‘Luftime të rënda’ në ditën e dytë të operacionit turk në Siri
Ushtria turke ka vazhduar të enjten ditën e dytë të ofensivës kundër milicive kurde, që kontrollojnë territorin e Sirisë përgjatë kufirit me Turqinë.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i ka hedhur poshtë kritikat ndërkombëtare për operacionin ushtarak në lindje të lumit “Eufrat”, duke përsëritur se ofensiva ka për qëllim “të eliminojë terrorin” përgjatë kufijve të Turqisë.
Erdogani po ashtu ka thënë se forcat e armatosura turke, deri më tash “i kanë neutralizuar” gjithsej 109 “terroristë”, duke iu referuar milicive kurde.
Më herët, forcat e armatosura turke kanë thënë se kanë goditur 181 caqe me sulme ajrore, që nga fillimi i operacionit të mërkurën, raporton “Rel”.
Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, kanë raportuar për “përleshje të rënda” në fshatrat kufitare.
Operacioni turk ka filluar pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar tërheqjen e trupave amerikane nga këto zona.
Vendimi ka nxitur kritika dhe shqetësime sidomos për civilët sirianë.
Turqia, tash e sa muaj, ka kërcënuar se do të nisë operacionin ushtarak në kufirin e saj me Sirinë, duke thënë se dëshiron të krijojë një “zonë të sigurt” atje, ku edhe do të dërgonte miliona refugjatë sirianë.
Turqia i konsideron milicitë kurde në Siri si pjesë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për autonominë kurde brenda Turqisë për tri dekada me radhë.
Këto milici, megjithatë, e mohojnë çdo lidhje të drejtpërdrejtë organizative me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit.
Milicitë kurde kanë qenë aleate të forcave amerikane në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në Siri.