Luftimi i korrupsionit mbetet sfidë për institucionet, kërkohet bashkëpunim më i madh
Organizata Joqeveritare “Aktiv” ka mbajtur konferencë për transparencën e administratës lokale në kuadër të projektit “Forcimi i transparencës dhe sundimit të ligjit në komunat serbe në Kosovë”.
Tamra Geig nga Byroja për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit, ka thënë se ShBA-ja do ta vazhdojnë mbështetjen për Kosovën.
Madje, Geig, ka thënë prioritet i ShBA-së mbetet bashkëpunimi për një Kosovë më të sigurt.
“Siç e dini ShBA-ja ka qenë partnere e Kosovës për më shumë se dy dekada dhe ne do të vazhdojmë me mbështetjen tonë. Ne po mundohemi t’i ngrijmë kapacitetet e shoqërisë civile në Kosovë. Ne e dimë që kjo do të forcoj institucionet e Kosovës dhe për këtë është shumë e rëndësishme kjo konferencë. Ne jemi të gjithë së bashku që të sigurohemi që komunitetet do të bashkëpunojnë për një Kosovë më te sigurt, kjo është prioritet edhe për ShBA-në”, ka thënë Geig.
Ndërsa Miodrag Miliceviq, drejtor ekzekutiv i OJQ “Aktiv”, ka bërë me dije se kanë hartuar një program për digjitalizimin e raportimit kundër korrupsionit.
Në anën tjetër, drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se prioritet kryesor i tyre mbetet trajtimi i barabartë i të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me korrupsionin.
“Prioriteti ynë është që të kemi një trajtim të barabartë në të gjitha lokalitetet e Kosovës. Këtu kemi pasur sfida, por jemi munduar që gjithmonë të ofrojmë bashkëpunim edhe me komunitetet joshumicë. Secili mandat i qeverisjes duhet të jetë i ndërlidhur me shoqërinë civile, për transparencë të plotë”, ka thënë Buleshkaj.
Më tutje, drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se duhet punë më intensive për luftimin e korrupsionit. Ai ka kërkuar më shumë përfshirje të qytetarëve në nivelin lokal dhe qendror.“
Si komunat si niveli qendror duhet te ketë më shumë bashkëpunim si me qytetarët edhe me institucionet. Prokurorët krejt punën e tyre e bazojnë në letra. Sot ka mundësi të llojllojshme se si me luftuar korrupsionin. Hetimet dhe përgjimet nuk ekzistojnë fare”, ka thënë Miftaraj.
Kurse Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Kosova ka ende sfida në luftimin e korrupsionit. “Kosova edhe pse ka pasur një sukses, dhe ka bërë një hap tutje, megjithatë ka sfida në miratimin e politikave të ligjeve dhe në zbatimin e këtyre ligjeve që garantojnë transparencë”, ka thënë Kryeziu.