Fanol Bardhaj, “Demën”-Qerim Kelmendin, Bekim Kelmendin, Bekim Shytin, “Abeja”-Bekim Berishën, Bedri Shalën, komandantin e Smolicës, Agron Ramën, Ramë Ramën, Bajram Ahmetin, “Kanunin”, Demir e Canë Demirin, Naim Hazirin, Ilir Krasniqin, Tomor Gashin e shumë e shumë djem të tjerë të pushkës. Madje përmes Ganiut dhe Bekim Haxhiut “Kamishit”, telefoni i parë celular i është dërguar heroit Fehmi Lladrovci në Drenicë.

Në foto: Gani Nuha, Bekim Shyti dhe Bekim Berisha-Abeja, në Junik.
Këtë lidhje me gjithë zonën e Dukagjinit dhe me zonat e tjera e bënte edhe më të fortë furnizimi me armë dhe uniforma. Çdo rrugë të çonte te Gani Nuha me shokë. Ai ishte adresë për të gjithë. Komandanti i Zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj, e kishte emëruar shef të logjistikës më 16 qershor të vitit 1998. Këtë e dëshmon autorizimi të cilën e ka siguruar “Epoka e re”. Në autorizim shkruan: (faksimile)

 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Shtabi Rajonal i Dukagjinit

Nr. rend: 32

Autorizim

Shtabi Rajonal i Dukagjinit autorizon Gani Nuhën që të na furnizojë me mjete dhe pajisje lufte. Për veprimet e tij marrim përsipër përgjegjësinë. Falënderojmë popullatën dhe të gjithë ata që ndihmojnë personalisht si dhe të gjitha strukturat e organizuara shqiptare kudo qofshin që japin ndihmë për çlirimin e Kosovës nga sundimi i okupatorëve.

Dukagjin, Kosovë, më 16 qershor 1998.

Komandanti i Shtabit Rajonal të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Komandanti kishte respektuar me fanatizëm autorizimin e gjeneral Haradinajt. Logjistika kishte mbajtur shënim për çdo hyrje-dalje, për çdo shpenzim që kishte bërë si shtab i furnizimit, për çdo armë që ua kishin dhënë luftëtarëve të cilët kishin ardhur në Tropojë në mënyrë të organizuar dhe me kërkesë të komandantëve të tyre. Në dosjen që e ka “Epoka e re”, aty gjen emra të luftëtarëve të fshatrave të shumë zonave të Kosovës, edhe të emra të përveçëm. “Epoka e re” ka siguruar një kërkesë ku i është dorëzuar Gani Nuhës të sigurojë për Ferizaj disa radiolidhje si dhe një kallashnikov për “Kompjuterin”, po ashtu i janë kërkuar edhe shenjat dalluese të UÇK-së për eprorët e luftës që të dallohen nga ushtarët.

Nga letrat e shumta që mbahen dhe ruhen me fanatizëm prej tij, aty shihen emrat e luftëtarëve trima të fshatrave e qyteteve të shumta që kishin arritur në Tropojë dhe kishin dorëzuar kërkesat e tyre, sigurisht duke pasur me vete edhe dëshminë e komandantëve të zonave të cilët me shifra kishin bërë me dije se kërkesat janë të sigurta. Madje në shumë letra arkivore shihen edhe kërkesat e komandantit të ZOLL, Rrustem Mustafa etj. Pra, UÇK-ja kishte një lloj arkivi i cili ruhet me fanatizëm, por në këto dokumente arkivore ka kërkesa për armatim si dhe shënime sesa ushqim e veshmbathje ushtarake po u jepen ushtarëve të lirisë.

Gani Nuha, pas përfundimit të luftës, me datë 12 gusht të vitit 1999, kthehet në Zonën e Nerodimes, i dorëzon këto të mira materiale për ushtarët e UÇK-së, me gjithë dëshmitë e mbledhura nga sektori i financave pranë Shtabit të Logjistikës. Ato i dorëzon te përgjegjësi në këtë zonë i sektorit të logjistikës (dokument).

Ganiu i është kthyer gruas dhe fëmijëve të vet në Perëndim ku punon dhe vepron me ndershmëri. Ai ka vetëm një brengë, se si po trajtohen bashkëluftëtarët që gjenden në paraburgim në Hagë. Ai shpreh shqetësim shumë të madh për dënimet që po u jepen bashkëluftëtarëve nga gjykatat ndërkombëtare. Ganiu thotë se ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, edhe të tjerët, janë fajtorë vetëm pse janë shqiptarë, përndryshe ata janë lavdia e ushtrisë çlirimtare, dhe pafajësia e tyre do të vërtetohet nëse ka gjyqtarë që e vlerësojnë drejt sakrificën dhe luftën e drejtë të popullit shqiptar të robëruar ndër shekuj nga pushtuesi gjenocidal serb. Ganiu thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte e drejtë, e pastër si loti, një luftë që luftëtarët e lirisë me pushkë në krahë, duke bartur armatim me kilometra të tëra, nëpër borë e nëpër shi, ia kanë dalë ta çlirojnë Kosovën. /Sadik Zeqiri/

Në foto: Gani Nuha dhe Sadik Zeqiri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se…